Durrës, 9 dhjetor 2011, NOA- Presidenti i vendit Bamir Topi, mori pjesë sot në Takimin e Ministrave të Mbrojtjes të vendeve anëtare të “Kartës Adriatik”- SHBA.
Në fjalën e tij Topi tha se, samiti ministror konfirmon modelin e bashkëpunimit rajonal, ku konfirmoi edhe një herë mbështetjen e plotë të Shqipërisë dhe dëshirën e madhe që të gjitha vendet e rajonit, përfshirë edhe shtetin më të ri, Kosovën, të bëhen pjesë e projektit të përbashkët euroatlantik.
Siç informon agjencia e lajmeve NOA.al, Presidenti theksoi se, “Bindja jonë është se integrimi i të gjitha vendeve në NATO, përbën një garanci reale për forcimin e paqes, stabilitetit dhe zhvillimit demokratik afatgjatë në të gjithë rajonin. Përvoja e deritanishme me vendet tona është dëshmi e kësaj bindjeje, por edhe e suksesit të politikës së dyerve të hapura të NATO ndaj çdo vendi tjetër aspirant. Çështjet e sigurisë nuk lidhen vetëm me misionet paqësore, përgatitjet ushtarake apo financimin e mjaftueshëm politik e ekonomik. Ato lidhen edhe me standardet më të gjerë të demokracisë, fushë që përmbledh një sërë sektorësh të tjerë dhe që përbën edhe më tej një prej sfidave kryesore të bashkëpunimit rajonal”.
Në vijim ai garantoi rolin aktiv të vendit tonë në misionet paqeruajtëse në Afganistan dhe në çdo projekt tjetër në kuadër të NATO-s, për të forcuar marrëdhëniet me NATO-n dhe SHBA-të.
Në këtë aktivitet ishte i pranishëm gjithashtu Komandanti i Komandës së Aleancës për Operacionet në Evropë të NATO-s, Admirali Xhejms Stavridis, Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Aleksandër Arvizu.
a.y/NOA