Tiranë, 10 dhjetor 2011, NOA – Vendimi i qeverisë për të mos shpërblyer pensionistët për festat e fundvitit ka shkaktuar reagimin e opozitës. Madje, si në të paktat raste ka nxjerrë në pah një qëndrim të njëjtë mes Ramës dhe kritikëve të tij brenda partisë. Deputeti socialist, Andis Harasani, ditë më parë refuzoi propozimin e Ramës për të qenë në krye të grupit të punës që do të punojë për zbatimin e asaj pjese të programit të PS, që merret me problemet e energjisë elektrike.
Sot, në profilim e tij në rrjetin social Facebook, Harasani duke folur për mungesën e shpërblimit për pensionistët hodhi idenë se si mund të kurseheshin paratë e muguara.
“Po degjoja Ministrin Bode, i cili theksoi se nuk ka fonde buxheti i shtetit për shpërblim për pensionistët për vit të ri. Ja t’i japim një ide të gjithë bashkë. Të heqë fondin prej 5 milionë dollarësh për të prishur piramidën dhe me këtë fond të paguajë nga 5,000 lekë 100,000 pensionistë”, shkruan Harasani.
Pak orë më vonë, po nëpërmjet një rrjeti social, këtë herë në Twitter, kryesocialisti Rama konfirmoi se mbështet zgjidhjen e propozuar nga Harasani.
“Jam dakord me Andisin: Me 5 milionë dollarë u japim 100 mijë pensionisteve 5 mijë lekë për Vitin e Ri dhe nuk shkatërrojmë piramidën!”, deklaroi Rama.
Ministri i Financave, Ridvan Bode, ka konfirmuar dje se, pensionistët nuk do të marrin këtë vit shpërblim me rastin e festive të fundvitit, për shkak të vështirësive financiare.
Sipas tij shpërblime do të ketë vetëm për punonjësit e administratës, të cilët do të marrin një shumë prej 10 mijë lekësh.
Bode ka pranoi sakaq se me amnistinë fiskale nuk u arritën synimet, duke ja vënë fajin për këtë opozitës, pasi sipas tij, qëndrimi i opozitës u bë pengesa kryesore.
a.q/NOA