Tiranë, 10 dhjetor 2011, NOA - Organizata Mjaft prezanton dy studime voluminoze mbi punën e Qeverisë shqiptare me buxhetin nga viti 2006 deri në 2010 si dhe punën dhe transparencën e ministrive ashtu siç ua kërkon ligji. Sa i takon buxhetit, del qartë se, Qeveria shqiptare ka punuar vetëm në një linjë: të bëjë premtime të parealizueshme nga cilado qeveri të ishte.
“Pra thjeshtë premtime irreale. Ndërsa sa i takon Ministrive, në shumicën e rasteve ato nuk kanë qenë të gatshme t’I përgjigjen kërkesave të përfaqësuesve të Mjaft për të bërë transparente veprimet e kryera nga Ministritë, të cilat janë të detyruara t’i bëjnë publike në bazë të ligjit”, thotë Mjaft në raportin e tij.
Në studimin e tij, Mjaft deklaron se ka mungesa të dukshme e gatishmërisë së disa ministrive për të ndihmuar në realizmin e këtij Publikimi, duke mos ofruar Planin e Integruar, në mungesë të së cilit ka mbetur pa u pasqyruar një pjesë e veprimtarisë ligjore të disa ministrive.
“Kërkesat për marrjen e këtij dokumenti, hartimi dhe raportimi i të cilit është detyrim ligjor i Ministrive që prej vitit 2007, kanë qenë për vitin 2009 vetëm kërkesa zyrtare 1 drejtuar njëkohëshit Ministrive të Linjës dhe Këshillit të Ministrave, i cili është edhe autoriteti ligjor përgjegjës për miratimin e këtyre planeve. Gjatë vitit 2009, 4 prej Planeve të Ministrive janë vënë në dispozicion si përgjigje ndaj kërkesave zyrtare të drejtuara në emër të Lëvizjes Mjaft!, dhe 3 prej tyre janë aksesuar në faqet zyrtare të Ministrive. Ndërkohë gjatë vitit 2010, 6 Planet e Integruara nga 15 Ministri gjithsej, janë përfshirë në këtë raport monitorimi si rezultat i aksesimit të të tyre nga faqet zyrtare të Ministrive dhe Këshillit të Ministrave”, deklaron Mjaft mes të tjerash.
a.q/NOA