English

Topi: Nëse idealet e dhjetorit do ishin muzë e politikës, bilancet do ishin pozitive

Tiranë, 8 dhjetor 2011, NOA- Presidenti i vendit Bamir Topi në mesazhin e dhënë për Ditën Kombëtare të Rinisë, shprehet se kjo ditë i ka rrënjët 21 vite më parë në lëvizjen e ish-studentëve të dhjetorit.

“Sot Shqipëria feston 8 Dhjetorin, Ditën Kombëtare të Rinisë. 21 vjet më parë studentët e Universitetit të Tiranës nisën protestat politike për të rrëzuar sistemin diktatorial. Ata guxuan, mposhtën frikën dhe me një mbështetje të gjerë intelektuale e qytetare e detyruan regjimin të pranojë pluralizmin politik”, thuhet në mesazhin e Kreut të Shtetit.

Siç informon agjencia e lajmeve NOA.al, Topi thekson se ish-studentët e dhjetorit patën kurajon t’i kundërvihen njërit prej regjimeve më staliniste në Evropë, duke veçuar mes tyre Azem Hajdarin dhe studentin udhëheqës të Lëvizjes Studentore Arben Brocin dhe emra të tjerë që u ndanë nga jeta në përpjekje për të mbrojtur dhe promovuar parimet politike për të cilat u ngritën në dhjetor të vitit 1990.

Topi konstaton se gjatë këtyre viteve është bërë përparim i dukshëm, demokracia dhe shteti i së drejtës kanë shënuar arritje dhe se Shqipëria është vend me prespektivë të qartë për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Sakaq Presidenti shprehet se, “Kam bindjen e thellë se ky bilanc do të kishte qenë edhe më pozitiv, nëse klasa politike shqiptare e tranzicionit do të ishte udhëhequr në veprimet e saj nga të njëjtat parime idealiste dhe qytetare të Lëvizjes Studentore të vitit ‘90-të”.

Në përfudnim ai u bën një apel, gjithë të rinjve me apelin për të pasur një rol më aktiv shoqëror, për t’u dëgjuar zëri i tyre në çdo aspekt të vendimmarrjes politike dhe të sfidave të përbashkëta shoqërore.

a.y/NOA

KOMENTE