Tiranë, 8 Dhjetor 2011 NOA - Kabineti i kryetarit të Partisë Socialiste bën një gafë që mund të shënohet si incident politik dhe më së paku injorancë në dijet për zhvillimet rajonale e për më tepër në shtetin e dytë shqiptar, Kosovë.
Gafa vjen nga kampi opozitar, dhe lidhet me vizitën që kreu socialist Edi Rama zhvilloi në Kosovë, vizitë që ishte përgatitur prej disa javësh nga kabineti i tij, raporton agjencia e lajmeve NOA.al.
Përmes një letre zyrtare dërguar zyrës së Partisë Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, nënshkruar nga Belinda Balluku, në cilësinë e Shefe e Kabinetit të Kryetarit - Partia Socialiste e Shqipërisë, kërkohet takim në Prishtinë me Ramush Haradinajn, kreun e AAK, i cili siç dihet botërisht ndodhet në nurg me vendim të Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës, nën akuza dhe dyshime se ëhstë i përfshirë në krime lufte, akuza që z.Haradinaj nuk i ka pranuar.
Në letrën që mban datën 21 nëntor të këtij viti, lënda mbante emërtesën: “Kërkesë për takim me Kryetarin e Aleancës per Ardhmërinë e Kosovës , Zotin Ramush Haradinaj”.
Mes të tjerash në letër thuhej se “Kryetari i Partisë Socialiste të Shqipërisë, zoti Edi Rama, do të zhvillojë një vizitë pune në Kosovë, më datë 28 nëntor 2011” dhe më tej vjen gafa e papërgjegjshme: “Në kuadër të kësaj vizite, Kryetari i PSSH-së dëshiron të ketë një takim me Kryetarin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës , Z. Ramush Haradinaj. Duke shpresuar në një përgjigje sa më të shpejtë nga ana juaj, përfitoj nga rasti t’ju shpreh sigurimet e konsideratës sime të lartë”.
Nuk ka ndonjë konfirmim zyrtar se cila ka qenë përgjigjja e marrësit të letrës, Burim Ramadani, të cilit dhe i drejtohej kërkesa për të siguruar takimin.
Por sigurisht që ai takim nuk u zhvillua kurrë gjatë vizitës së z.Rama në Kosovë, sepse Ramush Haradinaj gjendet prej disa muajsh në Hagë. Kurse kabineti i z.Rama, mesa duket nuk e dinte se z..Haradinaj prej kohësh nuk ndodhet në tokën amtare.
Sakaq, Gjykata Ndërkombëtare për Krime Luftë në ish-Jugosllavi ka nisur rigjykimin e pjesshëm të ish-kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj dhe dy të akuzuarve të tjerë Lah Brahimaj e Idriz Balaj.
Rigjykimi i pjesshëm i ish-komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për zonën e Dukagjinit dhe dy ish-pjesëtarëve të tjerë të UÇK-së pason një vendim të Tribunalit të Hagës të lëshuar në korrik të vitit të kaluar.
Me vendimin në fjalë kërkohej rigjykimi i pjesshëm për shkak të kërkesës së Prokurorisë për pranimin e transkripteve të dëshmive me shkrim të 14 dëshmitarëve në vend të dëshmive gojore.
Më 3 prill të 2008-ës, procesi gjyqësor ndaj Haradinajt pati rezultuar me heqjen e të gjitha akuzave ndaj tij.
Padia e Tribunalit të Hagës e lëshuar më 2005 me akuzat për vrasje dhe torturimin e civilëve gjatë periudhës 1 mars- 31 shtator të vitit 1998 në Kosovë, bëri që Haradinaj të jepte dorëheqje me datën 8 mars nga posti i kryeministrit.
Ndaj vendimit të Tribunalit të Hagës për rigjykim pati reaguar edhe qeveria e Kosovës përmes një komunikate për media, duke shprehur keqardhje për vendimin, por njëkohësisht duke shprehur bindjen në pafajësinë e zotit Haradinaj.
Në fund të muajit maj të këtij viti, edhe Kuvendi i Kosovës, i pati bërë thirrje Tribunalit të Hagës ta përshpejtojë rigjykimin e pjesshëm, duke vlerësuar se “drejtësia e vonuar është drejtësi e mohuar”. Aktvendimi përfundimtar në këtë proces të rinisur në Hagë mund të zgjasë disa muaj.
e.t/NOA
Lexoni gjithashtu:
Lapsusi i Berishës: 21 vjet më parë, ishte 8 dhjetori ‘90
Fratini: Është e tmerrshme, si Edi Rama punon kundër Shqipërisë
Berisha në PPE: Rama dështoi, shpëtoi veten me statut Rama: Ka ardhur koha që demokracia të fitojë për njerëzit Integrimi në BE dhe bashkëpunimi pozitë-opozitë, dërgata e Brukselit në Tiranë Dritëhijet e demokracisë shqiptare, sot, 21 vjet nga Lëvizja e Dhjetorit ’90 Rama nga Berati: Berisha nuk përdor mjete normale për të mbajtur pushtetin Shpërthen kryetari i PPE: Edi Rama ndoshta është pak i sëmurë mendor Rama kritikon kreun e OSBE: Jo bojkoti, por vjedhja e zgjedhjeve i kushtoi vendit 2 vjet Presidenti “kërcënon” gazetarin: Po i hiqni vetes të drejtën për intervistë tjetër I treti i vërteti? Pse Leka Zogu II ka më shumë shanse të bëhet Mbret i Shqiptarëve Kriza, Italia do ndërpresë kuotat zyrtare të emigracionit për Shqipërinë