BE-ja, gaboi me Greqinë, dhe kjo nuk duhet të përsërisë të njëjtën aventurë edhe me Serbinë. BE-ja nuk është shkollë riedukimi për të padisiplinuarit, por vlerë unikate, bashkësi e kombeve të civilizuara. Serbia vazhdon të jetë rebeluesja dhe kërcënuesja reale e paqes edhe ashtu të brishtë ne Ballkan, e cila kultivon ambiciet milosheviçiane për eksterritore ndaj shteteve fqinje
Nga Ramiz Bojaj
Serbia është shteti, pothuajse i vetëm në Ballkan, i cili me mentalitetin e shekullit XIX, pret të merr statusin e kandidatit për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Kokëçarja evropiane rreth disiplinimit të Serbisë, ka nisur pas dëbimit të kësaj të fundit nga Kosova. Qasja e fundit e BE-së, për komunikim më të moderuar (evropian) me Serbinë, ka thyer në masë të madhe kriteret qe Bashkimi Evropian, aplikon si standard për shtetet tjera të Ballkanit. Krahas kësaj, të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor, (me përjashtim të Kosovës), gëzojnë liberalizimin e vizave. Pavarësisht, aspiratave integruese, Ballkani vazhdon të jetë zona më problematike e BE-së. Pikërisht, ky problem, burim të vetin e ka në Beograd. Këto ditë pamë një mori spektaklesh dhune e terrori qe strukturat kriminale serbe, zbatuan kundër forcave paqeruajtëse ndërkombëtare të KFOR-it. Serbia mbron dhe menaxhon vet strukturat mafioze e kriminale në veri të Kosovës, kulminacioni i të cilit është arritur me vendosjen e barrikadave në rrugën urbane duke penguar lëvizjen e lirë, jo vetëm për qytetarët. Me këtë pasqyrë, Serbia fqinje mëton të merr statusin e kandidatit të BE-së, pavarësisht se politika e saj vazhdon të jetë trashëguese tipike milosheviçiane, luftënxitëse e dhunshme dhe me tendenca për zhvatje territoresh ndaj shteteve fqinje. Serbia, gjithashtu ka aplikuar politikën e standardeve te dyfishta: 1-Dialogu me Kosovën, duke arritur disa marrëveshje qe ende nuk zbatohen në terren, 2. mbajtja nën kontroll të vazhdueshëm të strukturave të saja kriminale në veriun e Kosovës, elemente këto që sulmuan dhunshëm qytetarët evropian qe veprojnë në shtetin tonë në kuadër të KFOR-it. Me sulme kundër ushtarëve evropianë, austro-gjerman, Serbia përpiqet të sfidojë standardet e BE-së, të cilat kërkojnë paqe të qëndrueshme dhe afatgjate me fqinjët. Serbia mban në kushtetutën e sajë Republikën e Kosovës. Me këtë “peshqesh” shteti serb, vazhdon rrugën “evropiane” të saj. Nëse BE-ja, mund ta “hajë”, këtë specie, do jemi dëshmitarë se bashkësia e kombeve europerëndimore, do ta pësojë me Serbinë, shumë me keq se sa me Greqinë. Kjo për faktin se shtetet e BE-së, funksionojnë në bazë të politikave diversive të shteteve të pavarura, e ku shteti serb (me mbështetjen e Rusisë), mund të krijojë blloqe edhe më të theksuara përçarëse. BE-ja nuk mundi ta disiplinojë Greqinë, as politikisht e as ekonomikisht, dhe e njëjta specie, (mos edhe më keq), mund të ndodhë edhe me Serbinë.
Paqja e brishtë në Ballkan
Paqja në Ballkan, vazhdon të kërcënohet herë pas here, duke dhënë sinjale të qarta se lënia pas dore e kësaj pjese të Evropës, mund të rrëshqasë në një fazë të re konfliktesh. Serbia mbetet kërcënuesja kryesore e paqes në Ballkan. Me disa koka kriminelësh të dorëzuar në Hagë, Serbia bleu liberalizimin e vizave, ndërsa tash me disa banda kriminelësh, të cilët hapin e mbyllin rrugët, mëton të merr statusin e kandidatit për në BE. Bashkimi Evropian në vend që ta ndëshkojë Serbinë, për aplikimin e politikave dhunë nxitëse, Brukseli vazhdon t’i ofrojë Beogradit leksione lehtësuese. Si është e mundur qe Serbia të ketë kaq përafrime me Brukselin, e Kosova, një shtet i ri i menaxhuar nga autoritete ndërkombëtare, (KFOR, UNMIK, EULEX) e ngritur nga elemente evropiane, (Plani i Ahtisarit), të jetë vendi i privuar jo vetëm nga përfshirja në dialogun e integrimit, por të jetë i mohuar edhe nga lëvizja e lirë qytetare (liberalizimi i vizave). Nëse merren parasysh kriteret bazë për anëtarësim në BE, Shqipëria është akter dhe potencial kryesor për integrime evropiane. Më prapa nuk mbetet as Kosova, e cila në politikat e saja të jashtme, por edhe në aspektet juridiko-kushtetuese, bazohet mbi parimet euroatlantike. Nëse BE-ja mendon se përkëdhelja e të lazdruarit është mënyra më e mirë për ta disiplinuar(qasja e butë ndaj Serbisë), Brukseli duhet të llogarisë në një krizë të re të dhunës në Ballkan. “Luani nuk zbutet duke ngrënë”. BE-ja, nuk mund të llogarisë gjithnjë në objektivat e saja, se zgjerimi i vazhdueshëm me shtetet ballkanike, mund të jetë politikë efektive e saj. Nëse Brukseli ka në plan të ‘zbusë’ egërsinë ballkanase, atëherë përse BE-ja nuk pranon në gjirin e vet të gjitha shtetet ballkanike. Pavarësisht se është investuar shumë për bashkimin e kontinentit të vjetër, kriteret bazë për paqe dhe siguri, duhet të jenë provimet e para për një shtet, pretendent për anëtarësim në BE. Këtë dëshmi nuk e ka dhënë Serbia. Mjafton t’i vihet një sy medieve serbe (shtypit, televizioneve, qendrave të politikës zyrtare), për të kuptuar, krejt lehtësisht, se sa “evropiane” është Serbia. Unë mendoj se shtetet e BE-së, edhe pse me opinione të ndara, do ta ndalojnë Serbinë në marrjen e statusit të kandidatit për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Dhe kjo metodikë duhet të vazhdojë deri në dëshmitë e qarta se Serbia vërtet ka plotësuar standardet për integrime evropiane. Serbia tenton marrjen e kandidaturës për BE, duke mbajtur gjallë strukturat e veta ilegale (në veriun e Kosovës), duke menaxhuar dhe financuar ato. Kjo uverturë e Serbisë mbetet kërcënuesja reale kundër shteteve fqinje. Por, edhe sikur të ndodhte krejtësisht e kundërta, Serbia duhet të ndëshkohet për dhunën shumë vjeçare nga elementeve e veta në veriun e Republikës së Kosovës, e jo të shpërblehet për të palarat e saja.
Gjermania shembull unikat për stabilizimin e BE-së
Gjermania vazhdon të tregojë fuqinë e saj pozitive për mirëqenien e vendeve të BE-së, duke kontribuar në stabilitetin ekopolitik të Eurozonës. Gjithashtu, qëndrimi tepër realist i Bonit ndaj Ballkanit Perëndimor, veçmas ndaj Serbisë, po dëshmon se shteti gjerman kërkon principe të qarta për paqe afatgjate dhe liri të kombeve, jo vetëm në zonat e trazuara, por edhe në vet BE-në. Qeveria gjermane më të drejtë, shpreh rezervat e saja rreth vendimit për ndarjen e statusit të kandidatit për Serbinë. "Nga këndvështrimi gjerman është ende e hershme ndarja e statusit të kandidatit për Serbinë", vlerësojnë qarqet qeveritare në Berlin (dv). Vet kancelarja gjermane, Angela Merkel ka thënë se “Serbia nuk është ende e pjekur për të nisur bisedimet e anëtarësimit. Deri tash nuk janë siguruar parakushtet për ndarjen e statusit të kandidatit për Serbinë. Rruga e Serbisë për në BE kalon vetëm përmes normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën". Edhe ministri gjerman Verner Hoyer vlerëson se gjendja është ende tepër e pakënaqshme për ti dhënë Serbisë dritën e gjelbër. “Ne duhet te dimë me saktësi se për ç’fare është rënë dakord Serbia, në lidhje me çështjet e fqinjësisë. Incidenti me ushtarët austriakë dhe gjermanë është jashtëzakonisht serioz dhe qeveria serbe duhet ta dijë qe kur ajo nuk i shmang gjeste të tilla, atëherë kjo është një pengesë qe të bën të dështosh”. Disa barrikada kanë filluar të lëvizin, por situata ende mbetet jo stabile, përderisa mungon edhe liria e lëvizjes së lirë, jo vetëm qytetare. Për të dëshmuar situatën e pandryshuar në terren, mjafton vetëm një qasje nga afër në pjesën veriore të Mitrovicës, ku paralelisht mjeteve motorike të KFOR-it, sigurinë e bëjnë edhe elementet kriminale të udhëhequra dhe menaxhuara nga Serbia “evropiane”, alias milosheviçiane. Këtë e dëshmon vet deputetja e Partisë Radikale Serbe, Vjerica Radeta duke kërkuar që Serbia ta ‘dëbojë’ misionin e BE-së nga Kosova EULEX-in, me arsyetim se situata ka përshkallëzuar që nga ardhja e tij. “Në Kosovë nuk do të ndodhë asgjë, nëse largohet EULEX. Serbia duhet të negociojë me Kombet e Bashkuara rreth zbatimit të Rezolutës 1244 të KS si dhe mbi mundësinë e kthimit të ushtarëve e policëve serbë në Kosovë”. Kërkohet vetëm një logjikë normale për të kuptuar kërcënimin zyrtar qe Serbia vazhdon të bëjë në adresë të Kosovës. Po me këto variacione, ngritët dhe funksionon politika zyrtare e Beogradit e udhëhequr nga Tadiçi e Jeremiçi. Për ta kuptuar se çfarë shteti evropian është Serbia, këtu nuk ka nevojë për ndonjë analizë më të hollësishme.
A mund t’i pranojë Brukseli, milosheviçët e vegjël?
Serbia realisht proklamon politikën e Milosheviçit. Në fakt, partitë dhe forcat politike në Beograd, nuk e kanë rrëzuar Milosheviçin nga pushteti, por e kanë shituar atë për t’u “ndarë” nga përgjegjësia historike qe bartë ky shtet fqinj, për tërë gjenocidin dhe terrorin ndaj popujve fqinj. Milosheviçi e okupoi Kosovën nën tendencën e shpopullimit nga shqiptarët dhe kolonizimin me serbë, kryesisht të ardhur nga vatrat e krizave nga luftërat e mëhershme. Por, edhe sot Serbia e Tadiçit, vazhdon ta cilësojë Kosovën provincë të Serbisë (Kushtetuta hegjemoniste serbe). Dhe vetvetiu shtrohet pyetja se, a mund ti pranojë Brukseli, milosheviçët e vegjël?
Me la përshtypje tej mase, qasja reale e publicistit, Dimitrije Boarov, i cili pohon se zhvillimet e fundit në veriun e Kosovës, dëshmojnë qartë se Serbia ende mendon për Kosovën si në kohën e Milosheviçit. “Problemi qëndron në faktin se pushteti pas vitit 2000 nuk është përbërë prej forcave politike të cilat janë shkëputur nga politika nacionaliste e Milosheviçit. Kuptimi tradicional i shtetit dhe kombit edhe më tej mbetet pika qendrore e pushtetit dhe programeve ideologjike në Serbi”. Edhe sociologu Aleksej Kishjuhas vlerëson se në qarqet qeveritare ende ka forca që nuk janë çliruar nga trashëgimia e regjimit të Milosheviçit. “Ky lloj kontinuiteti nuk është ndërprerë. Prandaj nuk të befason fakti që edhe sot po përballemi me problemet dhe temat e njëjta, që edhe sot kemi barrikada dhe gjëra të tilla që kemi pasur më parë. Elitat politike nuk kanë guxim që t’i japin fund kësaj politike, sepse kanë mbetur robër të sondazheve dhe frikës. Ata i kanë shitur në politikë vlerat e veta njerëzore”. Pikërisht me mungesën e vlerave, njerëzore (hiq evropiane), Serbia pret të merr statusin e kandidatit për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Nëse BE-ja i qëndron besnike parimeve evropiane si standard paraprak, për Serbinë duhet shumë kohë qe kjo të shërohet një herë e mirë nga sëmundja e vet hegjemoniste e ultranacionaliste. Ndryshe, nëse Bashkimi Evropian, pranon në gjirin e vet një autoritet të padisiplinuar, të lazdruar dhe të kompleksuar me mendësinë e shekullit XIX, është çështje tjetër, por realisht kjo ka shumë pak gjasa qe të ndodhë. BE-ja, gaboi me Greqinë, dhe kjo nuk duhet të përsërisë të njëjtën aventurë edhe me Serbinë. BE-ja nuk është shkollë riedukimi për të padisiplinuarit, por vlerë unikate, bashkësi e kombeve të civilizuara. Serbia vazhdon të jetë rebeluesja dhe kërcënuesja reale e paqes edhe ashtu të brishtë ne Ballkan, e cila kultivon ambicie milosheviçiane për eksterritore ndaj shteteve fqinje. Brukseli duhet seriozisht qe ti merr për bazë kërcënimet, para se këto të marrin përmasa të paparashikueshme.
* Dërguar nga autori, publicist dhe drejtor për marrëdhënie me publikun në Institutin për Hulumtime dhe Analiza të Politikave Ekonomike