English

Baronesha Ashton: Thaçi, vizion të qartë euroatlantik për rrugëtimin e Kosovës

Prishtinë, 8 dhjetor 2011 NOA/ Rid Bulku - Baronesha Ashton deklaron se Bashkimi Evropian e çmon lart përkushtimin personal të Kryeministrit Thaçi për progresin e bërë në reformat e filluara për proceset e integrimit evropian, si dhe vizionin e qartë euroatlantik për rrugëtimin e Kosovës.

Deklarata u bë sot pasi Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi në ditën e tretë të vizitës zyrtare në Bruksel është takuar me Zëvendëspresidenten e Bashkimit Evropian, Baroneshën Catherine Ashton, raporton agjencia shqiptare e lajmeve NOA.al.

Thaçi ka falënderuar në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, Baroneshën Ashton për kontributin e saj personal, si dhe të Bashkimit Evropian për Republikën e Kosovës.

Kryeministri theksoi se Kosova mbetet e përkushtuar që të mbetet aleat dhe partner i fuqishëm i paqes dhe stabilitetit në rajon si dhe përmbushjes së agjendës evropiane drejt rrugëtimit të Republikës së Kosovës drejt vizionit të integrimeve euro-atlantike.

Në takimin në mes të Kryeministrit Thaçi dhe Baroneshës Ashton është diskutuar për proceset e rëndësishme, nëpër të cilat është duke kaluar Kosova, si në kontekstin e brendshëm, ashtu edhe ne rrafshin e integrimit euroatlantik.

Thaçi ka thënë se bazuar në përkushtimin institucional të Kosovës për përmbushjen e plotë të kritereve dhe standardeve evropiane të integrimit, liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës apo nisja e procesit të dialogut të liberalizimit të vizave me të drejtë pritet që të fillojë në ditët e ardhshme.

Në këtë kuadër, kryeministri ka mirëpritur qëndrimin e paraqitur nga Këshilli i Ministrave i BE-së që mbështet fillimin e dialogut të liberalizimit të vizave për Kosovën.

Baronesha Ashton në takim me kryeministrin Thaçi gjithashtu ka vlerësuar lart përkushtimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës në përmbushjen e agjendës evropiane, si dhe rolin konstruktiv të Republikës së Kosoves në dialogun teknik mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, duke konfirmuar mbështetjen e fuqishme për marrëveshjen për menaxhimin e kufirit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, njëherit duke kërkuar edhe zbatimin e marrëveshjeve të mëhershme.

r.b/NOA

KOMENTE