Në një kohë rekord, PLUS shënon një sërë arritjesh në treg. Shërbime dhe produkte konkurruese, mbi 400 mijë abonentë, mbulim të 95 % të popullsisë dhe një rrjet të gjerë
Tiranë, 9 Dhjetor 2011 NOA/ Irma Toptani – PLUS Communications mbush një vit operimi në tregun shqiptar, duke listuar një sërë arritjesh ambicioze dhe përmbushjen me sukses të objektivave të biznesit.
Në një takim me gazetarë, u evidentua fakti se në kohë rekord, PLUS, i vetmi operator celular shqiptar, ka arritur të ndërtojë një rrjet cilësor, të gatshëm për shërbimin 3G dhe me shtrirje në të gjithë vendin, duke mbuluar tashmë 95 % të popullsisë
, raporton agjencia e lajmeve NOA.al.
Investimi 100% shqiptar në këtë operator, përkthehet në një kontribut të drejtpërdrejtë në zhvillimin ekonomik të vendit, përmes ri-investimit të të ardhurave, hapjes së vendeve të punës dhe nxitjes së konkurrencës në tregun e telefonisë celulare.
PLUS ofron tashmë një gamë të gjerë produktesh dhe shërbimesh, që respektojnë zgjedhjen e klientit dhe që janë hartuar në funksion të nevojave dhe kërkesave të tyre.
Individët, bizneset e vogla, të mesme apo të mëdha, kanë mundësinë të dizenjojnë vetë e në mënyrë të personalizuar, paketën e shërbimeve dhe përfitimeve nga operatori i tyre celular.
“Jemi shumë të kënaqur që tashmë mbi 400 mijë abonentë kanë zgjedhur PLUS, për shkak të produkteve dhe shërbimeve më konkurruese dhe cilësore në treg. PLUS ka ngritur në një kohë të shkurtër një rrjet cilësor të teknologjisë më të lartë në nivele ndërkombëtare, duke e bërë këtë kompani të aftë për të përballuar sfidat teknologjike të së ardhmes në fushën e telekomunikacionit” – deklaron z. Moni Buchnik Drejtor Ekzekutiv i PLUS në një bilanc njëvjeçar të aktivitetit tregtar të celularit PLUS në tregun e telekomunikacionit.
PLUS ka arritur të ngrejë me një shpejtësi të paprecedentë në këtë treg rrjetin e pikave të shitjes Zona PLUS, me një shtrirje të gjerë në çdo skaj të vendit.
Abonentët e PLUS mund të marrin shërbimin më të shpejtë dhe praktik në 50 Zona PLUS në të gjithë vendin, si dhe në 650 pika regjistrimi.
“Sfida e PLUS për vitin e ardhshëm është dyfishimi i rrjetit Zona PLUS, arritja e ndërtimit të 100 Zona PLUS deri në fund të vitit 2012” – deklaron Z. Buchnik.
PLUS është sipërmarrja më masive e biznesit shqiptar në vend, i cili vendos një gur të rëndësishëm në themelin e besimit të qytetarëve të këtij vendi në forcën zhvilluese të biznesit shqiptar.
Ky investim është realizuar për të qëndruar në Shqipëri, për të gjeneruar të ardhura që do të ri-investohen në këtë vend e për rrjedhojë do të kontribuojnë në zhvillimin ekonomik të tij.
Janë 400 të punësuar rishtazi si staf i PLUS, dhe qindra të tjerë të punësuar nga palë të treta në fusha të ndryshme të operimit të biznesit si ndërtimi i rrjetit, distribucioni etj.
“Ky ishte viti i parë, i sfidave dhe kënaqësive të mëdha. Punuam fort, që sot, një vit më pas, të mund t’i themi me krenari çdo shqiptari: Plus të përket ty”, - përfundon z. Buchnik.
“Plus të përket ty”, është njëkohësisht slogani që kompania ka zgjedhur për ta shoqëruar përgjatë gjithë vitit 2012.
i.t/NOA