English

Berisha: Iki, vetëm kur shqiptarët të më thonë, Lamtumirë

Paris, 9 dhjetor 2011, NOA - Gjatë vizitës që po zhvillon në Francë, pak përpara takimit me homologun francez, Francoise Fillon, kryeministri Berisha ka qenë i ftuar në studion e kanalit prestigjioz TV5 Monde ku ka dhënë një intervistë për gazetarin Patrick Simonin.

Mirdita Sali Berisha, Kryeministër i Shqipërisë që prej vitit 2005. Ju keni qenë President i Republikës së Shqipërisë nga viti 1992 deri në vitin 1997, dhe ju ndodheni për vizitë në Francë, ku do të takoni pas pak kryeministrin francez François Fillon. Çfarëe do t’u thoni autoriteteve franceze sot ?

Faleminderit për këtë pyetje , faleminderit që më keni ftuar. Unë jam shumë i lumtur që pas pak do të takohem me kryeministrin francez Fillon. Sot në mëngjes u takova me ministrin francez të energjisë zotin Besson. Qëllimi im kryesor është të punoj ngushtësisht me qeverinë franceze për të inkurajuar investitorët francezë të vijnë të investojnë në Shqipëri. Marrëdhëniet tona politike janë të shkëlqyera, por nga ana tjetër marrëdhëniet ekonomike po rriten gjithnjë e më shumë. Në realitet Shqipëria është një vend i vogël në hartë, por një vend me mundësi dhe potenciale shumë të mëdha për investitorët e mëdhenj francezë dhe botërorë.

Për shembull , në fushën e zhvillimit të qëndrueshëm, në fushën e ekonomisë, të energjisë?

Po, ambicia ime kryesore është qe vendi im të bëhet një superfuqi e vogël e energjisë së rinovueshme në rajon. Shqipëria ka rezerva shumë të mëdha hidrike që do të shndërrohen në hidrocentrale. Vendi im ka për të ndërtuar 443 hidrocentale. Qeveria ime ka nënshkruar me sektorin privat 110 kontrata për të ndërtuar afërsisht 300 hidrocentrale . Nga e gjithë bota , nga Norvegjia në Izrael, nga Europa në Shtetet e Bashkuara, nga Kanadaja si dhe kompani të tjera që kanë treguar interes për të investuar në Shqipëri. Nga ana tjetër, burimet tona të energjitike, në fushën e energjisë së rinovushme, asaj të erës, janë të mëdha. Qeveria jonë ka liçensuar deri tani 1600 megawat dhe është edhe një paketë tjetër që përbëhet nga 3200 megawat.

Pra, kjo është edhe një ftesë për ndërmarrjet franceze, por, a do t’i shprehni kryeministrit Francois Fillon edhe dëshirën tuaj për mbështetjen e Francës për pranimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Po pikërisht , kjo do të jetë një temë e diskutimeve . Franca e ka mbështetur gjithnjë ambicien e Shqipërisë për integrimin evropian dhe për anëtarësimin në Nato. Ne kemi patur probleme, por ato janë zgjidhur , prandaj kemi nevojë për mbështetje për të përparuar edhe më shumë drejt Bashkimit Evropian.

Pra kur e mendoni afatin e këtij pranimi?

E dini, unë kurrë nuk fiksoj data, sepse kjo nuk është në duart e mia, por atë që mund të them eshtë që unë e konsideroj këtë si një proces tërësisht të bazuar në meritë, prandaj qeveria duhet të performojë, duhet që vendi ta meritojë . Për këtë qëllim ne jemi të angazhuar në realizimin e reformave në një shkallë shumë të gjerë , të cilat në realitet po avancojnë shumë.

Sepse Evropa është në krizë sot , flasim për një Evrope me 17 anëtarë në fakt me 18 sot me Kroacinë e cila sapo nënshkroi, por flasim për 17 vende përsa i përket vendimmarrjes dhe integrimit buxhetor. A besoni ju se zgjerimi i Evropës vazhdon të jetë i mundur ?

Besoj se procesi i zgjerimit ka pësuar një ngadalësim në situatën e tanishme, por nga ana tjetër unë besoj se ky është një proces i pakthyeshëm. Vendimi i të 17- tëve është ndërqeveritar por duhen ftuar të tjerët të pranojnë kriteret strikte buxhetore për të evituar një krizë të ngjashme në vitet që vijnë.

Kur thoni që keni bëre përpjekje në Shqipëri dhe dihet që është dhe opozita socialiste. Ju e keni akuzuar këtë opozitë për manifestimet e dhunshme qe shkaktuan të vrarë në fillim të vitit, e keni akuzuar këtë opozitë se nuk e dëshiron integrimin evropian të vendit.

Në fakt, gjatë dy vjetësh opozita ka bërë gjithçka për të bllokuar procesin e integrimit duke menduar se kjo është mënyra më e mirë për të dëmtuar qeverinë dhe për të ardhur sa më shpejt të jetë e mundur në pushtet, por me këtë opozita përgatiti një disfatë ekzemplare në zgjedhjet lokale në muajin Maj ku pati 12 përqind më pak vota se mazhoranca.

Dhe në zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme ku ju do të përfaqësoheni përsëri për të qënë kryeministër ?

Unë do të vazhdoj deri kur shqiptarët do te me thone lamtumirë, dhe atëhere unë do ta respektoj vullentin e tyre. Unë bëj gjithçka për të avancuar reformat, për të avancuar projektin kryesor të kombit tim, atë të integrimit evropian. Nga ana tjetër opozita tani është kthyer në Parlament. Unë kisha premtuar çdo ditë gjatë këtyre viteve që ata ta hartonin vetë ligjin elektoral duke marrë edhe mendimin e komisionit të Venecias dhe të OSBE-se, dhe se unë do ta votoja pa asnjë kusht dhe ata pranuan.

Mund të thuhet se gjendja është qetësuar, pra ka një dialog ?

Po, ka një dialog konstant dhe situata është plotësisht normale.

Edhe diçka tjetër. Turizmi. A është i mjaftueshêm turizmi në Shqipëri. Sepse me atë që po ndodh në vendet arabe, ka mundësi të turistët t’i lenë këto vende dhe t’i referohen Shqipërisë

Besoj se turizmi ka njohur bumin më të madh që vendi ka njohur ndonjëherë. Në 2004 kemi pasur 300 mijë turistë e vizitorë kurse vitin e kaluar kemi pasur 3 milion e gjysëm. Dhe këtë vit ndoshta do të jenë 4 milionë. Udhëtimi në Shqipëri është duke u bërë një udhëtim i ëndrrave. Ky vend i ofron turistëve të të gjithë botës një nga bregdetet më të mahnitshme, peisazhe fantasike, një mikpritje të jashtëzakonshme, një klimë të mrekullueshme, një ushqim të shijshëm të përshkruar nga më të mirat në Evropë nga Andre Gide në veprat e tij Askush nuk eshtë zhgënjeyer nga pushimet në Shqipëri dhe nuk ka pësuar sindromën shqiptare. Pra ftesa ime është që të vini në Shqipëri.

a.p/NOA

KOMENTE