Nga Artan Fuga
Shkencat humane dhe ato shoqërore kryhen dhe thellohen brenda një krize të përhershme latente dhe rrezikut të shkarjes në metodologji të gabuar. Sikurse e gjithë kultura njerëzore, në fakt. Një nga rreziqet e mësipërme vjen pikërisht nga fakti i jetëgjatësisë së termave të tyre, ndërkohë që jeta reale që ato shenjojnë ndryshon relativisht shpejt dhe së tepërmi.
Inercia terminologjike në kushtet kur ngatërrohet aspekti kodifikues i materialit gjuhësor të një termi me përmbajtjen e tij semantike bën që ngjarje, prirje, realitete historike krejt të ndryshme të konsiderohen si identike.
Termat “shtet”, “klasë”, “demokraci”, “luftë”, “krizë”, “familje”, “parà”, “punë” etj., etj., të gjitha konceptet e përdorura në fakt, mbeten zakonisht të njëjtë nga shekulli në shekull, por kuptimi që ata kanë për breza të ndryshëm njerëzish nis e ndryshon ndjeshëm. Ky është kurthi, sikurse thoshte Xhorxh Berkli, që shkencave sociale dhe humane iu vjen nga gjuha. Në këtë mënyrë, kërkuesi në shkencat humane dhe shoqërore, nëse nuk e ka vëmendjen e duhur ndaj etimologjisë së termave dhe evoluimit historik të tyre, nis dhe i shpëton mundësia për të njohur specifikat e periudhave të ndryshme shoqërore dhe e kulturave të ndryshme të së njëjtës epokë.
Në të vërtetë është një lloj kurthi që njeriut brenda apo jashtë shkencave shoqërore, pra në të folurit e përditshëm, apo në kujtimet që dëgjon nga të tjerat, ia sjell vetë fjala si e tillë. Fjala është nga njëra anë një arritje e madhe për njeriun, por edhe një kurth i madh për të nëse nuk e kupton mirë përbërjen dhe funksionin e saj.
Nga e kaluara e largët apo nga kulturat e tjera na vijnë fjalë sikurse edhe ato që ne përdorim sot si breza që kemi radhën të jetojmë mbi këtë Planet. Por, nuk është e thënë që njerëzit e shumë brezave më parë, kolektivisht apo individualisht, t’i përdornin këto fjalë me të njëjtin kuptim sikurse edhe ne sot.
Nëse nuk mbahet parasysh ky fakt, atëherë lindin dy rreziqe në kuptimin e së kaluarës së largët, pra të historisë të shekujve më parë.
Rreziku i parë, ka të bëjë me atë që duke analizuar dokumentet e vjetra apo institucionet e vjetra, duke gjetur aty po ato fjalë që ne përdorim sot, mund të lindë një prirje që jo gjithmonë e frenojmë, për t’iu dhënë atyre po atë kuptim që ne iu japim sot. Në këtë mënyrë mendësitë tona të sotme rrezikojmë t’ua atribuojmë edhe paraardhësve tanë të largët.
Së dyti, sikurse ndodh me gjyqin kundër kafshëve dhe me të drejtën e tyre për të pasur një avokat mbrojtës përgjatë Mesjetës, shumë sjellje të së kaluarës, rrezikojmë t’i quajmë absurditete të çuditshme, pra ta kthejmë të gjithë të kaluarën tonë historike në një grumbull naivitetesh të denja për t’u tallur për shkak të naivitetit të tyre të imagjinuar.
Parë kështu, veç krerëve politikë të së kaluarës që me të drejtë kritikohen, në mjediset që prodhojnë dije ka një prirje që “t’i u presë kokat” të gjitha personaliteteve historike të kulturës sonë. Skënderbeu? Gabime! Fan Noli? Gabime! Ahmet Zogu? Gabime! Ismail Qemali? Gabime! Fishta? Gabime! Koliqi? Gabime! Pafundësisht gabime... Idhujt kombëtarë i kemi lënë shpesh pa krena...
“Si? Kafshët të mbrohen me një avokat në sallën e gjyqit? Çfarë budallallëku është bërë në Mesjetë!”
Ka të drejtë naivi të mendojë kështu sepse ka rënë preh e një kurthi logjik, aq të përhapur kur shkruhen kujtime apo kur analizohen shoqëritë e largëta në kohë. Sepse fjalët “gjyq”, “avokat”, “kafshë”, etj., i kupton sikurse i kupton brezi ynë. Si gjyqe të një shteti të së drejtës ku logjika që përdoret është laike, si avokat që mbron subjektin që e ka paguar dhe asgjë më tepër, si kafshë që nuk përfaqëson asnjë qenie që bart mbi vete ndonjë element që e bën të gjykueshëm, etj. Puna është se në të kaluarën këto fjalë nuk kishin atë kuptim dhe nuk shtynin po drejt atyre veprimeve sikurse ato bëjnë sot
Duke e marrë si të mirëpranuar disi faktin që terminologjia e shkencave shoqërore dhe humane do të mbesë gjithmonë disi pas evolucionit të vetë shoqërisë reale, është e domosdoshme që të kuptohen dallimet midis termave të njëjtë, të përdorur në periudha të ndryshme.
Emri i tyre është i njëjtë, përmbajtja e ndryshme. Po të mos pranonim këtë do të bënim një gabim kaq fatal logjik, saqë edhe një fëmijë do të lemerisej prej tij nëse do t’ia shpjegonim me fakte dhe shembuj të thjeshtë. Dy njerëz të ndryshëm mund të kenë të njëjtin emër, por faktin se quhen të dy njësoj, nga kjo nuk rrjedh fare se edhe thelbi i personalitetit të tyre është i njëjtë.
Duke hyrë në këtë krizë, nëse nuk kuptohet rrezikshmëria dhe influenca e saj, jo pak e përhapur sot, shkencat shoqërore dhe humane rrezikojnë të bien në një baltovinë që i shndërron ato nga burime analizash kritike të mbështetura në arsyen e shëndoshë të shkencëtarit, në tërësi besimesh ideologjike, mitologjike, në parafabrikate psikologjike, në struktura ideologjike të një propagande të keqe mbi të kaluarën, pra mbi historinë, ose mbi kulturat e tjera bashkëkohore.
Historia rrezikon t’i ngjajë perdes së një ekrani ku brezat e tanishëm projektojnë mbi të mendësitë e tyre, frikërat e tyre kolektive, pse jo edhe emancipimin e tyre të mundshëm politik dhe kulturor (nëse ai ka vend të pranohet), zhgënjimet e tyre.
Historia bëhet projeksioni i së sotmes mbi të kaluarën. Vetë e kaluara, ashtu sikurse ajo ka qenë vërtet, zhytet në llumin e harresës historike, ndonëse shoqëria mund të kalojë një furtunë frenetike kujtimesh.
Kujtimet zakonisht janë shumë të dyshimta, sepse ndonëse jo gënjeshtra të qëllimshme, ato janë të mundshme vetëm nëpërmjet bashkëveprimit me mekanizmin e harresës. Kujtojmë sepse kemi harruar ato që nuk na kujtohen më. Shpeshherë të pretendosh në saktësinë e plotë të kujtimeve do të thotë të harrosh se ke harruar.
Ideologjia e çdo brezi ushqehet kështu në mënyrë iluzore me një fuqi universale, duket sikurse ajo merr një fuqi prapavepruese ose edhe mbi shekujt që do të vijnë. Kjo i jep siguri, ndonëse iluzore, çdo brezi që kujton se është në pikën kulmore të historisë universale, pas së cilës nuk mund të ketë veçse një përsëritje monotone të atyre gjërave që tashmë Hëna dhe Dielli kanë parë të ndodhin mbi Tokë. Ideologjia mbizotëruese e kohës nuk mjaftohet që sundon institucionet dhe mënyrat e jetesës të çdo brezi, por shtrin kështu sundimin mbi të shkuarën e largët.
Mbi të gjitha, sikurse e ka trajtuar Karl Popper, gjithçka nis e i ngjan një psikopatologjie kolektive sepse duke i kuptuar termat e së kaluarës sikur të ishin me po atë përmbajtje semantike sikurse këta terma shkencorë, politikë, socialë kanë për ne sot, ne ngatërrojmë në delir veten tonë të sotme me paraardhësit tanë të dikurshëm të shekujve të kaluar.
Ngatërrojmë mendësitë tona, me mendësitë e tyre. Harrojmë se ne e gjykojmë atë pjesë të historisë së vjetër pasi ajo ka përfunduar, e gjykojmë pasi ajo është mbyllur, kurse brezat e atëhershëm nuk e dinin dot këtë gjë, pra dhe nuk kishin mundësi të ishin të pagabueshëm.
Ne flasim për zaret pasi ato janë hedhur dhe kanë qëndruar në vend e mund të lexohen qartësisht.
Duke ia kërkuar këtë gjë edhe brezave të asaj epoke shoqërie që studiojmë, kur zaret sapo hidheshin dhe gjendeshin ende duke u rrokullisur, ta zëmë gjatë Mesjetës, Rilindjes, periudhës së konsolidimit të shtetit shqiptar, rrezikojmë të bëjmë po atë gabim për të cilin na paralajmëron Karl Popper. Pra, t’i konsiderojmë ata, brezat e së kaluarës së largët, bashkëkohës me historinë që vetë ata bënë, sikur të kishin pasur aftësinë ta njihnin fundin e historisë përpara sesa ai të vinte.
Me një fjalë, t’i konsiderojmë sikur vërtet kanë jetuar në kohën e tyre, por që duhej ta gjykonin kohën e tyre nga një këndvështrim që vjen nga koha jonë, pra nga një kohë që ka ardhur ndërkohë që ata vetë nuk jetojnë më! Ky është absurditeti i vërtetë...
"Mapo"