Bruksel, 8 dhjetor 2011, NOA- Ministri i Jashtëm, Edmond Haxhinasto mori pjesë në Ministerialin 2-ditor të NATO-s në Bruksel.
Në këtë takim, ministrat e Jashtëm të vendeve anëtare diskutuan për operacionet e NATO-s nëpër botë, duke u fokusuar veçanërisht te operacionet e KFOR-it në Kosovë.
Në fjalën e mbajtur me këtë rast Haxhinasto rikonfirmoi mbështetjen e vendit tonë për KFOR-in, duke dënuar aktet e fundit të dhunës kundër kësaj force paqeruajtëse dhe theksoi se KFOR po vepron në Kosovë sipas mandatit të tij.
Ai përshëndeti gjithashtu edhe marrëveshjen për menaxhimin e integruar të kufijve, të arritur midis Kosovës dhe Serbisë, gjatë negociatave të fundit në kuadër të dialogut, të ndërmjetësuar nga BE. Ne, u shpreh ai, e kemi mbështetur dialogun, prej fillimit të tij, duke qenë të bindur se ofron zgjidhje të qëndrueshme rreth çështjeve praktike, të lidhura me përmirësimin e kushteve të jetesës të qytetarëve të Kosovës.
Ai hodhi poshtë çdo ide për ndarje ose shkëmbim territoresh, duke i konsideruar ide të tilla si burim destabilizimi, jo vetëm për Kosovën, por edhe për rajonin.
Ministri Haxhinasto nënvizoi se zbatimi i paketës së Presidentit Ahtisari, e cila po pengohet nga strukturat ilegale serbe, është parakusht për një Kosovë të integruar.
Sipas tij, shuarja e strukturave paralele ilegale, të mbështetura nga Beogradi, është e domosdoshme për të patur stabilitet afatgjatë në Kosovë.
Gjatë Ministerialit të NATO-s, zv.Kryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme mori pjesë edhe në takimin e Ministrave të Jashtëm të Këshillit NATO-Rusi, të mbajtur më 8 dhjetor.
a.y/NOA