English

Kacin: Pa normalizuar marrëdhëniet me Kosovën, Serbia larg BE

Lubjanë, 10 dhjetor 2011, NOA – Jelko Kacin, raportuesi i Parlamentit Evropian për Serbinë ka përforcuar vendimin e BE-së për mosdhënien e statusit të kandidatit Serbisë, duke deklaruar se përparimi i Serbisë përdrejt anëtarësimit në BE do të varet nga normalizimi i marrëdhënieve me Kosovën.

Duke iu referuar vendimit të Brukselit, eurodeputeti slloven theksoi se “Parakushti i domosdoshëm për përparimin e Serbisë është normalizimi i marrëdhënieve me Kosovën”.

Ai nënvizoi se pa bashkëpunim të plotë rajonal dhe stabilitet asnjë shtet i Ballkanit Perëndimor nuk mund të bëhet anëtar i Bashkimit Evropian.

Kacin, i pyetur nga radio B92 thotë se marrëveshjet e arritura mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel duhet të zbatohen plotësisht.

“Vetëm në këtë mënyrë Beogradi mund të kthejë besimin e luhatur tek anëtarët e BE-së dhe mund të marrë statusin kandidatit në marsin e vitit 2012”, bën me dije eurodeputeti slloven.

Kacin tha gjithashtu se kur të bisedohet për anëtarësimin vendeve të rajonit, Mali i Zi do të jetë udhërrëfyes për Bosnje Hercegovinën, Serbinë, Kosovën, Shqipërinë dhe Maqedoninë.

mit/NOA

KOMENTE