English

Integrimi në BE dhe bashkëpunimi pozitë-opozitë, dërgata e Brukselit në Tiranë

Tiranë, 8 dhjetor 2011, NOA/ Irma Toptani – Afro dy javë pas takimit në Bruksel, mes Komisionerit për Zgjerimin Stefan Fule dhe kreut të opozitës Edi Rama, Brukseli ka nisur në Tiranë dërgatën e parë të eurodeputetëve, që do të shohin nga afër progresin e bërë nga të dyja palët në kuadër të reformës parlamentare dhe bashkëpunimit për 12 kriteret e BE-së, raporton agjencia e lajmeve NOA.al.

E kur pas humbjes së shansit këtë vit, politika shqiptare aspiron të marrë statusin e vendit kandidat vitin e ardhshëm, një aspiratë që vjen e bëhet edhe më e ethshme pas arritjes së kompromisit të shumëpritur mes mazhorancës dhe opozitës, eurodeputetët vijnë në Tiranë në kuadër edhe të takimit të katërt ndërparlamentar për Stabilizim-Asociimin mes Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian.

Eurodeputetët kryesohen nga shefi për Evropën Juglindore në KE-së Eduard Kukan, kryetar i EPP-së në Sllovaki; Viktor Boshtinaru nënkryetar i Socialdemokratëve në Rumani; eurodeputetja sllovene Tanja Fajon; eurodeputeti bullgar Stanimir Ilchev; eurodeputeti italian Antonio Caancia dhe eurodeputeti grek Michail Tremopoulos.

Delegacioni i eurodeputetëve do të takohet fillimisht me zëvendëskryeministrin dhe Ministrin e Punëve të Jashtme Edmond Haxhinasto, mandej me Presidentin e Republikës Bamir Topi, Kryetaren e Parlamentit Jozefina Topalli, me Kryetarin e Partisë Socialiste Edi Rama dhe me ministrin e Drejtësisë Eduart Halimi.

Lajtmotiv i diskutimeve mes delegacionit evropian dhe krerëve të politikës dhe drejtësisë do të jenë qëndrimi i Shqipërisë mbi marrëdhëniet me Bashkimin Evropian si dhe ecuria e mëtejshme e reformave në parlamentin shqiptar, që lidhen para së gjithash me përmbushjen e 12 rekomandimeve të Komisionit Evropian të dhëna për Shqipërinë në emër të kërkesës për integrimin në familjen evropiane.

Delegacioni do të ulë në një tryezë të përbashkët përfaqësuesit e mazhorancës dhe opozitës, ku pritet të kërkohet edhe nënshkrimi i një rezolute të përbashkët, e cila nuk u nënshkrua as në takimin e parafundit, në pranverë, ku si mazhoranca dhe opozita nuk ranë dakord për zhbllokimin e ngërçit politik.

mit/NOA

KOMENTE