English

Ksera: Dhuna në familje së shpejti vepër penale edhe në Kod

Tiranë, 9 dhjetor 2011, NOA- Në konferencën e organizuar kundër dhunës ndaj gruas dhe dhunës në familje, Ministri i Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, Spiro Ksera tha se gjatë vitit 2011 institucionet shqiptare janë angazhuar në hartimin dhe miratimin e akteve ligjore dhe nënligjore në mbështetje të viktimave të dhunës në familje.

Siç informon agjencia e lajmeve NOA.al. Ksera tha se, “Të dhënat më të fundit statistikore nga drejtoritë e policive konfirmojnë se fushatat sensibilizuese kanë patur efekt pozitiv, pasi vërejmë se edhe në 11-mujorin e viti 2011 numri i denoncimeve është rritur, duke arritur në 2029 denoncime, nga 1998 denoncime të regjistruara një vit më parë. Po ashtu, gjeografia e denoncimeve ka përfshirë të 12 qarqet, madje nuk mungojnë edhe denoncimet nga zonat rurale, tregues ky i ndërgjegjësimit se dhuna nuk duhet toleruar, por denoncuar”.

Ministri Ksera prezantoi edhe nismën e Ministrisë së Punës për përfshirjen e dhunës në familje në Kodin Penal, duke e parashikuar atë si vepër penale dhe duke forcuar sanksionet për dhunuesit. “Propozimet Ministria e Punës tashmë ia ka kaluar komisioneve përkatëse në Kuvend, të cilat aktualisht ndodhen në procesin e diskutimit të ndryshimeve në Kodin Penal”, deklaroi Ksera, i cili i bëri thirrje deputetëve të të gjitha krahëve të politikës t’i mbështesin këto ndryshime që synojnë ashpërsinë e ligjit ndaj dhunuesit, pasi ndryshimet në Kodin Penal kërkojnë votën e 3/5 të deputetëve të Kuvendi për t’u miratuar.

Këtë vit Konferenca u fokusua në prezantimin e Konventës së Këshillit të Europës "Për parandalimin dhe luftën kundër dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje", e cila pas miratimit një muaj më parë nga Këshilli i Ministrave të Shqipërisë pritet të firmoset në 19 Dhjetor nga Ministri i Punës, Spiro Ksera, në emër të Qeverisë.

a.y/NOA

KOMENTE