Tiranë, 9 dhjetor 2011, NOA- Sipas MeteoAlb, qarkullimi i masave ajrore të ftohta dhe të lagështa që vijnë nga veriperëndimi i kontinentit do të kushtëzojnë në vendin tonë mot të paqëndrueshëm. Vranësirat dhe shirat e dobët do të dominojnë në të gjithë territorin por intensiteti i shirave do të jetë i dobët. Në zonat malore do të ketë reshje të pakta dëbore.
Edhe pjesa e dytë e ditës do të vijojë me vranësira dhe shira të dobët në zonat e ulëta dhe bregdetare ndërsa sërish në zonat malore shirat do të jenë në formë dëbore. Në të njëjtat kushte të paqëndrueshme atmosferike do të mbetemi në mbrëmje dhe gjatë natës.
Për sa i përket situatës termike, temperaturat e ajrit do të pësojnë 2 gradë rritje në vlerat e mëngjesit ndërsa mesdita nuk do të sjellë ndryshim të tyre.
Era do të fryjë mesatare në tokë dhe në det me 30 km/h dhe drejtim lindor verilindor, kjo do të bëjë që në det dallgëzimi të jetë i ulët.
Europa
Edhe dita e nesërme do të vijojë e njëjtë për sa i përket Europës veriore dhe Veriperëndimore, me shira intensive si dhe dëborë të dendur. Më problematike situata do të jetë në Suedi dhe Norvegji ku reshjet e dendura të dëborës do të bien që në orët e para të ditës. Ndërsa Britania do të përjetojë shira me intensitet të lartë dhe stuhi të forta ere. Po ashtu dhe një pjesë e Europës verilindore do të ketë vranësira dhe reshje të dendura dëbore. Problematike në këto rajone gjatë gjithë ditës do të jenë stuhitë e forta të erës. Situata meteorologjike paraqitet ndryshe për Europën Jugperëndimore, Qendrore si dhe në një pjesë të Rajonit të Mesdheut ku moti i kthjellët dhe i ftohtë do të jetë dominues në këto zona.
Ngjarje ekstreme në Europë:
- Suedia dhe Norvegjia do të mbeten me shira të dendur dhe erë të fortë
- Vendet e Balltikut rrezikojnë shira intensive dhe dëborë
- Zona e Alpeve alarmon reshje të dendura dëbore
a.y/NOA