English

Kukan: Sinjale pozitive për integrimin

Tiranë, 8 dhjetor 2011, NOA- Kryeparlamentarja Jozefina Topalli priti në takim delegacionin e Parlamentit Europian, të kryesuar nga Eduard Kukan.

Në fjalën e mbajtur me këtë rast Kukan u shpreh se, “Jemi shumë të lumtur që po vijnë lajme shumë pozitive nga Shqipëria. Arritja e marrëveshjeve dhe votimi i tre ligjeve me 3/5 janë hapa inkurajues dhe konkrete. Shpresojmë të vijohet në këtë klimë, në përmbushje të aspiratës integruese”.

Më tej ai theksoi se Parlamenti Europian mirëpret marrëveshjet e arritura mes partive politike dhe më tepër që këto marrëveshje u arritën në Parlament.

Nga ana e saj Topalli informoi se janë miratuar 3 kode që kërkojnë 3/5-at si dhe është ngritur komisionin për reformën zgjedhore, ashtu si edhe grupin e punës për Rregullore, bazuar në rregulloren e Parlamentit Europian, me konsensusin e të gjitha palëve.

Kryetarja e Kuvendit tha se mazhoranca e ka autorizuar të mbështesë draft opinionin e përbashkët të OSBE- ODIHR dhe Komisioni i Venecias mbi ligjin elektoral dhe praktikat elektorale.

Jozefina Topalli konfirmoi se do të marrë pjesë personalisht në seancën plenare për këtë çështje në Komisionin e Venecias dhe do të mbështesë këtë draft opinion të përbashkët të këtyre dy institucioneve.

Delegacioni i Parlamentit Europian ndodhet në Shqipëri për takimin e radhës BE-Shqipëri, të Komitetit Parlamentar për Stabilizim-Asociimin.

a.y/NOA

KOMENTE