Bruksel, 8 dhjetor 2011 NOA/ Rid Bulku - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, gjatë qëndrimit në Bruksel, ka takuar Sekretaren e Shtetit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Hillary Clinton, raporton korrespondenti i agjencisë NOA.al.
Në takim është diskutuar për zhvillimet aktuale politike në Kosovë, për përkushtimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për implementimin e vlerave euro-atlantike dhe për tema tjera me interes të përbashkët.
Sekretarja e Shtetit, Clinton gjatë takimit i ka ritheksuar kryeministrit Thaçi mbështetjen e vazhdueshme të Qeverisë së SHBA-ve për Qeverinë e Kosovës në rrugën e saj për fuqizimin e sundimit të rendit dhe ligjit dhe të kushtetutshmërisë në tërë territorin e Kosovës.
Thaçi në takimin e sotëm që u mbajt në Bruksel e ka njoftuar Sekretaren Klinton për zhvillimet e fundit në Republikën e Kosovës, si dhe ka theksuar përkushtimin e Republikës së Kosovës në dialogun teknik në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë.
Gjatë dialogut teknik mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë, Qeveria e Republikës së Kosovës ka pasur një qasje me vlera euroatlantike, duke dëshmuar edhe njëherë se Kosova është një faktor i rëndësishëm i paqes dhe stabilitetit në rajon.
Kosova ka ndërtuar marrëdhënie të mira fqinjësore me të gjithë fqinjët, duke përfshirë Shqipërinë, Maqedoninë, Malin e Zi dhe gjithashtu kemi dëshmuar vullnetin e mirë për përmirësimin e marrëdhënieve fqinjësore me Serbinë, si dy shtete të pavarura – theksoi kryeministri Thaçi.
Hashim Thaçi gjatë takimit me Sekretaren Amerikane të Shtetit, Clinton ka theksuar se Qeveria dhe institucionet e Republikës së Kosovës janë në proces të ndërmarrjes së reformave të thella ne fushën e legjislacionit të ndërlidhur me integrimet euroatlantike, me reformën elektorale, legjislacionit përkatës për sundimin e ligjit, qeverisjes së mire, si dhe të zhvillimit ekonomik.
Nga ana e saj, Sekretarja Amerikane e Shtetit, Hillary Clinton ka vlerësuar lartë rolin e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi dhe të Qeverisë së Republikës së Kosovës për të implementuar reformat institucionale në politikë, ekonomi dhe legjislacion.
Me theks të veçantë, Sekretarja e Shtetit, Clinton ka vlerësuar lartë përkushtimin e Qeverisë së Kosovës në dialogun teknik mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë, dhe ka shtuar se ky përkushtim dëshmon vizionin euroatlantik të institucioneve kosovare.
r.b/NOA