Podujevë, 10 dhjetor 2011 – E ka quajtur Batajnicën Holokaustin e dytë në Evropë dhe ka vënë dyshime të mëdha se kufomave shqiptare para se të varroseshin u janë marrë organet.
Përfaqësuesi i shoqatës për persona të zhdukur dhe viktima të luftës “Përkorë”, Latif Mehmeti, duke komentuar disa raporte të Komitetit Ndërkombëtar për Persona të Zhdukur (ICMP) të vitit 2001 dhe 2004, ka thënë se në luftë askush nuk ka pasur kohë që t’i varrosë në varrezë masive viktimat shqiptare nëpër arkivole, citon sot e perditshmja e Kosoves, "Koha".
“Kjo lë hapësirë të mjaftueshme për të dyshuar se trupat e viktimave shqiptare para se të varroseshin kanë kaluar nëpër duart e mjekëve, e që nënkupton marrjen e organeve”, është shprehur Latif Mehmeti.
Përfaqësuesi i shoqatës “Përkorë” ka thënë se sipas informatave që dalin nga raporti i antropologut të lartë të ICMP-së, Mark Skinner, ka bazë për të dyshuar se në varrezat masive në Batajnicë kanë ndodhur gjëra për të cilat familjet e të zhdukurve nuk janë njoftuar sa duhet.
“Ta marrim raportin e vitit 2001 që flet për varrezën masive “Batajnica 3” me dimensione 16.70 metra e gjatë, 2.80 m e gjerë dhe 2.5 m e thellë. Në këtë varrezë janë gjetur diku 39 trupa, shumica e të cilëve janë gjetur me mbulesa plastike dhe të vendosur nëpër arkivole të zeza. Kjo është klasifikuar si varrezë primare, që nënkupton se këtu janë varrosur për herë të parë”, ka theksuar ai.