English

Marrëveshjet legalizuese të KFOR

Nga Albin Kurti

Pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, njësoj sikurse para shpalljes së pavarësisë së Kosovës, KFOR-i ka qenë gjithnjë i pranishëm në veri të Kosovës dhe ka operuar atje. Shpallja e pavarësisë së Kosovës me 17 shkurt 2008 nuk e ka ndryshuar marrëdhënien ndërmjet KFOR-it dhe strukturave ilegale të Serbisë në veri. Ata e kanë toleruar njëri-tjetrin dhe kanë pasur njëfarë marrëveshje të heshtur e të paformalizuar që të mos cenohen ndërmjet veti. Publikisht mund të jenë kundërshtuar me deklarata për medie, mirëpo në terren kjo gjë nuk ka prodhuar armiqësi.

Tolerimi i strukturave ilegale të Serbisë ka qenë tolerim i armiqësisë së tyre ndaj shqiptarëve dhe tolerim i krimeve të kryera prej tyre përgjatë 12 viteve e gjysmë që prej përfundimit të luftës. Rasti më i rëndë ishte ai i natës ndërmjet 3 dhe 4 shkurtit të vitit 2000 në veri të Mitrovicës kur para syve të KFOR-it u vranë 11 shqiptarë, u plagosën e lënduan dhjetëra të tjerë, kurse në ditët në vijim u dëbuan 11.364 shqiptarë prej andej. Ndërkaq, rasti më i freskët janë barrikadat dhe barrierat e shumta fizike gjithandej nëpër rrugët në veri të Kosovës që nisën pas djegies së dytë të pikave kufitare 1 dhe 31 më 26 korrik 2011.

Pas aksionit të 25 korrikut, kur u morën pikat kufitare veriore nga Policia e Kosovës, Qeveria urdhëroi sprapsjen dhe ajo u tërhoq nga veriu i Kosovës dhe nga veprimet e mëtutjeshme atje. Me 3 gusht 2011, Komandanti i atëhershëm i KFOR-it, Erhard Buhler, bëri një marrëveshje me kryenegociatorin e Serbisë, Borislav Stefanoviç dhe me të ashtuquajturin ministër të Serbisë për Kosovën, Goran Bogdanoviç, lidhur me pikat kufitare 1 e 31 si dhe për bllokimet e rrugëve atje. Pas kësaj marrëveshjeje, KFOR-i bëri një pajtueshmëri me Qeverinë e Kosovës në 10 pika. Marrëveshja e KFOR-it me përfaqësuesit e Serbisë ishte vulosje e defaktorizimit të Qeverisë së Kosovës në veri ndërsa pajtueshmëria që pasoi me KFOR-in ishte vulosje e dorëzimit të Qeverisë së Kosovës, e dorëzimit të plotë të pushtetit të saj në veri tek KFOR-i.

Tash, së fundi KFOR-i e arriti një marrëveshje të re në veri, kësaj radhe me strukturat ilegale të Serbisë atje, për ta hequr njërën prej barrierave fizike, barrikadën në Jagnjenicë në rrugën Mitrovicë – Zubin Potok. Së pari, pas defaktorizimit dhe dorëzimit të Qeverisë së Kosovës, marrëveshjet e KFOR-it në veri nuk bëhen më as me përfaqësuesit e Serbisë nga Beogradi por me kryetarët e komunave paralele në veri. Ata që ndodhen në atë territor po merren vesh për çështjet e atij territori. Së dyti, heqja e një barrikade në veri është bërë për hir të qarkullimit të lirshëm të KFOR-it dhe s’i dedikohet shqiptarëve apo institucioneve të Kosovës. KFOR-i po merret vesh me strukturat ilegale të Serbisë për veten e tij dhe jo për Kosovën e qytetarët e saj. Dhe, së treti, sërish u dëshmua që nuk bëhet fjalë, thjesht, vetëm për disa banda kriminale serbësh të çakorduara por për struktura të organizuara e të dirigjuara armiqësore. Bandat kriminale nuk merren vesh dhe s’kanë qëllime e plane politike për dallim prej këtyre kryetarëve të komunave paralele të Serbisë në veri që paguhen e dirigjohen prej Beogradit.

Sipas të njëjtës mënyrë, pra përmes marrëveshjeve të strukturave të Serbisë në veri me KFOR-in, janë paralajmëruar heqje edhe të barrikadave të tjera që e kanë bllokuar lëvizjen e lirë në veri të lumit Ibër për më shumë se katër muaj. Kësisoj, strukturat e Serbisë në veri po legalizohen nga KFOR-i si instanca politike dhe institucionale, kurse, në anën tjetër, Beogradi po i eliminon disa nga vështirësitë e fitimit të statusit të vendit kandidat për BE. Me marrëveshje, sovraniteti në veri po ndahet midis KFOR-it dhe strukturave të Serbisë, ndërkohë që po lehtësohet ca edhe rrugëtimi i Serbisë në integrimet evropiane. Barrikadat që më herët i ndanin fizikisht KFOR-in dhe serbët e instaluar prej strukturave të kontrolluara nga Beogradi, po zëvendësohen me post blloqe të përbashkëta të këtyre në po ato rrugë.

Çfarë po bën Qeveria e Kosovës në krejt këtë situatë? Cilat janë qëndrimet e veprimet e saj? Përveçse vëzhgon nga Prishtina, Qeveria e Kosovës është aktive vetëm në Bruksel ku bisedon me Serbinë për çështje të brendshme të Kosovës. Duke ditur që ne s’fitojmë gjë nga këto bisedime, duke ditur që qytetarët e Kosovës po ashtu e dinë këtë gjë, ajo premton udhërrëfyes për liberalizimin e vizave. Pra, përderisa kjo Qeveri merret vesh për kufijtë e Kosovës me Serbinë deri në mosnjohje të tyre, popullit të Kosovës i premton liberalizim të vizave gjë që, në rastin më të mirë, mund të ndodh pas dy viteve.

Serbia po shkon si shtet drejt BE-së, ndërkaq Qeveria e Kosovës po premton se ne do të mund të shkojmë si individë.

KOMENTE