Tiranë, 8 dhjetor 2011, NOA- Presidenti Bamir Topi priti sot në takim Delegacionin e deputetëve të Parlamentit Europian, të kryesuar nga Kryetari i Delegacionit për Marrëdhëniet me Europën Juglindore, Eduard Kukan.
Kreu i Shtetit shprehu mirënjohjen për vëmendjen e veçantë dhe asistencën e plotë që Bashkimi Europian, përmes përfaqësuesve dhe strukturave të tij i jep Shqipërisë, “Ne e konsiderojmë procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian, si një proces të bazuar tërësisht në performancë dhe meritë, i cili nëpërmjet realizimit të reformave është në interesin më të mirë të qytetarëve shqiptarë”.
Presidenti Topi vlerësoi se “pas dy vjetësh ngërçi politik, perspektiva europiane ka treguar se është një mjet bashkimi dhe tejet i rëndësishëm për ndërtimin e konsensusit ndërmjet klasës politike në vend”.
Sipas tij, ngritja e komisionit “ad hoc” për Reformën Zgjedhore dhe Grupit të Punës për rishikimin e rregullave të Kuvendit, si dhe votimi në komisionet parlamentare të disa kodeve që kërkojnë shumicë të cilësuar, shënojnë zhvillime pozitive që i hapin rrugën zbatimit të 12 përparësive të Komisionit Evropian.
Ai theksoi faktin se Raporti i Progresit i Komisionit Europian është kthyer në një program pune për institucionet shqiptare, për të avancuar më tej axhendën europiane.
Nga ana e tij, kreu i Delegacionit për Marrëdhëniet me Europën Juglindore, Eduard Kukan në emër të eurodeputetëve të PE shpreh vlerësuan rolin institucional, neutral dhe ekuilibrues të Presidentit si dhe apelet e vazhdueshme në funksion të zgjidhjes së ngërçit politik mes palëve. Ata ndanë me Kryetarin e Shtetit të njëjtin mendim sa i përket bashkëpunimit politik mes palëve, për të cilin thanë se shpresojnë që të japë rezultatet e duhura në funksion të aspiratave madhore të qytetarëve shqiptarë dhe Shqipërisë.
Delegacioni i eurodeputetëve të Parlamentit Europain ndodhet në Tiranë, në kuadër të takimit të 4-të të Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit, BE-Shqipëri (SAPC). Në takim ishte i pranishëm edhe Kreu i Delegacionit të Bashkimit Evropian në Tiranë, Etore Sequi.
a.y/NOA