Marsejë, 8 dhjetor 2011, NOA- Ministri i Jashtëm Italian, Franco Frattini komenton situatën në vendin tonë, duke thënë se Shqipëria ka bërë një progres të dukshëm në realizimin e reformave dhe në zbatimin e atyre reformave që ka premtuar të realizojë.
Siç informon agjencia e lajmeve NOA.al, në komentin e tij për vendin tonë Frattini thotë se, “Mendoj se e rëndësishme këtej e tutje është vazhdimi i zbatimit të planit të reformave. Mendoj se Shqipëria meriton besimin e Bashkimit Europian. Edhe më herët kam theksuar se sa e rëndësishme është për Shqipërinë bashkëpunimi politik mes grupeve kryesore politike, të cilat ndihmojnë që të funksionojë dhe parlamenti dhe kjo është gjëja e duhur që do të ndihmojë Shqipërinë në integrimin europian”.
Në vijim ai u bën thirrje forcave politike që të bashkëpunojnë me njëra tjetrën pasi sipas tij, bashkëpunimi do t’u sjellë edhe suksesin e integrimit dhe duhet të kihet parasysh se integrimi është në interesin e të gjitha palëve.
Ndër të tjera Frattini, jep edhe mbështetjen e vendit të tij në rrugën e integrimit duke thënë se, “Italia është një mbështetëse e plotë e integrimit të Shqipërisë, ne po presim raportin përfundimtar por Shqipëria e meriton që të jetë sa më shpejt një anëtare e BE me të drejta të plota”.
Deklarata e Frattinit u lëshua në kuadër të punimeve të Partive Popullore Evropiane në Francë, ku prej dy ditësh është i pranishëm edhe Kryeministri shqiptar Sali Berisha.
a.y/NOA