English

Tifozë, gazetarë dhe patriotë, ndeshje bamirësie për fëmijët jetimë

Tiranë, 8 dhjetor 2011, NOA- Klubi i Patriotëve të Rinj u sensibilizua me ndeshjen për bamirësi të Tifozave Kuqezi dhe Qendrës Mediatike Kurajo të përbërë nga gazetarë, të ardhurat e së cilës do të shkojnë në favor të shtëpisë së fëmijës “Zyber Hallulli”.

Siç informon agjencia e lajmeve NOA.al, më shumë se 200 anëtarë të KPR-së do të marrin pjesë në këtë ndeshje, duke kontribuuar me një shumë të konsiderueshme për ringritjen e shtëpisë së fëmijës.

Klubi i Patriotëve të Rinj njofton se solidarizohet me thirrjen humane në favor të shtëpisë së fëmijës “Ζyber Hallulli”.

“Ne mbështesin nismën e Tifozave Kuqezi dhe Qendrës Mediatike Kurajo, e cila është një nismë solidare dhe humane dhe rreth 250 anëtarë të Klubit të Patriotëve të Rinj do të marrin pjesë në këtë ndeshje bamirësie. Në kuadër të Ditës së Rinisë, 8 dhjetorit, gjej rastin të ftoj të gjithë të rinjtë që të jenë pjesë e këtij aktiviteti”, u shpreh koordinatori i Klubit të Patriotëve të Rinj, Florian Tahiri.

Përfaqësuesi i Qendrës Mediatike Kurajo, Hamza Hatika pasi përshëndeti KPR-në për solidarizimin me këtë aktivitet theksoi se duhet t’u vijmë në ndihmë të gjithë personave në nevojë. “Nëse nuk mund të bëjmë shumë, të paktën t’u japim një vend dinjitoz strehimi këtyre fëmijëve”, deklaroi Hatika.

Shtëpia e fëmijës “Zyber Hallulli” ndodhet në rikonstruksion dhe fëmijët që strehohen në këtë shtëpi janë zhvendosur në një ndërtesë tjetër në kryeqytet. Puna për rikonstruktimin e kësaj shtëpie do të fuqizohet nga ndihma e dhënë nga shoqëria civile, nëpërmjet ndeshjes për qëllim bamirësie të Tifozave Kuqezi dhe Qendrës Mediatike Kurajo, që do të zhvillohet më 9 dhjetor në orën 14:00 dhe të mbështetur nga Klubi i Patriotëve të Rinj.

a.y/NOA

KOMENTE