Nga Nexhmedin Spahiu Kosovarët e duan Sali Berishën jo pse është “i fisit të tyre” sepse “fisi i tyre” tashmë janë gjithë shqiptarët, por sepse Sali Berisha është zgjedhur njëherë “i pari i fisit” (lider i Shqipërisë) dhe ai, sipas nënvetëdijes së shqiptarëve të krijuar nga jeta në fise, duhet të jetë lider deri sa të vdesë. Huqja e Mustafa Nanos
Një shkrim me konstatim dhe mesazh të huqur i Mustafa Nanos më bëri që të përgjigjem në këtë pyetje për të cilën kam menduar se t’paktën njerëzit e letrave e dinë përgjigjen. Mustafai më bindi se edhe njerëzit që lejnë manash skrupullin dhe përpiqen ta thonë të vërtetën lakuriq, paskan paragjykime dhe nuk po e njohkan mentalitetin e shqiptarëve.
Mustafa Nano thotë se kosovarët parapëlqyekan Sali Berishën përballë Edi Ramës për faktin që Saliu qenka i biri i Ramës ndërsa Edi i biri Kristaqit. Sipas Mustafait këtu luan rrol origjina fetare.
Ky argument nuk qëndron aspak.
Një prej intelektualëve e politikanëve më të respektuar në Kosovë është Mark Krasniqi. Në opinionin për të nuk ka ndikuar aspak fakti se Akademik Mark Krasniqi është katolik në ndërkohë që mbi 90% të shqiptarëve të Kosovës janë myslimanë.
-Gjakova me mbi 80% myslimanë ka zgjedhur me vullnet të lirë kryetarin katolik
Dr.Pal Lekaj është shqiptar katolik nga Gjakova. Shumica absolute e gjakovarëve janë myslimanë. Ky fakt nuk ishte pengesë pë Palin që në dy zgjedhjet e fundit të drejtpërdrejta për kryetar të Gjakovës, të zgjidhet kryetar që me raundin e parë të zgjedhjeve.
Mustafa Nano harron se politikani më i dashur i kosovarëve gjatë kohës së luftës ishte kryeministri Pandeli Majko. Fakti që Majko është ortodoks apo që është nga Jugu i Shqipërisë nuk ishte pengesë për dashurinë e kosovarëve për Pandin.
A nuk ishte Enver Hoxha jugor dhe kosovarët e personifikonin atë me vetë dashurinë për Shqipërinë?
Të gjitha këto janë fakte që dëshmojnë se konstatimi i Mustafa Nanos është tërësisht i gabuar.
Po pse atëherë kosovarët e dashkan Sali Berishën?
Përgjigjien në këtë pyetje mund ta marrim nëse studiojmë nënvetëdijen e shqiptarëve e cila është krijuar me shekuj.
-Shqiptarët i zgjedhin liderët deri në vdekje
Ndaluni e vëreni fatin e liderëve historikë të shqiptarëve. Deri në vendosjen e Mbretit Zog nuk mund të thuhet se shqiptarët kishin liderë politikë. Shteti shqiptar deri në atë kohë ekzistonte vetëm formalisht dhe të qenët në krye të shtetit shqiptar ishte çështje konjukturash dhe jo një gjë ku vendoste vetëdija apo nënvetëdija e qytetarëve shqiptarë.
Sikur mos të ndodhte pushtimi italian Mbreti Zog do të sundonte deri në vdekje dhe ndoshta edhe sot e kësaj dite Shqipëria do t’ishte monarki.
Shumë vende komuniste pas luftës së dytë botërore ndërruan disa herë udhëheqësit e tyre komunistë. Rrallë kush nga këta liderë qëndroi në post deri në fund të jetës së vet.
Enver Hoxha udhëhoqi derisa vdiq. Ramiz Alia nuk u bë kurrë lider. Ai sundoi me hijen e Enver Hoxhës.
Lideri kosovar Dr.Ibrahim Rugova, vallë a nuk ishte president deri sa vdiq? A mund të na bindë kush se sikur t’ishte Rugova gjallë nuk do t’ishte akoma President i Kosovës?
Që kur lidershipin politik në Kosovë e mori Hashim Thaçi shohim se ai i ndihmuar nga kjo traditë po i eliminon nga skena politike gjithë rivalët e vet politikë brenda partiakë e jashtë partiakë. Ky trend të jep të besosh se ai do të mbajë pushtetin derisa të jetë gjallë apo të paktën derisa ta heqin dhunshëm amerikanët (nëse do të marrin një dhe vendim të tillë ndonjëherë).
Pse ndodhë kështu tek shqiptarët? Pse nuk ka një proces dinamik ku dikush lodhet nga timoni dhe tjetri me energji të akumuluara e vazhdon atë, e më pas lodhet ai dhe e merr tjetri e kështu me radhë.
-Nënvetëdija e trashëguar nga jeta në fise
Përgjigja është në nënvetëdijen e shqiptarëve të krijuar prej shekujve. Shqiptarët me shekuj kanë bërë jetën në fise. Prej kësaj lloj jetese ata janë shkëputur kush më parë e kush më vonë në periudhën jo më të afërt se një shekull dhe jo më të largët se tre shekuj.
Kur shqiptarët zgjedhnin të parin e fisit mandati i tij ishte i përjetshëm dhe i pakufizuar në vendimet politike. Kur zgjedhej njëherë më askush nuk i kontestonte mandatin deri në vdekje. Kjo nënvetëdije është e pranishme në kokat e shqiptarëve.
Sado që shqiptarët e kanë informacionin në kokë se jetojnë në kohë moderne, ku mandatet në postet publike nuk janë të përjetshme, veprimet e tyre konkrete i kushtëzon nënvetëdija.
Dhe kjo është përgjigja përse kosovarët e duan Sali Berishën. Jo pse është “i fisit të tyre” sepse “fisi i tyre” tashmë janë gjithë shqiptarët, por sepse Sali Berisha është zgjedhur njëherë “i pari i fisit” (lider i Shqipërisë) dhe ai (sipas nënvetëdijes së shqiptarëve të Kosovës) duhet të jetë aty i patrazuar deri sa të vdesë.
Kushdo që ia sfidon këtë pozicion është “armik i fisit”. Kjo është edhe arsyeja pse Edi Ramën nuk e duan kosovarët. Sepse Edi Rama duke e sfiduar rrolin e të “parit të fisit” sfidon vetë “ligjet e fisit” në nënvetëdijen e kosovarëve.
Ky fakt duhet të kuptohet natyrshëm. Kur shqiptarët me 99 vjet shtet nuk e kanë përvetësuar demokracinë si do ta kenë arritur këtë kosovarët me 3 vjet shtet?
Tradita fisnore si frenuse e zhvillimit të demokracisë
Natyrisht, ky fakt është një frenues i madh i zhvillimit të përgjegjësisë si element kyq i jetës demokratike. I pari i fisit është zgjedhur ai që ishte më i fuqishmi, përkatësisht më makiavelisti, në kohën kur vdiste paraardhësi dhe meqe zgjedhja e tij nuk ishte rezultat i kodeve morale po rezultat i fuqisë se tij, ai nuk i jepte llogari fisit për sundimin e vet. Kësisoji, taksapaguesit shqiptarë (edhe ata kosovarë) nuk kërkojnë llogari për atë se si po shpenzohen taksat e tyre, sepse në nënvetëdijën e tyre taksat nuk i japin po ua merr më i forti, të cilit ata nuk guxojnë t’i kërkojnë llogari.
NOA