Paris, 10 dhjetor 2011, NOA- Në vijim të qëndrimit të tij në Francë, Kryeministri Sali Berisha u prit në takim nga homologu francez Francois Fillon.
Siç raporton agjencia e lajmeve NOA.al, Berisha e njohu Fillon me reformat e ndërmarra nga qeveria shqiptare dhe rezultatet e tyre, si dhe programin e investimeve që ajo ka ndërmarrë me qëllim modernizimin dhe zhvillimin e vendit.
Ai e siguroi Kryeministrin Fillon se integrimi europian përbën objektivin madhor të qeverisë së tij dhe gatishmërinë për të ndërmarrë të gjitha reformat dhe masat e nevojshme në këtë drejtim.
Në panoramën e bërë për situatën politike në vend, Kryeministri theksoi se, pas dy vjet bllokimi të jetës politike nga opozita, i cili dëmtoi interesat e vendit, ajo pranoi ofertat politike të bëra nga maxhoranca gjatë dy viteve dhe tashmë situata politike dhe jeta parlamentare janë normalizuar dhe një sërë reformash me rëndësi për procesin e integrimit europian, përfshirë atë zgjedhore dhe miratimin e ligjeve me shumicë të cilësuar, kanë filluar të zbatohen.
Në vijim u bisedua edhe për situatën në veriun e Kosovës dhe atë në rajon ku Kryeministri Berisha theksoi se ruajtja e kufijve aktualë dhe fokusimi tek integrimi europian janë vitale për paqen, stabilitetin dhe prosperitetin e rajonit.
Kryeministri theksoi disa histori suksesi të investimeve madhore franceze si kompanitë në prodhimin e dokumenteve biometrike të identitetit dhe disa të tjera që janë shembull për investime të mëtejshme duke shprehur interes në fushat e bashkëpunimit dypalësh.
Të dy kryeministrat u ndalën tek energjia e rinovueshme, projektet për transportin publik në Tiranë, modernizimi i administratës publike, projektet në bujqësi dhe pastrimi i ujërave si fusha me interes për investime apo ku Franca mund të ofrojë ekspertizë dhe asistencë.
a.y/NOA