Tiranë, 9 dhjetor 2011, NOA- Në panairin e verës dhe kuzhinës shqiptare e organizuar nga Ministria e Bujqësisë, në bashkëpunim me Bashkinë Tiranë dhe Organizatën Shqiptare të Sommelierisë dhe Klubin e Shefave të Kuzhinës Shqiptare, kryebashkiaku Lulzim Basha shprehu mbështetjen për prodhuesit shqiptarë.
Siç raporton agjencia e lajmeve NOA.al, në fjalën e mbajtur me këtë rast, Basha shprehu vendosmërinë për të mbështetur veprimtari të tilla, të cilat jo vetëm janë një mbështetje për prodhimtarinë shqiptare të verës, por edhe për rritjen e punësimit.
Ndonëse Tirana nuk ka vreshta, sipas Bashës, kryeqyteti është tregu më i madh i verës në Shqipëri dhe ka shijuesit më të mirë të saj.
“Ky është një aktivitet, që me shumë dashuri ngërthen të gjithë zinxhirin ekonomik, një mundësi shumë e mirë për të zhvilluar potencialet e pazhvilluara të vendit tonë, për ta marketuar vendin tonë, si një vend prodhues i verës, si një vend i hershëm i civilizimit të verës, vend me potenciale të mëdha turistike dhe për të bërë të mundur që nga rrushi të mos nxjerrim vetëm mushtin, që pastaj të bëhet verë, por sa më shumë dinamizëm ekonomik dhe vende pune për qytetarët”, u shpreh Basha.
a.y/NOA