English

Berisha: Do të iki kur shqiptarët të më thonë lamtumirë

Paris, 9 Dhjetor 2011 NOA/ Ariola Ymeraj – “Unë do të vazhdoj deri kur shqiptarët do të më thonë lamtumire, dhe atëherë unë do ta respektoj vullnetin e tyre”.

Kështu ka pohuar sot kryeministri Sali Berisha gjatë një interviste për televizionin francez TV5 Monde.

Gjatë vizitës që po zhvillon në Francë ku sonte është takuar edhe me kryeministrin francez Francoise Fillon, Berisha ka qenë i ftuar në studion e kanalit TV5 Monde ku ka dhënë një intervistë për gazetarin Patrick Simonin, raporton agjencia e lajmeve NOA.al.

Fillimisht, z. Berisha, Kryeministër i Shqipërisë që prej vitit 2005, iu përgjigj kësaj pyetjeje: “Ju keni qenë President i Republikës së Shqipërisë nga viti 1992 deri në vitin 1997, dhe ju ndodheni për vizitë në Francë, ku po takoni kryeministrin francez François Fillon. Çfarë do t’u thoni autoriteteve franceze? A do t’i shprehni kryeministrit Francois Fillon edhe dëshirën tuaj për mbështetjen e Francës për pranimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian?

Berisha u përgjigj: “Po pikërisht, kjo do të jetë një temë e diskutimeve. Franca e ka mbështetur gjithnjë ambicien e Shqipërisë për integrimin evropian dhe për anëtarësimin në NATO. Ne kemi patur probleme, por ato janë zgjidhur, prandaj kemi nevojë për mbështetje për të përparuar edhe më shumë drejt Bashkimit Evropian.

Më tej intervista vijoi kështu:

“Pra kur e mendoni afatin e këtij pranimi?

Kryeministri Berisha: E dini, unë kurrë nuk fiksoj data, sepse kjo nuk është në duart e mia, por atë që mund të them është që unë e konsideroj këtë si një proces tërësisht të bazuar në meritë, prandaj qeveria duhet të performojë, duhet që vendi ta meritojë. Për këtë qëllim ne jemi të angazhuar në realizimin e reformave në një shkallë shumë të gjerë, të cilat në realitet po avancojnë shumë.

Sepse Evropa është në krizë sot, flasim për një Evrope me 17 anëtarë në fakt me 18 sot me Kroacinë e cila sapo nënshkroi, por flasim për 17 vende për sa i përket vendimmarrjes dhe integrimit buxhetor. A besoni ju se zgjerimi i Evropës vazhdon të jetë i mundur?

Besoj se procesi i zgjerimit ka pësuar një ngadalësim në situatën e tanishme, por nga ana tjetër unë besoj se ky është një proces i pakthyeshëm. Vendimi i të 17-ëve është ndërqeveritar por duhen ftuar të tjerët të pranojnë kriteret strikte buxhetore për të evituar një krizë të ngjashme në vitet që vijnë.

Pyetja tjetër e gazetarit ishte: “Kur thoni që keni bërë përpjekje ne Shqipëri dhe dihet qe është dhe opozita socialiste. Ju e keni akuzuar këtë opozitë për manifestimet e dhunshme qe shkaktuan të vrarë në fillim të vitit, e keni akuzuar këtë opozitë se nuk e dëshiron integrimin evropian të vendit.

Në fakt, gjatë dy vjetësh opozita ka bërë gjithçka për të bllokuar procesin e integrimit duke menduar se kjo është mënyra më e mirë për të dëmtuar qeverinë dhe për të ardhur sa më shpejt të jetë e mundur në pushtet, por me këtë opozita përgatiti një disfatë ekzemplare në zgjedhjet lokale në muajin Maj ku pati 12 për qind më pak vota se mazhoranca.

Dhe në vijim gazetari e sjell z.Berisha në përgjigjen se kur do të largohet nga pushteti:

“Në zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme ku ju do të përfaqësoheni përsëri për të qenë kryeministër?

Unë do të vazhdoj deri kur shqiptarët do të më thonë lamtumirë, dhe atëherë unë do ta respektoj vullnetin e tyre. Unë bëj gjithçka për të avancuar reformat, për të avancuar projektin kryesor të kombit tim, atë të integrimit evropian. Nga ana tjetër opozita tani është kthyer në Parlament. Unë kisha premtuar çdo ditë gjatë këtyre viteve që ata ta hartonin vetë ligjin elektoral duke marrë edhe mendimin e komisionit të Venecias dhe të OSBE-së, dhe se unë do ta votoja pa asnjë kusht dhe ata pranuan.

Pyetja e fundit nga gazetari ishte: “Mund të thuhet se gjendja është qetësuar, pra ka një dialog?

Dhe përgjigja nga Kryeministri Berisha ishte pohuese: “Po, ka një dialog konstant dhe situata është plotësisht normale”.

Ndërsa në intervistën që i dha po sot, RTVSH-së, z.Berisha ishte i përqendruar në vlerësimet ndaj qeverisë dhe kritikat ndaj opozitës. E sigurisht edhe nga pyetja ndihmuese e bërë: “Mendoni se për statusin qeveria i ka përmbushur të gjitha angazhimet dhe se e gjithë përgjegjësia apo faji është i opozitës?”

Kryeministri u përgjigj kështu: “Problemi qëndron se përse nuk është dhënë statusi. Statusi nuk është dhënë, dhe kjo është bërë e qartë edhe në deklaratën e ministrave të jashtëm, vetëm për shkak të bojkotit që bllokoi reformat, por as qeveria shqiptare dhe as ndonjë qeveri tjetër nuk mund të jetë kurrë e përsosur në ato që ka bërë. E vërteta është se qeveria shqiptare në një sërë fushash ka rezultate më të mira se shumë qeveri të tjera dhe këto janë evidente. Reformat e qeverisë shqiptare në fushën ekonomike janë ndër më të rezultativet. Reforma në fusha të tjera janë evidente. Sigurisht që ka shumë për të bërë, por sot Shqipëria është një nga vendet më të sigurta në Evropë, pra është bërë shumë e qartë se shkaku i mosdhënies së statusit ishte mosvotimi i ligjeve në parlament nga opozita shqiptare”.

a.y/NOA

KOMENTE