English

Edi Rama promovon “Kurban” në Tepelenë: Kohë e keqe, ditë e bukur

Tepelenë, 10 dhjetor 2011, NOA – Lideri i opozitës, Edi Rama ka mbërritur në Tepelenë për të promovuar këtë të shtunë librin e tij “Kurban”, mes qindra tepelenasve të tubuar në Pallatin e Kulturës të qytetit, raporton agjencia e lajmeve NOA.al.

Gjatë kësaj pritjeje të ngrohtë Edi Rama u tha qytetarëve të Tepelenës se “Kurban”, është një libër që sheh nga e ardhmja, dhe nuk duhet lexuar si një libër kujtimesh.

Sipas tij, kujtimet dhe mbresat janë një pasqyrë tejet e qartë për të parë të ardhmen.

“Keni dëgjuar shumë për librin. Ndryshe nga sa është komentuar për librin ky nuk është një libër kujtimesh. Nuk është një libër për të shkuarën. Por një libër për të ardhmen. Ka reflektime, mbresa e kujtime, si një pasqyrë për të parë të ardhmen. Nuk është një libër për Tiranën, por për Shqipërinë”, u shpreh shefi i selisë rozë, për librin e parë të tij.

Rama duke i ftuar tepelenasit të marrin një kopje të “Kurban” në duar, e cilësoi këtë rrëfim si një libër me propozime konkrete, ku adresohen një sërë problemesh që ka vendi.

“Libri është një kontribut për të adresuar drejtpërdrejtë një sërë problemesh të rëndësishme që ka vendi. Në libër me propozime konkrete. Në libër flas konkretisht për sistemin e sotëm të taksimit në Shqipëri. Ky është një sistem i gabuar dhe pabesisht i mbrapshtë. Zhvillimi i qëndrueshëm i vendit kërkon adresim të drejtpërdrejtë”, nënvizoi Rama, duke theksuar se “Të vetëdijshëm për shtimin e numrit të të papunëve, për rritjen e nivelit të korrupsionit, rritjen e barbarisë sociale, domosdoshmëri një politikë e re”. Duke iu referuar pjesëve të librit të tij, Edi Rama theksoi se është domosdoshmëri e ethshme ndërtimi i një Shqipërie të re.

“Qytetet tona kanë nevojë për plane konkrete zhvillimi. Po treten vlerat e tyre sociale, historike dhe turistike. Ne duam të ndërtojmë një Shqipëri të re demokratike dhe social”, u shpreh kryesocialisti Rama në promovimin e librit të tij të parë “Kurban” në Tepelenë.

Mandej kryesocialisti do t’i shprehte me këto fjalë impresionet e këtij takimi të ngrohtë me qytetarë tepelenas, të rinj, ë reja dhe veteranë.

“Kohë e keqe, ditë e bukur”, shprehet Edi RamaTwitter.

mit/NOA

KOMENTE
  • Enco Grimaldi18:01 - 10 Dhjetor 2011
    Po nga fshatrat e Tepelenes a kishte njeri