Tiranë 9 dhjetor 2011, NOA – Kreu i delegacionit të Parlamentit Europian, Eduard Kukan deklaroi në takimin e Stabilizim Asocimit mes BE dhe Shqipërisë se është momenti i duhur për të filluar një etapë të re nga klasa politike në vend. Ai u shpreh se sot në Bashkimin Europian po merren vendime të rëndësishme për rajonin dhe Shqipëria nuk duhet të arrijë trenin e radhës.
“Takimi i sotëm është i rëndësishëm për Shqiptarët për të arritur trenin e radhës. Delegacioni i PE është këtu për tu ndihmuar juve për të qenë pjesë e reformave”, tha Kukan në takimin e IV mes parlamentit të Shqipërisë dhe BE që po zhvillohet sot.
Ai ka theksuar se është i bindur se klasa politike do të gjej një zgjidhje pozitive që do të çojë përpara reformat. “
“Besoj se i njoh shqiptarët. Më pëlqejnë sfidat, më pëlqejnë ndryshimet, më pëlqen të punoj me ju. Është e rëndësishme të gjendet një zgjidhje për integrimin në BE. Jam i bindur se do të kemi një zhvillim pozitiv, të ecësh para me dialog është një hap i rëndësishëm. Momenti i ri duhet të përfshijë dialogun konstruktiv. Mendoj se kjo është e mundshme”, tha Kukan.
a.k/NOA