English

Berisha: Të rinjtë do përcaktojnë fitoren e qershorit 2013

Marsejë, Francë, 8 dhjetor, NOA - Kryeministri Berisha, përshëndeti sot, qytetarët shqiptarë dhe veçanërisht të rinjtë dhe të rejat e vendit, me rastin 8 dhjetorit, Ditës së Rinisë. Në mesazhin e tij për Festën e Rinisë, nga Marseja ku po zhvillon punimet Kongresi i 20 i Partive Popullore Evropiane, kryeministri ka theksuar se energjia e të rinjve, ashtu si 21 vite më parë, do përcaktojë dhe fitoren në zgjedhjet e vitit 2013.

“Unë dua tu përshëndes ju këtë ditë, të rinjtë dhe të rejat e Shqipërisë sepse në këto 20 vite ju ishit dhe forca më kryesore e demokracisë së vendit. Ju përcaktuat fitoren e qendrës së djathtë në vitin 2009, përcaktuat fitoren me votën tuaj, fitoren e viti 2009, fitoren e këtyre parimeve në vitin 2011 dhe kam bindjen më të plotë se ju, me energjitë, me mençuritë, me vizionin, me përkushtimin, me idealet e larta, fisnike, të dhjetorit të viteve ‘90 do të përcaktoni fitoren më të thellë të qershorit të viti 2013”, tha ai. .

Në fjalën e tij Berisha ka deklaruar se të rinjtë dhe të rejat ishin përcaktuesit e fitores së demokracisë.

“21 vjet më parë dhjetori do të hynte si një dimër i thellë. Kombi ndodhej në vetminë dhe në dëshpërimin më të thellë. Diktaturat komuniste kishin rënë njëra pas tjetrës, Shqipëria mjerisht projektohej si “Kuba e Adriatikut”, por kjo, jo në mendjen dhe në zemrën e të rinjve shqiptarë. Në mendjen dhe në zemrën e tyre kishte lëshuar shtat Shqipëria e lirë, Shqipëria e qytetarëve të lirë, Shqipëria e vokacionit perëndimor, Shqipëria e integrimeve”, u shpreh Berisha.

Në këtë përshëndetje, Kryeministri risolli në kujtesë 8 dhjetorin e vitit ‘90, duke e cilësuar atë, si ditën që çeli dyert e mbyllura të lirisë për shqiptarët dhe shndërroi vitin’ 90 në vitin e mrekullive të mëdha të kombit shqiptar.

“Nga Kongresi i 20 i Partive Popullore Evropiane, qyteti historik i Marsejës dëshiroj ti përcjell përshëndetjet më të përzemërta çdo të reje dhe të riu shqiptar, studenteve dhe studentëve të Shqipërisë dhe ne veçanti atyre që 21 vjet më parë lanë auditorët dhe bankat e universiteteve, mbushën rrugët dhe sheshet e Tiranës, shndërruan 8 dhjetorin në ditën e tyre, ditën që ndan epokat, ditën që çeli dyert e mbyllura të lirisë për shqiptarët, shndërruan vitin ‘90 në vitin e mrekullive të mëdha të kombit shqiptar”, tha kreu i qeverisë.

Kryeministri së 21 vite më parë qytetarët bënë një betejë mes të mirës dhe të keqes. “21 vjet më parë, të rinjtë dhe të rejat e Tiranës, studentet dhe studentët, punonjës dhe qytetarë, intelektualët e kryeqytetit zhvilluan një betejë legjendare, një betejë të ngjashme me betejën midis Davidit dhe Goliasit që gjunjëzuan në një kohë të shkurtër diktaturën më të egër në Evropë, morën në dorë udhëheqjen e një lëvizje të paprecedentë në historinë tonë kombëtare, lëvizje e cila do të përcaktonte si objektivat më madhore, Shqipërinë e lirë evropiane, çështjen kombëtare si çështje të para, rrugën demokratike të zhvillimeve dhe shmangien e një konflikti vëllavrasës brenda vendit”, shtoi ai.

Kreu i qeverisë ka theksuar se vendi 21 vjet më pas është 21 vite drite larg asaj që ishte në dhjetorin e vitit ‘90. “Shqipëria sot është vend anëtar i NATO-s. Ëndrra evropiane e të rinjve të vendit më të izoluar të Evropës u bë realitet. Gjaku i atyre dhjetëra e dhjetëra në mos qindra të rinjve dhe të rejave që u ekzekutuan barbarisht në kufijtë e vendit në vitin ‘90 u bë dritë dhe sot shqiptarët lëvizin të lirë në mbarë Evropën”, tha Berisha.

a.k/NOA

KOMENTE