English

Burgaj: Goditjet kriminale në kufirin blu, mbresëlënëse

Tiranë, 9 dhjetor 2011, NOA- Me rastin e përfundimit të detyrës në Shqipëri, për Komandantin e Njësisë së Kufirit Detar të Guardi Di Finanza në Durrës, Kolonel Cosimo Serra dhe marrjes së kësaj detyre nga Kolonel Francesco Guerini u organizua një ceremoni.

Gjatë fjalës përshëndetëse me këtë rast, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj, vlerësoi bashkëpunimin e mirë dhe përkushtimin maksimal të treguar nga kolonel Serra në mbështetje të policisë kufitare shqiptare, si në drejtim të shkëmbimit të informacionit, trajnimin e specializuar të punonjësve të kufirit detar, ashtu edhe në realizimin me efektivitet të operacioneve policore antitrafik.

“Mund të pohoj me krenari se arritjet tona të përbashkëta për monitorimin e hapësirës së kufirit blu dhe për goditjen e veprimtarisë kriminale nëpërmjet tij, janë me të vërtetë mbresëlënëse”, u shpreh Burgaj.

Nga ana e tij, Kolonel Serra, e konsideroi të suksesshëm misionin e tij në Shqipëri dhe në vijim cilit iu dorëzua edhe një certifikatë lavdërimi.

Më pas, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, i uroi mirëseardhjen Kolonel Francesko Guerinit, i cili do të kryejë detyrën e Komandantit të Njësisë së Kufirit Detar të Guardia di Finanza-s në Shqipëri, duke e garantuar atë për mbështetjen dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm të Policisë së Shtetit për realizimin e detyrave të përbashkëta.

a.y/NOA

KOMENTE