Tiranë, 9 dhjetor 2011, NOA- Ministri i Drejtësisë Eduard Halimi vizitoi sot Gjykatën e Apelit në Tiranë dhe Zyrën e Administrimit te Buxhetit Gjyqësor për tu njohur më nga afër me menaxhimin e çështjeve civile dhe penale si dhe me aksesin e qytetarëve.
Siç informon agjencia e lajmeve NOA.al, në fjalën e tij Halimi tha se, “Transparenca e sistemit gjyqësor është jashtëzakonisht e rëndësishme dhe është detyrë e drejtuesve të gjykatave që të venë në efiçencë të plotë sistemin elektronik. Unë jam i bindur se dixhitalizimi i sistemit gjyqësor do të forcojë transparencën duke sjellë padyshim rritjen e përgjegjshmërisë së sistemit gjyqësor ndaj ligjit, uljen e korrupsionit dhe forcimin e besimit të publikut”.
Sipas tij, përpjekjet për të përmirësuar sistemin e drejtësisë duhet të vijnë padyshim edhe nga vetë aktorët e sistemit të drejtësisë, duke rritur transparencën, duke përkrahur dixhitalizmin e sistemit.
Ministri në këtë takim propozoi që kryetarët e Gjykatave të shpallin një ditë të hapur për publikun në hedhjen e shortit me qëllim që qytetarët të shohin vetë se si hidhet shorti në Gjykata. Sipas ministrit Halimit përpjekja e aktorëve të drejtësisë për transparencë është shumë e rëndësishme për reformat.
a.y/NOA