English

Andis Harasani: PS po jeton si në telenovela

E dini çfarë ndodh me telenovelat? Në fillim të gjithë personazhet janë negativë, pastaj, pak nga pak, të gjithë bëhen personazhe pozitive, ndërsa kush mbetet si në fillim është vetëm përjashtimi që përforcon rregullin. A nuk ndodhi kështu dhe me punimet e kongresit që u finalizuan me kryesinë e re? Madje, edhe me profesor Meidanin, PS zyrtare...

Zoti Harasani, në muajin e fundit Partia Socialiste ka bërë disa ndryshime e rifreskime të strukturave të saj drejtuese e organizative, duke nisur me Kongresin e 5 nëntorit. Çfarë përshtypjesh ju lanë punimet e tij?

Pak, fare pak përshtypje. Si rrallë herë një kongres i partisë sime, pothuaj më la indiferent. Dikur ne në PS, Rama bashkë me ne të gjithë, i urrenim telenovelat, kësaj radhe kongresi ishte një seri telenovele, ku skenaristi dhe regjisori, ishte dhe aktor kryesor. E dini çfarë ndodh me telenovelat? Në fillim të gjithë personazhet janë negativë, pastaj, pak nga pak, të gjithë bëhen personazhe pozitive, ndërsa kush mbetet si në fillim është vetëm përjashtimi që përforcon rregullin. A nuk ndodhi kështu dhe me punimet e kongresit që u finalizuan me kryesinë e re? Madje, edhe me profesor Meidanin, PS zyrtare u soll njëlloj si me këta personazhe. Në kongres, ai u sulmua ashpër, ndërsa për hapat e panumërt të gabuar që PS ka hedhur, sidomos në këto dy vite, pasoi një heshtje e gjatë kolektive a thua se edhe faji për këto hapa ishte dhe është po kolektiv. Antiberishët dhe antiramët, u votuan më shumë nga të gjithë, por kush nuk u votua nuk u mor vesh, edhe antiberishët edhe antiramët apo as antiberishët dhe as antiramët. Askush nuk e tha që nga sekretariati të gjithë ikën përveç Fatmir Xhafaj dhe Blendi Klosit, pra edhe në 2009 dhe edhe në 2011 organizimi dhe koordinimi kanë qenë perfekt, natyrisht edhe Kryetari, kurse gjithçka tjetër nuk ka funksionuar?!!!!! Tjetër nga kongresi? Më ra në sy afrimi i kartës së anëtarësisë në PS për Erion Veliajn. Një akt dhe fakt që u duartrokit sikur të duhej që me to të harrohej fakti që Veliaj ka dy vjet anëtar i asamblesë, por pa qenë anëtar i PS-së.

Epilogu pastaj ishte i pritshëm dhe nuk pati as befasinë e telenovelave. Nëse Rama beson vërtetë se kryesia e re do të funksionojë vetëm duke larguar prej saj kritikët e tij, atëherë kjo do të ishte një shenjë e keqe sepse do të tregonte që në PS ka rivalitet shifrash dhe jo rivalitet idesh. Është interesante që këtë shenjë, pikërisht këtë shenjë, Rama e lexon se prapthi. Personalisht jam skeptik që Rama ka të drejtë në këtë pikë. Do të doja të isha gabim, por kjo gjë do të verifikohet shumë shpejt dhe përfundimisht, sidomos, kur të mësohen emrat e rinj të deputetëve. Deri tani, jemi prezantuar vetëm me kuptimin e ri te fjalës “spastrim” që në këtë kontekst do të thotë, largim për disa dhe afrim për disa që të ketë sa më shumë shpina për të mbajtur dështimin e radhës. Kjo në fakt është mënyra më manipulative e të bërit politikë. Të largosh ata të cilët kanë staturën për t’i thënë gjërat me emrin e tyre dhe të afrosh ata që importohen vetëm se të mbushin me ledhe, është si të zëvendësosh pasqyrën me letrën e aluminit, me argumentin se kjo e fundit është më fleksibël.

Disa e cilësuan atë si Kongresin e bashkimit të socialistëve e disa të tjerë si ngjarjen që shfaqi një tjetër PS përpara publikut, e gatshme të kandidojë dhe fitojë zgjedhjet e 2013-ës. Programi politik i prezantuar aty u paraqit si një dokument tërësisht i majtë, duke lënë pas idetë e dështuara si ajo “përtej të majtës e së djathtës…”. Si do ta vlerësonit këtë program? A mjafton si alternativë qeverisëse?

Si në të gjithë shoqërinë shqiptare, edhe në PS, njerëzit marrin pozicion dhe pozicionohen edhe përpara se të arrijnë të lexojnë, në këtë rast programin. Kështu, kush voton për PS-në tha se ai është programi që do të shpëtojë Shqipërinë, kush voton PD-në, tha se ishte një program marksist. Për kë ndodhet në mes, nuk para ka shume hapësirë për të folur. Pse? Sepse zakonisht e vërteta qëndron në mes. Programi ishte një sinteze, por i mungonin detajet. Zakonisht, puna nis me detajet për të bërë sintezën. Dokumenti siç u pranua nga vetë Rama, nuk ishte as program politik dhe as program qeverisjeje, por diçka tjetër që as vetë nuk e tha as në mbledhjen e asamblesë as më vonë. Ne realitet, dokumenti ishte një projekt liste ende jo e plotë dëshirash, ku binin në sy disa dëshira të majta, sepse ende i mungonin zhvillimet e mëtejshme, burimet e realizimit të këtyre dëshirave, rrugët për arritjen e tyre, afatet dhe detajet. Në PS zgjohen të bëjnë të kundërtën duke lënë djallin të bëjë gjumin e tij, po në detajet që mungonin. Besoj se për programin do të duhej shumë më shumë debat dhe diskutim, që për të të mos krijoheshin ide dhe bindje duke dëgjuar titujt e gazetave në mëngjes nëpër televizione dhe pastaj për të bërë tifozin e radhës që thërret për terror apo për dëshmor, për të hyjnizuar apo kurbanizuar e kryqëzuar. Ndaj them që për të ecur përpara, duhet të kuptojmë se çfarë keni lënë mbrapa. Sot ka një pyetje që duhet të marrë përgjigje: duhet të vazhdojë debati edhe publik, apo të heshtim dhe të bëjmë sikur menaxhojmë individë me qejf të mbetur duke krijuar klane që janë njëri kundër tjetrit, që kryetari ta ketë më të lehtë që të jetë mbi të gjitha klanet dhe pjesë e secilit klan njëherësh apo të vendosim disa parime vlerash, kontributesh dhe përkushtimi që nga socialisti i thjeshtë dhe deri tek kryetari i partisë? Ne jemi përkushtuar për opsionin e parë dhe do të vazhdojmë me këtë bindje, pavarësisht tendencave për diversion e përçarje apo në disa raste, edhe e shpërndarje karamelesh e copa keku. Sepse kur folëm pas zgjedhjeve të 2009, na kritikuan përse folët “pas pilafit” tani duhet të heshtni, kurse kur folëm në 2011 para zgjedhjeve na thane “duke folur ju PS humbi”; pra mesazhi është në çdo rast heshtni pra jepini “gomarit ujin që do vetë, as të ngrohtë dhe as të ftohtë, ndërkohë që as vetë gomari nuk e di se çfarë uji do”.

Nga periudha qershorgusht e këtij viti deri në periudhën shtator-dhjetor, në PS kanë rrjedhur shumë ujëra. Në periudhën e parë selia rozë cilësohej një parti radikale, e cila kërkonte derdhjen e qytetarëve në rrugë për të mbrojtur një mandat, sipas saj, të vjedhur. Ndërsa, në periudhën e dytë, pas rikthimit aktiv të z. Rama në publik, PS-ja është shfaqur me një tjetër fytyrë, më e butë, duke bërë thirrje për bashkëpunim me të gjithë faktorët opozitarë. Nga këndvështrimi juaj, a ka pasur një reflektim nga lidershipi i PS? A është ajo realisht një parti më e hapur apo thjesht ky është një makijazh, i ngjashëm me ngjyrat e pallateve të Tiranës?

Lufta më e vështirë në këtë botë, është lufta për ide, ndeshja dhe përballja e opinioneve të ndryshme. Në një fushë beteje si ato të djeshmet, me dy ushtri ballë për ballë në fushë të hapur, me tyta topash ndaj njëri-tjetrit, fituese ishte ajo ushtri që qëndronte në fushë beteje deri në agimin e të nesërmes. Pavarësisht numrit të të vrarëve, pavarësisht se nuk i hynte askujt në pune fusha me baltë, fitimtari ngjante i zgjedhur. Një fushë beteje e sotme dhe e nesërme, në këtë botë që kërkon t’i drejtohet paqes nëpërmjet luftës, lidhet sidomos me kompjuterët dhe teknologjinë apo dhe me ndeshjen e ideve. Këtu është shumë e vështirë të përcaktohet se kush ka fituar dhe kush ka humbur. Po t’i përziejmë të dy konceptet, Ramës i ka mbetur fusha në dorëzim. Ai madje i largoi “armiqtë” e tij, por çuditërisht, tani po operon me idetë e tyre. Duke nisur që me fundin e bojkotit, me kthimin në Kuvend dhe votimin e ligjeve të nevojshëm për integrimin e vendit. Pastaj po të flitet për përfshirje të të gjithë aktorëve të vjetër dhe të rinj në PS, më duhet të pyes se ku ndodhet Nano, Meidani, Islami, Bufi, Agasi, Haxhiymeri, Pino, Ulqini, Stefa, Allushi, Kerri dhe shumë e shumë të tjerë, të njohur nga shqiptarët, por të harruar nga Rama. Janë dhe qindra e qindra socialistë të tjerë që janë të mënjanuar në rrethet e tyre ku ndodhen, që janë spostuar me votime të telekomanduara apo të fshirë nga goma e fortë e deputetëve fuqiplotë si të ishin viza me laps plumbi në letër dhe jo militantë që kanë sakrifikuar për PS-në. Në këtë këndvështrim, nuk shoh reflektim nga lidershipi i PS-së, por vetëm një përdorim ngjyrash të reja mbi të njëjtin mur të vjetër.

Ju dhe zoti Islami keni mbetur jashtë strukturave drejtuese të selisë rozë, çka edhe pritej, qoftë në punimet e Kongresit, por qoftë edhe nga marrëdhënia juaj e komplikuar me kryetarin e PS. Cili do të jetë vendi juaj në këtë Parti Socialiste, kur tanimë mbani veç rolin e deputetit të thjeshtë?

Rasti im dhe i zotit Islami është rasti i moralit të keq në politikë. Çfarë kemi bërë në këto dy vjet? Absolutisht asgjë më shume sesa kemi qenë të sinqertë me veten, me votuesin socialistë dhe me gjithë qytetarët. Kemi thënë me zë të lartë dhe në publik, atë që shumica dërrmuese e kolegëve të mi socialistë, shpesh edhe në mënyrë shumë arrogante, thoshte për kreun e PS-së, për lëvizjet politike të PS-së e gjithçka tjetër të debatuar në këto dy vite. Për shembull, kam dëgjuar një grevist urie që para se të hynte në grevë apo dhe kur doli prej saj, e quante një gjest të tillë si një gomarllëk. “Hyra në grevë sepse ashtu deshte Rama”, justifikohej me mua e me të tjerë, duke dëshmuar në këtë rast, më shumë se mungesë respekti ndaj Ramës, një tallje të përbindshme me veten. Përballë tij dhe shumë të tillëve, as unë dhe as Islami, nuk jemi heronj. Jemi vetëm të sinqertë, jemi të vërtetë. Por natyrisht nuk mund të lejojmë të seviremi nga një kamerier që edhe në lokalin e tij të ishte, do të ngjante po aq figurë sa ngjan tani që bën sikur është në politikë. I respektoj pafund kamerieret, por në politikë, ata nuk e kanë vendin. Rama është ndryshe nga ne në këtë pikë. Mesazhi i dhënë nga restoranti luksoz në Ndroq ishte i thjeshtë. Ndërkohë që kamerierët e ndiqnin me respekt mbledhjen tonë, ndonjë kamerier ishte madje pjesë e mbledhjes, mesazhi që u dha ishte i qartë, po të thotë kryetari që në mes të ditës, në qiell ka dalë hëna, mos u bëni budallenj, por ngrini kokën lart që të përshëndesni hënën. Ndryshe, do të qëndroni jashtë, ndryshe do të jenë pjesë e mendimit ndryshe, ndryshe, do të quheni armiq.

I qëndroni mendimit për të kandiduar për kryetarin e PS-së së Tiranës? Dhe në rast se e humbisni garën, çfarë qëndrimi do të keni ju brenda selisë rozë?

Nëse vendos të hyj në garë, mos prisni që të flas për humbjen. Nuk jam nga ata djem që i konsideroj humbjet si fitore. Si individ kam shumë opsione të ndershme përpara vetes për të zgjedhur, të gjitha ato opsione konvergojnë në një pike që t’i jepet shqiptarëve një qeverisje që e meritojnë realisht.

Pak ditë më parë, Asambleja Kombëtare e PS-së zgjodhi Kryesinë e re socialiste dhe Sekretarët Organizativë, ku ashtu siç pritej, emri juaj nuk ishte propozuar nga kryetari Rama. A gjeni arsye reale në këtë mënjanim dhe ç’vlerësim keni për Kryesinë e re?

Jam shprehur disa herë për një gjë të tillë. Po të ishte se më nevojitej të isha në kryesi, e dija mirë mekanizmin sesi do ta realizoja një gjë të tillë. Shumë të tjerë e bënë. Sepse shumëkush vrapon drejt një karrigeje, shpesh edhe pa parë se i ndodh të ulet në këmbët e saj. Shpesh ato lloj karrigesh janë të përmbysura. Se çfarë do të ndodhë me kryesinë e re, mbetet të pritet. Shpresoj të mos ketë fatin e kryesisë së vjetër, e cila gjysmën e mandatit të saj nuk arriti të mblidhej sepse shumica e saj ishte kritike ndaj kryetarit. Të mos harrojmë, si të vjetrën, si të rënë, Rama e ka projektuar vetë, pastaj po vetë kujton se ndryshojnë të tjerët dhe ndryshon dhe ai vetë qëndrim, forme dhe pamje, njëlloj si ngjyrat që ekspozohen gjatë në diell.

Ju jeni mjaft aktiv në komunikimet me mbështetësit tuaj në rrjetet sociale në internet. Madje, në një nga këto komunikime ju shprehët vendimin për të mos pranuar detyrën që ju ishte ngarkuar, si pjesëmarrës në grupin e punës për energjinë, për arsye se keni plane të tjera. Çfarë mund të nënkuptohet me këtë? Ndoshta, një largim i mundshëm nga PS-ja dhe krijimi i një force të re politike?

Të gjitha mundësitë janë të hapura. Ju thashë dhe më parë që kam disa opsione të ndryshme dhe të ndershme përpara vetes dhe sidomos, në raport me PS-në dhe mundësinë e rikthimit të saj në pushtet. Gjykoj se një individ i angazhuar në politikë si unë dhe si gjithkush tjetër, mund të bëjë në të njëjtën kohë edhe ushtarin, edhe kolonelin, por vetëm atëherë kur të njëjtën gjë e bën vetë gjenerali. Sa kohë ai i jep artilierit pushkën, rrobaqepësit të batalionit i jep bisturinë e mjekut, kurse mjekun e vë të bëjë harta sulmi, atëherë gjithçka përmbyset. Në këtë kuptim, sikur dikush t’i thoshte Ramës të provonte të kandidonte për kryetar komune diku, ai i pari nuk duhej të pranonte sepse do të ulte standardin. E njëjta gjë dhe për mua. Pranova që të mos pranoj një detyrë që nuk më takonte.

Shpesh e keni kritikuar z. Rama se ai nuk të përjashton nga partia, por të lë pa punë në parti. Megjithatë, kohët e fundit ai duket sikur ka reflektuar këtë kritikë tuajën dhe me ndryshimet e fundit, shumicës së deputetëve u ka dhënë nga një detyrë. Një prej të cilave, ju nuk e pranuat…

Edhe era që fryn e hap dhe e mbyll derën. Por të hapesh dhe të mbyllesh derën për mua nuk është punë. Meqë e nisën me një krahasim ushtarak më përpara, po e vazhdoj dhe pak më tej. Vetëm në ushtrinë e Enver Hoxhës të ngritur sipas parimeve komuniste, thuhej se ushtari nuk duhej lënë fare pa punë, që dhe kur nuk kishte asgjë për të bërë, duhej të detyrohej të bënte diçka, qoftë dhe të padobishme sepse ndryshe, do të fillonte të mendonte. Rama e mendon ndryshe një gjë të tillë. Ai nuk përjashton, ai nuk lejon të punosh që pastaj të mendosh vetëm për të dhe raportin me të.

Ju keni vite që aderoni në Partinë Socialiste si një nga figurat më aktive të saj, qoftë në periudhën kur kryetar i saj ishte z. Nano, qoftë pas vitit 2005 nën drejtimin e Ramës. Prandaj, jeni në dijeni të dinamikës së brendshme të kësaj partie apo frymës që ka ekzistuar dhe ekziston aty. Aktualisht, a ekzistojnë rryma në PS, përjashto këtu frymën kritike që përfaqësoni tashmë ju dhe z. Islami?

Ka rryma në PS, por më shumë ka rryma në kafenetë ku qëndrojnë politikanët e PS-së. Aty ata janë të gjithë kundër të gjithëve dhe më së pari, janë kundër vetes. Një miku ynë i përbashkët ka një përshkrim të jashtëzakonshëm për profesionin deputet. Sipas tij, nuk ka punë më të mirë se sa të jesh deputet. Bëhesh i njohur, merr një rrogë të mirë, nuk të kërkon kush hesap pse nuk di të bësh asgjë, parkon ku të duash makinën, mund të grindesh me policët dhe ata të kërkojnë ndjesë, del në televizor dhe të duket vetja zotëri. Ka vetëm një të keqe të vogël. Njëherë në katër vjet të duhet të marrësh vota dhe atëherë kupton se nuk të njeh asnjeri dhe se nuk di të bësh asgjë. Për t’u rikthyer seriozisht në pyetjen tuaj, ka frymë të ndryshme dhe grupe të ndryshme në PS. Më mirë se kushdo, ato i njeh Rama. Ka grupe të kalcifikuara që përpara se Nano të hynte në PS dhe do të vazhdojnë të jenë, vetë apo me fëmijët e tyre edhe kur Rama dhe unë të jemi larguar nga PS-ja. Ky është një nga problemet kryesore të PS-së që bëhet edhe më i rëndë për shkak se PS-ja po e pranon kështu siç është këtë realitet pa pasur asnjë dëshirë për ta ndryshuar.

Kryetari Rama ka hedhur në treg një libër biografik të tijin për 11 vitet e drejtimit të Tiranës. Nëse e keni lexuar librin, çfarë prisnit të gjenit dhe çfarë gjetët aty?

Sigurisht që e kam lexuar dhe i kam marrë dhe një autograf të cilin ma kërkoi një njeri shumë i dashur i familjes time. Siç e kam thënë dhe diku gjetkë, në atë libër nuk gjeta Ramën që njoh unë. Jam i bindur se edhe Rama nuk gjen vetveten siç e njeh ai. Unë do të zgjidhja të mos bëhesha pjesë një debati pro e kundër librit të Ramës, por do të thosha se aty gjen faqe të tëra për një drejtor telekomi, por asnjë rresht për zgjedhjen e Topit si President, që ka qenë një nga momentet më të rëndësishëm politike në karrierën e Ramës. Në libër përshkruhet me ngjyra të ndritura një kryetar fshati në një komunë dhe nuk flitet një rresht për betejën me Ngjelën dhe akuzat e Ngjelës pas fushatës së 2003 ose qoftë dhe një fjalë për njerëzit që e ndihmuan Ramën më shumë në fushatën e 2007 dhe të 2011 për Tiranën. Solla këto dy shembuj për të shpjeguar diçka që vërtetë nuk e kam kuptuar realisht. Mënyra sesi shpjegohet koncepti i mirënjohjes në librin e Ramës dhe ashtu siç e njeh morali njerëzor apo dhe fjalori i gjuhës shqipe, nuk kanë asnjë lidhje me njëri-tjetrin.

Fund, marrë nga revista “Klan”

KOMENTE