Tiranë, 8 dhjetor 2011, NOA- Atentati i cili kishte për pre të tij nëndrejtorin e Policisë së Tiranës Dorian Muça, është vënë nën hetim intensiv.
Burime zyrtare nga policia thanë për agjencinë e lajmeve NOA.al se, menjëherë për të hedhur dritë mbi atentatin ndaj numrit dy të policisë së kryeqytetit është ngritur një grup i posaçëm hetimor nën drejtimin e Prokurorisë së Krimeve të Rënda.
Në një komunikatë zyrtare të bluve të Tiranës thuhet se po punohet intensivisht nga ekspertët më të mirë xhenier, të luftës kundër Akteve Terroriste, Specialistë të hetimit të krimit, të cilët duke bashkëpunuar ngushtë me Prokurorinë e Krimeve të Rënda, aktualisht po kryejnë veprimet hetimore dhe proceduriale.
Në vijim të detajeve thuhet se nga shpërthimi me lëndë ekplozive nuk ka pasur të dëmtuar përveçse dëmeve materiale.
Sqarohet se në mënyrë intensive po hetohet dhe punohet për të sqaruar motivet dhe identifikuar e kapur autorët, ndërkohë që aktualisht janë shoqëruar dhe po pyeten në lidhje me ngjarjen disa persona.
Në orët e para të mëngjesit të sotëm rreth orës 02.40’, në kryqëzimin e rrugëve “Ndre Mjeda“ me rrugën “Frosina Plaku’ në Tiranë, në katin e shtatë, ndodhi edhe shpërthimi i eksplozivit, në derën e banesës së nëndrejtorit të policisë së Tiranës, Dorian Muça i cili menjëherë u komentua si atentat për shkak të detyrës.
Nga ana e policisë shprehet gatishmëria maksimale për zbardhjen e krimit dhe ndëshkimin e autorëve.
a.y/NOA