Nga Skënder Minxhozi
Ambasadori i OSBE-së në Tiranë, Eugen Volfart nuk humbet asnjë rast për të treguar se ka ide të qarta për krizën politike në Shqipëri.
Ide të rreshtuara, partizane, tendencioze, por të qarta e të palëvizshme. E tejkalon mandatin diplomatik dhe statusin që mban, por nga ana tjetër nuk mund të thuhet se nuk di të flasë troç, siç bëjnë rëndom kolegët e tij, që e fusin veten në siklet për të qenë “të baraslarguar”.
Dje Volfart u citua nga mediat kryesore në vend, të ketë deklaruar në një takim me studentët e Fakultetit Juridik në Tiranë se, bojkoti i opozitës i ka kushtuar dy vjet Shqipërisë. Pra, sipas tij, prapambetja e vendit në rrugën e reformave, ngecja në vend e procesit të integrimit europian, tensioni politik i skajshëm, i cili mori në fillim të këtij viti katër jetë njerëzish, jo më larg se 100 metra nga zyrat e ambasadorit në fjalë – të gjitha këto zhvillime aspak pozitive, i faturohen opozitës. S’ke ç’thua më tepër! Më qartë se kaq nuk do ta kishte thënë as kryeministri, dhe as kryetarja e Kuvendit apo zëdhënësja e qeverisë.
Volfart, gjithnjë sipas mediave, ka deklaruar edhe se 21 janari tashmë ka kaluar dhe se komuniteti ndërkombëtar dha ndihmë që situata të normalizohet.
Këto deklarata, secila në vete, vetëm se konfirmojnë në esencë atë që është sot qëndrimi përgjithësues i një pjese të bashkësisë ndërkombëtare për zhvillimet në Shqipëri. Ambasadori i OSBE-së ndoshta është zëdhënësi më i ngeshëm i këtij pozicioni, por kjo ka pak rëndësi. Të thuash sot, kur formalisht Kuvendi po funksionon me të dy krahët politikë, që bojkoti i njërës palë i kushtoi vendit dy vjet, do të thotë të ngacmosh një nerv të zbuluar, duke provokuar për pasojë një acarim të panevojshëm të opozitës, e cila po merr pjesë në procesin parlamentar.
Nga ana tjetër, të pretendosh se ke dhënë kontribut për normalizimin e 21 janarit, kur me atë datë lidhet shpërthimi i krizës së thellë institucionale mes shumicës dhe presidentit, këtij të fundit dhe parlamentit, etj., etj., si dhe kur drejtësia u pengua hapur që të zbatojë ligjin (moszbatimi i kërkesës për ndalimin e gardistëve nga Ina Rama), do të thotë të kesh një vizion krejt të shtrembër dhe subjektiv për normalitetin. Për më tepër, kur nga ky lloj normaliteti, rrodhi një tjetër “normalitet”, pa muaj më vonë, po në sytë e zotit Volfart: ai i përmbysjes në tryezë të rezultatit të Tiranës. Me shumë gjasë ambasadori në fjalë e quan edhe këtë një arritje të demokracisë shqiptare, por nga ai lloj arritjesh që me siguri s’do të donte t’i shihte në vendin e tij!
Është shumë komode sot, deri edhe për një titullar diplomatik të huaj, që “ta mbajë mirë me qeverinë”. Këtë e kemi parë pak a shumë në gjithë gjatësinë e 20 vjetëve të fundit. Shikimit të vëngërt të Berishës i ruhen (duket paradoks, por ndodh), edhe një numër diplomatësh të huaj në Tiranë. Natyrisht, ky është një element periferik, por i cili kur bashkohet me interesa të caktuara që qeveri dhe institucione ndërkombëtare kanë në Shqipëri në këtë moment, vetëm sa e forcon qëndrimin dashamirës ndaj mazhorancës aktuale.
Konjuktura e sotme diplomatike ndaj Shqipërisë e provon më së miri këtë miks rrethanash, të cilat kanë krijuar, me kalimin e viteve, një qëndrim thuajse të përgjithshëm (me ndonjë përjashtim), sipas të cilit stabiliteti dhe vetëm stabiliteti duhet të jetë synimi parësor i kancelarive ndaj vendit më të varfër të Ballkanit.
Deklarata si ato të mësipërmet janë një dëshmi e radhës për këtë investim të heshtur apo të artikuluar, sipas rastit, për mbajtjen e një situate stacionare në Shqipëri. Në emër të së cilës po sakrifikohen shumë e shumë standarde demokratike, të cilat i gjejmë të shkruara në të gjitha dokumentet që prodhojnë vetë kancelaritë dhe institucionet, prej nga vijnë këto qëndrime.
Zgjedhjet e vitit 2013 do të jenë një bankoprovë finale, ndër të tjera, edhe për këtë qëndrim të dyzuar të Perëndimit ndaj Shqipërisë. Fatet e larta politike që luhen në bixhozin e atyre votimeve, i kthejnë potencialisht ato, në një bombë të rrezikshme me sahat. Formulimet e tipit “edhe...edhe”, ku të gjithë gjejnë material për të shpëtuar shpirtin dhe pse jo, edhe kokën, me shumë gjasë nuk do të shërbejnë më për të blerë kohë pas atij momenti. Nëse bashkësia ndërkombëtare mendon se stanjacioni aktual, ku të dyja palët bëjnë gjoja dhe luajnë teatër me njëra-tjetrën, është zgjidhja më e mirë e lëmshit shqiptar, atëherë punët janë keq.
Ambasadori i OSBE-së nuk ka pse lodhet për ta shitur rërën për farë dhe as tunxhin për flori. Kulmimi i të gjitha krizave shqiptare e joshqiptare në momentin që jetojmë, po krijon premisa për një situatë eksplozive, e cila nuk mbulohet dot as nga emërimi konsensual i Avokatit të Popullit dhe as nga kalimi me të gjitha votat i Kodit Rrugor. Këtë nuk e zgjidh dot madje as naiviteti i hareshëm i zotit Volfart, i cili shfaqet kohë pas kohe në publik për të na thënë sa mirë jemi...
"Shqip"