English

Dritëhijet e demokracisë shqiptare, sot, 21 vjet nga Lëvizja e Dhjetorit ’90

Tiranë, 8 dhjetor 2011, NOA – Sot Shqipëria kremton një tjetër Festë Kombëtare, atë që përkujton nisjen e Lëvizjes studentore të Dhjetorit të vitit 1990, lëvizje që solli përmbysjen e regjimit totalitar dhe lindjen e demokracisë, raporton agjencia e lajmeve NOA.al.

E njohur tashmë prej disa vitesh si “Dita Kombëtare e Rinisë”, por edhe e pluralizmit, 8 Dhjetori risjell në kujtesë rebelimin paqësor të një grupi studentësh shqiptarë, ndaj diktaturës, në emër të lirisë.

Me moton “E duam Shqipërinë si gjithë Evropa” qindra studentë në Tiranë, në natën e ftohtë të 8 dhjetorit 1990, do të ngriheshin kundër sistemit monist me dy kërkesa të ligjshme: “Liri dhe Demokraci”.

Studentët e shndërruan qytezën “Studenti” asohere në djepin e kthesës së madhe, ku qindra studentë dhe pedagogë në Universitetet e Tiranës, Akademisë së Arteve, si Gramoz Pashko, Aleksandër Meksi, Edi Rama, Sali Berisha, Neritan Ceka, Azem Hajdari, Genc Pollo, Eduard Selami, etj, u bënë 21 vite më parë nismëtarët e protestave paqësore, që sollën pak më vonë edhe rënien e sistemit monist dhe lindjen e pluralizmit dhe demokracisë.

Aspiratat e “Lëvizjes Studentore ‘90” ishin ngritja në vend e një sistemi vlerash evropiane, pluralizmi politik, integrimi në Evropë dhe mbi të gjitha arritja e demokracisë.

Por, nisur edhe nga faktet, Revolucioni demokratik në Shqipëri nuk ishte një revolucion i mirëfilltë që do të sillte ç’rrënjosjen e klasës së atëhershme politike në pushtet.

Ndarja nga pushteti diktatorial erdhi i butë, jo me gjakderdhje si në Rumani apo gjetkë.

Sipas shumë analistëve politikë është pikërisht kjo ndarje e butë nga një sistem diktatorial ndër më të egrit në Evropë, që ndikoi në tejzgjatjen e tranzicionit politik në Shqipëri dhe në të gjitha konfliktet që shumëkush do t’i quante të kota, dhe thjesht me sfond interesash politike.

Megjithatë historia është ende në hulumtim për këto vite dritëhijesh të kalimit të Shqipërisë nga një vend totalitar në një vend demokratik.

Dita e Rinisë Shqiptare, 8 Dhjetori, është shpallur nga Kuvendi i Shqipërisë si Dita Kombëtare e Rinisë, në kujtim të “Lëvizjes Studentore të vitit 1990”.

Sot në kryeqytet pritet të zhvillohen një sërë aktivitetesh në kujtim të përvjetorit të 21-të kësaj lëvizjeje, që solli pak ditë pas lindjes edhe themelimin e Partisë Demokratike dhe lindjen e pluralizmit në Shqipëri, pas afro pesëdhjetëvitesh diktaturë dhe izolim.

mit/NOA

KOMENTE
  • Ylber Zenuni11:40 - 08 Dhjetor 2011
    pak pas 8 dhjetorit erdhi diktatura e re moderne me corape ne koke