English

Festat, Kryebashkiaku: Kush rrit çmimet në tregje do të përballet me ligjin

Tiranë, 10 dhjetor 2011, NOA Update – E pranishme çdo vit, frika për rritjen e çmimeve në mënyrë abuzive në prag të festave të fundvitit duket se do të fashitet.

Në vigjilje të Festave të Fundvitit, atëherë kur qytetarët bëhen gati të shpenzojnë për të festuar bukur netët festive të Krishtlindjes dhe Vitit të Ri, të gjithë janë ndeshur me rritjen në mënyrë abuzive të çmimeve, por këtë vit në kryeqytet është ngritur një task-forcë për parandalimin e rritjes abuzive të çmimeve me shumicë e pakicë për mallrat e shportës, raporton agjencia e lajmeve NOA.al.

Lajmin e mirë për të gjithë qytetarët e ka bërë me dije, vetë Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha gjatë një takimi me përfaqësues të biznesit dhe tregtarëve në qytetin e Tiranës.

Kryebashkiaku i Tiranës theksoi se bizneset do të përballen me ligjin në rast se dukuria e rritjes së çmimeve në mënyrë abuzive do të “ngrejë kokë” përsëri këtë vit.

Kryebashkiaku Basha e bëri të qartë për të gjithë se Bashkia e Tiranës nuk do të lejojë që dukuria e rritjes abuzive të çmimeve, që vihet re çdo vit në prag festash të fundvitit të përsëritet edhe këtë vit.

“Të gjithë jemi dëshmitarë se me afrimin e festave të fundvitit, në tregjet e qytetit tonë, ndoshta edhe më gjerë, në vend që të nisë një praktikë e konsoliduar dhe me sens, siç kemi vënë re në vendet e tjera të Europës, ajo e uljes së çmimeve, e skontove të mëdha që lidhen edhe me sasitë më të mëdha të konsumit që shpresojmë, besojmë dhe është normale të kemi për festa, këtu në sektorë të veçantë por domethënës, veçanërisht në sektorin ushqimor, vihet re e kundërta, një rritje galopante, veçanërisht ditët e fundit”, deklaroi kryetari i Bashkisë.

Në këtë këndvështrim, Basha nënvizoi se “Bashkia e Tiranës dhe unë si Kryebashkiak, besojmë tek tregu i lirë dhe nuk besojmë tek asnjë mekanizëm tjetër përveç tregut të lirë, për të vendosur çmimin, por natyrisht nuk do te lejohet abuzivizmi me të. Kurrë nuk do i lejonim vetes sonë të ktheheshim në një trupë apo institucion, që dikton çmimet apo mundohet të influencojë çmimet me politika jashtë tregut. Do të bëjmë gjithçka që abuziviteti me çmimet të mos godasë konsumatorin, të mos godasë qytetarin e Tiranës. Për këtë ka një kuadër ligjor, të cilin ne do ta zbatojmë plotësisht; për këtë ka një kuadër moral, para të cilit ne nuk do të mbyllim sytë, nëse kjo dukuri fillon të “ngrejë kokë” përsëri këtë vit”, tha Basha.

Zoti Basha nënvizoi se do të jetë “Agjencia për Mbrojtjen e Konsumatorit” së bashku me shërbime të tjera të Bashkisë, shërbimin tatimor, Policinë Bashkiake, që do të veprojnë në kuadrin e një task-force, të ndarë në skuadra, roli i të cilës do të jetë shqyrtimi, hulumtimi dhe që do të marrin masat për të frenuar dhe goditur abuzivizmin me çmimet në tregjet e kryeqytetit, një dukuri e vërejtur çdo fundviti në Tiranë.

Për këtë Bashkia e Tiranës, duke nisur nga java e ardhshme do të bëjë publike çmimet me shumicë dhe pakicë të mallrave të shportës dhe fruta-perimeve.

“Bashkia nuk mund dhe nuk do të mbyllë më sytë para abuzivizmit dhe do të përdorim të gjithë instrumentet për ta frenuar dhe parandaluar këtë, në rast se e konstatojmë”, deklaroi prerë kryebashkiaku Basha.

Ndërkohë kryetari i Unionit të Tregtarëve Agroushqimorë, Murat Klobocista, do të shprehej edhe vetë për këtë problem shqetësues e kaq sensitiv për qytetarët e Tiranës, por edhe të gjithë Shqipërisë.

“Me kënaqësi vërejmë se ka ndodhur një ulje e indeksit mesatar të çmimeve, kjo falë edhe rritjes së prodhimit vendas. Të gjithë tregtarët ishin dashamirës ndaj kësaj iniciative që t’i mbajnë më të ulëta të mundshme. Ata patën një kërkesë dhe ne kemi pasur një takim me Drejtorinë e Doganave, që të mos përsëritet fenomeni i zhdoganimit në mënyrë të diferencuar të mauneve kur disa u vonohen dhe disa u lejohen të kalojnë dhe kjo ka ndikuar në rritjen e çmimeve dhe kjo ka ndodhur pas datës 20 kur ka pasur vonesa, qoftë për produktet industriale, qoftë edhe për produktet e konsumit”, tha Klobocista, duke bërë me dije se në dogana ndodh shpesh që të nxjerrin pengesa duke u kapur në disa hapësira që ka ligji dhe disa maune pengohen duke shkaktuar monopolizim.

Lidhur me këtë problem, Kryetari i Bashkisë së Tiranës theksoi se BT do të ngrejë zërin për ta zgjidhur.

“Për çështjen e zhdoganizmit të diferencuar që përmendët, është një shqetësim të cilin e kam dëgjuar edhe vitet e tjera, ne do të ndërlidhemi me Doganën, me Drejtorinë e Tiranës dhe atë të Përgjithshme si dhe do të vendosim edhe kontrollorët tanë, në bashkëpunim me ta, tek stacionet e zhdoganizmit, për të parë nëse kjo problematikë ndodh apo ajo dhe nëse haset kjo problematikë, natyrisht me të njëjtin angazhim që do ngremë zërin në raport me ju, do të ngremë zërin edhe në raport me institucione të tjera, kushdo që të jetë shkaktari. Pra, besoj se ky problem do të shmanget dhe parandalohet”, premtoi kryetari i Bashkisë së Tiranës.

Ndërkaq kryebashkiaku evidentoi edhe problemin e reklamimit “fallco” të uljeve, në rastet kur etiketa tregon ulje çmimi, ndërsa malli realisht nuk është me çmim të ulur.

mit/NOA

KOMENTE