Prishtinë, 8 dhjetor 2011 NOA/ Rid Bulku – “Rezultatet që i kemi arritur me punë të mundimshme dhe sakrificë duhet t’i çojmë përpara. Kudo që kam shkuar, gjatë këtyre tetë muajve, në secilën pjesë të Kosovës, porosia e qytetarëve ka qenë e qartë dhe e zëshme”, ishte pohimi i bërë sot prej Presidentes së Republikës, Atifete Jahjaga, në Kuvendin e Kosovës, raporton agjencia shqiptare e lajmeve NOA.al
Më poshtë gjeni fjalimin e plotë Nga Atifete Jahjaga
Gjendemi në një moment kur vendi ynë kërkon angazhim të plotë nga të gjithë ne.
Nuk kemi kohë për të humbur.
Rezultatet që i kemi arritur me punë të mundimshme dhe sakrificë duhet t’i çojmë përpara.
Kudo që kam shkuar, gjatë këtyre tetë muajve, në secilën pjesë të Kosovës, porosia e qytetarëve ka qenë e qartë dhe e zëshme:
Ka ardhur koha për veprim..
Kemi pritur për mundësi të zhvillimit ekonomik për ne, dhe për fëmijët tanë. Kemi pritur për vendosjen e sigurisë në gjithë Kosovën. Kemi pritur për të zënë vend në mesin e familjes së kombeve të lira dhe të dinjitetshme të botës
Në këtë rrugë jemi të gjithë së bashku.
Ne po punojmë t’i ngjallim shpresat për ndërtimin e një Kosove më të përparuar dhe më stabile, me ekonomi të zhvilluar, me arsimim në të gjitha nivelet, sipas standardeve bashkëkohore, me sistem shëndetësor që respekton praktikat e avancuara të preventivës dhe të shërimit, me sistem të pensioneve dhe të sigurimeve që mundëson një jetë më të mirë dhe përkujdesje për më të moshuarit...
Po punojmë për ndërtimin e një vendi ku angazhimi, puna dhe dija kanë vlerë.
Një vendi, ku ëndrra e secilit qytetar, pavarësisht nga përkatësia etnike, racore e gjinore, do të bëhet realitet dhe ku mundësitë për secilin për të punuar, për t’u shkolluar, për të përparuar, për të marrë pjesë në jetën shoqërore dhe për të kontribuar, do të jenë të barabarta.
Ne të gjithë jemi pjesë e kësaj tërësie të Kosovës, dhe secili prej nesh bart përgjegjësinë dhe obligimet për të realizuar shpresat për një vend me të ardhme të sigurt.
Si Presidente e Republikës, dua që të ndaj me ju, deputetë dhe bashkëqytetarë, vizionin se si mund të ecim përpara.
Prandaj jam këtu sot.
Së pari, është e drejtë që të nderojmë sot dhe çdo herë, sakrificën e dëshmorëve, të cilët dhanë çdo gjë, që ne të jetojmë të lirë, dhe gjithashtu të respektojmë familjet e tyre, duke qenë krenarë për Kosovën e sotme, shtet sovran, i lirë dhe demokratik.
Jua kemi borxh familjarëve të të pagjeturve që të bëjmë çdo gjë që është e mundur që më të dashurit e tyre, të zhdukur gjatë luftës, të gjenden dhe t’u kthehen familjeve.
Duam që me punën dhe veprimet tona t’i bëjmë krenarë të gjithë qytetarët e Kosovës.
Të gjithë atyre që punojnë çdo ditë, në mënyra të ndryshme: mësuesve në shkolla, policëve në patrulla, mjekëve në spitale, shërbyesve civilë dhe pjesëtarëve të shoqërisë civile... kudo në secilin qytet e fshat të Kosovës – faleminderit për çdo gjë që bëni.
Kemi bërë mjaft, por duhet të vazhdojmë të bëjmë edhe më shumë në krijimin e imazhit më të mirë të vendit, për ta avancuar pozitën e Kosovës në skenën ndërkombëtare.
Kosova e ka bërë të qartë se perspektiva evropiane është domosdoshmëri për t’i bërë reformat e nevojshme politike, ekonomike dhe shoqërore.
Stabiliteti politik që e kemi vendosur, mundëson përmbylljen me sukses të fazës së pavarësisë së mbikëqyrur të vendit dhe bartjen e sovranitetit të plotë tek institucionet e Kosovës.
Republika e Kosovës shtet sovran dhe i pavarur është vullnet i shprehur lirshëm i popullit të Kosovës me përkrahjen e vazhdueshme të bashkësisë ndërkombëtare, të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të vendeve kryesore të Bashkimit Evropian.
Misioni paqeruajtës i NATO-s, KFOR-i në Kosovë, me punën e angazhimin e ushtarëve dhe të oficerëve, po kontribuon në ruajtjen e paqes dhe të stabilitetit dhe për këtë e gëzon respektin e të gjithë qytetarëve të vendit tim.
Pas shpalljes së pavarësisë së Republikës së Kosovës, me kërkesën e institucioneve tona, është vendosur misioni evropian për drejtësi dhe polici, EULEX, i cili së bashku me organet përkatëse të Kosovës po jep kontribut në luftimin e korrupsionit dhe të krimit të organizuar, në shqyrtimin e rasteve specifike si dhe për vendosjen e sundimit të ligjit, në gjithë territorin e shtetit të Kosovës.
Në muajt në vijim, Zyra Civile Ndërkombëtare do ta përfundojë misionin e saj të mbikëqyrjes së zbatimit të Planit Ahtisaari dhe ky shënon një sukses të përbashkët.
Kosova edhe në të ardhmen do të ketë një prani të kufizuar ndërkombëtare, veçanërisht ushtarake, për ngritjen e plotë të kapaciteteve të Forcës së Sigurisë së Kosovës, e cila po ndërtohet në përputhje me standardet e NATO-s dhe me synim pjesëmarrjen në Partneritet për Paqe, deri në anëtarësim në Aleancën Veri-Atlantike.
Duhet që të përmbushim plotësisht objektivin për pavarësi dhe sovranitet, të sigurojmë vendin në familjen e kombeve, që të trajtohemi si një partner i barabartë në Evropë dhe gjithandej në botë. Këtë do ta arrijmë në miqësi të përjetshme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në partneritet me vendet e Bashkimit Evropian.
Në takimet në Bruksel, me udhëheqësit e institucioneve të Bashkimit Evropian, ashtu si edhe të gjithë përfaqësuesit e tjerë të Kosovës, unë si Presidente e vendit kam kërkuar avancimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe BE-së në nivel kontraktual. Ky qartësim i rrugës evropiane të Kosovës është i domosdoshëm, jo vetëm në interes të Kosovës, por edhe të gjithë rajonit dhe të vet Bashkimit Evropian.
Hapja e rrugës për procesin e anëtarësimit të Kosovës në BE, bazuar në respektimin e parimeve të BE-së, të politikave të shteteve anëtare dhe të synimit tonë për integrim, është shtytje për thellimin e reformave gjithëpërfshirëse në vend.
Në Bruksel e ritheksova se ngecja në ndërtimin e marrëdhënieve ndërmjet BE-së dhe Kosovës e pengon rrugëtimin tonë të përbashkët dhe i rrezikon të arriturat tona. E mirëpres faktin se kësaj porosie i është kushtuar një vëmendje e posaçme dhe Bashkimi Evropian ka vendosur të veprojë në përputhje me interesat e përbashkëta.
Sa më shpejtë që të arrijmë marrëveshje tregtare me BE-në, do ta ndihmojmë zhvillimin ekonomik të vendit, do të forcojmë investimet e huaja, do të krijojmë perspektivë për biznesin kosovar dhe do të hapim vende të reja të punës.
Në Bruksel kam kërkuar nisjen e dialogut për liberalizim të vizave, që Kosova të gëzojë lirinë e lëvizjes për qytetarët e saj, si të gjithë qytetarët e Evropës.
Këtë kërkesë kam mundur ta bëj pasi që janë plotësuar kushtet dhe kriteret teknike për marrjen e udhërrëfyesit. Liberalizimi i vizave, përveç që nënkupton lëvizje të lirë, përfshin edhe një numër obligimesh dhe përgjegjësish të të gjithë neve, qytetarë të Republikës së Kosovës.
Në janar të vitit 2012 do të mbaj takimin e parë të Këshillit Kombëtar për Integrim Evropian, forum ky pranë Presidentes, që synon ndërtimin e konsensusit shoqëror dhe koordinimin për procesin e integrimit evropian të vendit. Këshilli Kombëtar për Integrim Evropian është gjithëpërfshirës, me përfaqësim të gjitha segmenteve të shoqërisë: të institucioneve, partive politike dhe shoqërisë civile.
Së bashku do të përshpejtojmë zbatimin e reformave që rrjedhin nga Partneriteti Evropian që krahas të arriturave ka evidentuar një numër sfidash që duhet adresuar konkretisht.
Republika e Kosovës, shtet sovran dhe i pavarur, e ka perspektivën e qartë evropiane. Ne nuk shohim rrugë tjetër. Ky përkushtim është dëshmuar në të gjitha proceset e deritashme, duke e përfshirë edhe dialogun me Republikën e Serbisë, që po zhvillohet me lehtësimin dhe ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.
Ky dialog filloi me miratimin e Rezolutës së Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, pas mendimit pozitiv të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për pavarësinë e Kosovës.
Dialogu me Republikën e Serbisë paraqet rrugën e vetme dhe mënyrën më të mirë për të normalizuar marrëdhëniet mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, si dy shtete të pavarura dhe sovrane.
Fqinjësia e mirë është një prej kushteve themelore për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe përkrahja për dialogun është bërë mbi parimin se zgjidhjet që dalin nga ai duhet të jenë zgjidhje evropiane. Këto zgjidhje duhet të bazohen në praktikat më të mira të shteteve të BE-së, pa të cilat nuk mund ta fillojmë dhe as ta përmbyllim procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Ne nuk duhet t’i shmangemi dialogut. Parimet themelore të shtetësisë sonë dhe të subjektivitetit nuk mund dhe nuk do të jenë pjesë e asnjë diskutimi me askënd, e aq më pak me Republikën e Serbisë. Dialogu transparent dhe me llogaridhënie përpara qytetarëve tanë, do të jetë garant i suksesit të këtij procesi, dhe e siguron përkrahjen e plotë të qytetarëve. Secila marrëveshje e arritur mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë duhet të garantohet fuqishëm nga Bashkimi Evropian, dhe asnjë marrëveshje nuk duhet dhe nuk mund të shërbejë për përfitime vetëm të njërës palë.
Marrëveshjet do të jenë në përputhje me interesat e vendit, me interesat e qytetarëve të Kosovës dhe me synimin e vizionin tonë për një të ardhme në BE.
Të nderuar deputetë,
Pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme. Integriteti dhe sovraniteti territorial i vendit është i paprekshëm. Kosova ka subjektivitetin e saj ndërkombëtar, është e pranuar nga 85 vende të botës në tërësinë e saj të plotë tokësore, në kufijtë e saj ekzistues. Këtë e kemi arritur me angazhimin e të gjithë neve, të qeverisë së Republikës së Kosovës, Kuvendit të Republikës së Kosovës, angazhimit të shoqërisë civile, të miqve tanë ndërkombëtarë dhe të shteteve që tashmë na kanë njohur.
Pavarësia, shtetndërtimi, sovraniteti, subjektiviteti dhe tërësia tokësore e Kosovës janë të panegociueshme. Ky është proces i përmbyllur. Për këtë jemi zotuar dhe kemi marrë mbështetjen e plotë të faktorit ndërkombëtar.
Zonja dhe zotërinj,
I bëjmë thirrje udhëheqjes së Republikës së Serbisë, që të heqë dorë nga pretendimet territoriale dhe që të ndërpresë përkrahjen për strukturat ilegale, kriminale, në tri komunat në veri të Kosovës, të cilat po e mbajnë peng të ardhmen dhe përparimin e qytetarëve.
Periudha e luftërave dhe e hegjemonisë në Ballkan ka përfunduar. Në Kosovë jemi të përkushtuar për të ndërtuar një të ardhme të sigurt për qytetarët tanë, pa dallim etnie dhe pa urrejtje.
Ne jemi të vendosur që ta normalizojmë gjendjen në komunat në veri të Kosovës, që e konsiderojmë si çështje të sundimit të ligjit. E kam bërë të qartë se zbatimi i Planit Ahtisaari nuk ka alternativë dhe ai nuk mund të modifikohet. Të drejtat për komunitetin serb, të parapara me këtë Plan dhe me Kushtetutën e Kosovës, janë një garanci e fuqishme për të ardhmen e popullatës serbe si pjesë e pandashme e shoqërisë së Kosovës.
Përshëndes fillimin e heqjes së barrikadave si shprehje e vullnetit të qytetarëve që çështjet t’i zgjidhin jo në rrugë, por në institucione, duke mënjanuar të gjitha pengesat për lëvizjen e lirë të njerëzve dhe mallrave. E kuptoj plotësisht që qytetarët serbë të këtyre komunave duan një jetë të qetë, të dinjitetshme, larg barrikadave dhe pa frikë për të ardhmen e tyre.
Integrimi i popullsisë serbe i tri komunave në veri të vendit është rruga e ndërtimit të një të ardhmeje të përbashkët, të dinjitetshme dhe të sigurt. Popullata serbe në këtë pjesë të vendit duhet të marrë përgjegjësitë dhe obligimet e veta për të qenë pjesë e shoqërisë, duke e konsideruar Kosovën si atdheun e vet.
Ne kemi hapur derën e integrimit dhe do ta mbajmë të hapur atë për të gjithë. Integrimi bazohet në pjesëmarrjen aktive në ndërtimin e shoqërisë demokratike gjithëpërfshirëse dhe prosperuese, që respekton ligjet dhe Kushtetutën e vendit.
Krijimi i kushteve për sundimin e ligjit, për zhvillim ekonomik dhe për demokratizim do të normalizonte gjendjen në tri komunat veriore. Sundimi i ligjit dhe siguria do të ndërtohet në partneritet me bashkësinë ndërkombëtare dhe me qytetarët serbë, të cilët duhet të jetojnë në ambient të sigurt, me qasje në drejtësi përmes gjykatave funksionale, me rend e qetësi të garantuar nga policia e Kosovës.
Një plan konkret për zhvillim ekonomik për komunat në veri të Kosovës do ta përfshijë Mitrovicën e Jugut, dhe ky plan do të jetë në shërbim të përafrimit të qytetarëve.
Institucionet e Kosovës, në zbatimin e ligjshmërisë, duke respektuar të drejtat dhe liritë e qytetarëve serbë në Leposaviq, Zveçan, Zubin Potok dhe Mitrovicë të veriut do të organizojnë, në kohën më të përshtatshme, zgjedhjet e lira dhe demokratike, për të zgjedhur përfaqësuesit legjitimë dhe legalë të qytetarëve të këtyre komunave.
Në javët në vijim unë do të vizitoj vendbanime në pjesë të ndryshme të Kosovës, përfshirë edhe komunat e krijuara në procesin e decentralizimit. Do të dëgjoj mendimet, propozimet dhe kërkesat e qytetarëve që t’i përmbushim ato.
Nga kjo foltore ju drejtohem qytetarëve serbë të Republikës së Kosovës:
Ju jeni qytetarë të barabartë me liri dhe të drejta të garantuara, në bazë të Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës. Kosova është atdhe i të gjithëve dhe ju si qytetarë të nacionalitetit serb do t’i realizoni të gjitha të drejtat kombëtare, fetare, arsimore dhe kulturore. Për këtë e keni të gjithë mbështetjen time dhe të institucioneve të Kosovës.
Dragi moji sugradjani,
Sada je najbolje vreme, da svi mi, budemo zajedno na putu evropskih integracija. To je naša buducnost, i na ovom putu moramo pomagati jedni druge. Kosovo je nasa zajednicka kuca.
Të nderuar deputetë,
Të nderuar qytetarë të Kosovës,
Kosova është shtet i ndërtuar në parimin qytetar, që respekton vlerat civilizuese. Në Kosovë, krahas shqiptarëve, jetojnë edhe komunitetet e tjera; turqit, boshnjakët, goranët, romët, ashkalinjtë, egjiptianët, kroatët, malazezët e të tjerët, që janë qytetarë që i gëzojnë të gjitha të drejtat dhe liritë, duke pranuar dhe respektuar pavarësinë e Kosovës. Kontributi i këtyre komuniteteve në nivel lokal dhe qendror, në shtetndërtim, në proceset demokratike, në zhvillimin ekonomik dhe të përgjithshëm, si dhe në të gjitha proceset e tjera, është i jashtëzakonshëm.
Synim i përbashkët yni është ndërtimi i shtetit ligjor. Ngritja e institucioneve demokratike në shërbim të qytetarit e shton besimin në institucione dhe në parimin e sundimit të ligjit.
Policia e Kosovës është një shembull i mirë i këtij angazhimi. Pjesëtarët e saj janë të shkolluar dhe të trajnuar me praktikat më të mira të SHBA-së dhe të Bashkimit Evropian dhe që i kryejnë detyrat me përgjegjësi dhe përkushtim.
Do të garantojmë përfundimin e reformave të sistemit zgjedhor, sanksionimin dhe dënimin adekuat të shkelësve të procesit zgjedhor që deformuan këtë proces.
Demokracia në Kosovë nuk mund të jetë peng i mungesës së vullnetit tonë për të luftuar dukuritë negative në institucione dhe shoqëri. Deklarimi ynë për “zero tolerancë” ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar do të jetësohet. Institucionet e Kosovës dhe ju ligjvënës keni krijuar një kornizë legjislative dhe keni miratuar ligje të cilat ndihmojnë luftimin e këtyre dukurive. Tani, neve na duhet një front i përbashkët në luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Korrupsioni dhe krimi i organizuar po e pengojnë zhvillimin e shoqërisë sonë, duke larguar investitorët e huaj dhe duke e dëmtuar bazën e zhvillimit ekonomik. Këto dukuri po e pengojnë konkurrencën e lirë në treg, po e ngulfatin iniciativën ndërmarrëse. Ato e zbehin perspektivën e punësimit të të rinjve, e nxisin largimin e tyre nga Kosova, duke e nxjerrë jashtë trurin e këtij vendi dhe duke shterë kreativitetin e inovacionin.
Tagri i korrupsionit është faturë e shtrenjtë, të cilën po e paguajnë qytetarët tanë.
Korrupsioni dhe krimi i organizuar janë pengesë në integrimin e Kosovës në Evropë.
Vetëm suksesi në luftën kundër këtyre dukurive negative do të mundësojë rikthimin e besimit të qytetarëve dhe zhvillimin më të hovshëm të vendit. Do të ndikojë pozitivisht në procesin e njohjeve të reja për Kosovën dhe ndryshimin e perceptimit për vendin tonë.
Kjo është arsyeja pse nesër do të udhëtojë për vizitë zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Atje do të takohem me Sekretaren amerikane të Shtetit, Kryeprokurorin amerikan, Drejtorin e FBI-së, gjithashtu edhe me udhëheqësit e Pentagonit. Në këto takime do t’i njoftoj ata me hapat e ndërmarrë në luftimin kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe do të kërkoj nga ta përkrahje dhe asistencë në përditësimin e veprimeve që suksesi në këtë luftë të jetë i garantuar.
Pas kthimit në Kosovë do të themeloj Këshillin Anti-Korrupsion, të cilin do ta udhëheq në bazë të kompetencave të mia kushtetuese dhe ligjore. Ky mekanizëm institucional do të koordinojë veprimet dhe do të përcaktojë politikat për çrrënjosjen e korrupsionit dhe krimit të organizuar në Kosovë.
Lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar duhet të fitohet!
Si Presidente e vendit, duke respektuar parimin e ndarjes së pushteteve, kam trajtuar me respekt krijimin e një gjyqësori të pavarur dhe të përgjegjshëm.
Në emërimet e gjyqtarëve dhe prokurorëve kam garantuar mosndërhyrjen politike në proces. Kam respektuar me përpikëri përfaqësimin etnik dhe gjinor duke ruajtur parimin profesional.
Unë ofroj përkrahje për pavarësinë e plotë të organeve të drejtësisë.
Të nderuar deputetë,
Vendi ynë është përcaktuar për ekonomi të tregut dhe për ofrimin e shanseve të barabarta për të gjithë investitorët. Transformimi i pronës dhe definimi i të drejtave pronësore janë komponentë qenësore të reformave strukturore ekonomike. Transparenca dhe ndershmëria në këto procese janë parakusht për kredibilitetin e institucioneve dhe rritjen e besimit te investitorët.
Kosova ka shënuar progres të rëndësishëm në ndërtimin e një ekonomie sovrane, duke krijuar institucionet kryesore ekonomike dhe shoqërore. Përkundër vështirësive të shkaktuara nga kriza ekonomike, Kosova ka stabilitet makrofinanciar.
Pres që Buxheti për vitin 2012 të reflektojë vizionin afatgjatë ekonomik të Kosovës dhe në planet afatmesme të zhvillimit ekonomik. Qëndrueshmëria dhe disiplina fiskale janë një parakusht i rëndësishëm i stabilitetit makroekonomik të vendit.
Këtë vit vendi ynë ka vazhduar të ketë rritje ekonomike dhe parashikohet ta mbajë këtë trend edhe vitin e ardhshëm.
Sidoqoftë, kjo rritje nuk do të jetë e mjaftueshme për një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik dhe për absorbimin e numrit të madh të të rinjve që për çdo vit i shtohet tregut të punës.
Prodhimtaria vendore ndonëse ka shënuar rritje të ndjeshme, nuk është e mjaftueshme për të përmbushur nevojat e Kosovës. Prodhuesit tanë duhet të përkrahen dhe politikat fiskale duhet të avancohen në shërbim të biznesit në mënyrë që produktet e Kosovës të rrisin cilësinë dhe të jenë konkurrente në treg.
Vendi ynë duhet të rrisë prodhimtarinë për eksport dhe të zvogëlojë varshmërinë ndaj produkteve të huaja. Patriotizmi ekonomik dhe blerja e produkteve vendore në këto momente është e dobishme për rritjen ekonomike.
Me një angazhim të përgjegjshëm dhe të përbashkët ne mund ta bëjmë Kosovën vend lider për tërheqjen e kapitalit të huaj. Me një potencial njerëzor dhe me një sistem taksash të favorshme për biznesin, vendi ynë ofron mundësi të mirë për bizneset e huaja.
Kosova ka një diasporë të fuqishme në vende të BE dhe SHBA, urë lidhëse mes vendit tonë dhe shteteve në të cilat ata janë qytetarë lojal. Ne e vlerësojmë lartë kontributin e jashtëzakonshëm të diasporës gjatë gjithë këtyre viteve për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. E përkrahim kthimin e bashkatdhetarëve në atdhe për investime në ndërtimin e vendit dhe pjesëmarrje në jetën politike dhe shoqërore.
Të nderuar deputetë,
Të mos ketë askush dyshim, përkundër debateve politike mes nesh: Ne jemi të bashkuar në veprim për forcimin e shtetit tonë të ri, të gatshëm për të mbrojtur të arriturat tona dhe për të bërë çdo sakrificë për avancimin e lirive dhe të drejtave të qytetarëve tanë, që të jetojnë në paqe dhe prosperitet.
Unë sot nuk mund t’ju them se rruga që kemi përpara është e lehtë. Por, ju premtoj se do të vazhdoj të takohem dhe të dëgjoj të gjithë qytetarët e Kosovës, nga të gjitha komunitetet, që si Presidente e vendit të përfaqësoj vullnetin e tyre.
Unë do ta mbështes punën e Kuvendit. Zotohem që të punoj çdo ditë për të zbatuar Kushtetutshmërinë, të forcoj sundimin e ligjit, të bashkoj vendin dhe të përmirësoj pozitën tonë në botë.
Të nderuar deputetë të Kuvendit, bashkëqytetarë të mi, sfidat para nesh janë të mëdha, por vullneti ynë për të pasur sukses është më i madh.
Vlerat që na bashkojnë janë më të mëdha se gjërat që na ndajnë. Le të jemi të bashkuar në kohën kur po e ndërtojmë Kosovën, një vend të ëndrrave të të parëve tanë dhe të shpresave e aspiratave të fëmijëve tanë.