Tiranë, 10 dhjetor 2011, NOA – “Shqipëria ka miq që e duan, e respektojnë dhe e mbështesin në rrugën drejt anëtarësimit në BE”. Ishte ky mesazhi që Zv.Presidenti i PE-së, Miguel Angel Martinez i dha Kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli gjatë takimit me të në Tiranë, raporton agjencia e lajmeve NOA.al.
“Ju siguroj se Shqipëria ka shumë miq, që ju kuptojnë, ju duan dhe ju respektojnë, sepse ju njohin dhe ju mbështesin në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian”.
Martinez mësohet të ketë vlerësuar rolin e Kryetares së Kuvendit gjatë procesit të përmbushjes së kritereve për integrimin, duke theksuar se hapat fundit që janë ndërmarrë, janë sinjale pozitive, që i shërbejnë kësaj rruge.
“Është rasti t’ju përgëzoj për punën tuaj në pozicionin e vështirë të Kryetarit të Parlamentit, Shqipëria është përpara një rruge të rëndësishme, asaj të integrimit në Bashkimin Evropian. Hapa të rëndësishëm po sinjalizohen dhe jeni në rrugën e duhur!. Ju jeni evropianë, po aq sa dhe vendet e BE”, do të shprehej zv.Presidenti i Parlamentit Evropian.
Lajtmotiv i bisedës ishte procesi i zgjerimit të Bashkimit Evropian.
Në këtë suazë, kryeparlamentarja Topalli e falenderoi zv.Presidentin e PE-së për mbështetjen ndaj Shqipërisë dhe e informoi atë mbi hapat e fundit të ndërmarra nga klasa politike shqiptare, në funksion të procesit të integrimit, ndërmarrjes së reformave dhe punës për ligjet që kërkojnë 3/5 e votave.
“Dy vitet e fundit kanë qenë një periudhë e vështirë, në dy vite opozita bojkotoi Parlamentin dhe stopoi procesin e integrimit, por tani ajo situatë është tejkaluar, deputetët socialistë janë rikthyer në Parlament, në Komisionet Parlamentare, është krijuar një proces bashkëpunimi për reformat e integrimit. Të gjitha forcat politike duhet të marrin përgjegjësitë e tyre dhe të kenë një objektiv të përbashkët: Integrimin e Shqipërisë në BE!” tha Kryetarja e Kuvendit.
Po kështu një temë tjetër e diskutimit ishte kriza financiare që ka prekur Evropën. Kryetarja e Kuvendit bëri me dije se pavarësisht krizës së borxheve që ka luhatur edhe vende të fuqishme të Evropës, performanca ekonomike në Shqipëri është optimiste dhe vendi ka shënuar rritje pozitive ekonomike nga viti në vit.
Gjatë takimit Martinez informoi Kryetaren e Kuvendit mbi një projekt të tij, për hapjen e një Muzeu Historik të Evropës, pranë godinës së Parlamentit Evropian, i cili të përfshijë historinë e çdo vendi evropian në shekullin e fundit.
“Disa vende në Europë kanë qenë të pafat, e disa të tjera me fat. Është si të bësh drejtësi, për njerëz dhe popuj që për fakte historike e kanë parë veten jashtë. Jam shumë i prekur nga ky projekt,i cili nuk mund të kompletohet pa kontributin e të gjithëve. Është si një fabul, që duhet të plotësohet, dhe nëse një pjesë mungon, ajo mbetet e pakompletuar. Nuk duhet të ndalojmë deri sa ta plotësojmë atë”, nënvizoi zv.Presidenti Martinez.
Mandej, Kryetarja e Kuvendit ishte e ftuar në ceremoninë e dhënies së çmimit “European Citizen”, artistit shqiptar Fatmir Velaj.
Ky çmim iu dorëzua Velajt në emër të PE-së nga Zëvendëspresident i PE-së, Miguel Angel Martinez, i cili ndodhej në Tiranë për një vizitë zyrtare.
Me këtë rast, artisti Fatmir Velaj promovoi edhe ekspozitën me piktura e fotografi, “Fate Velaj-100 hapa nëpër Europë”.
Piktori Fatmir Velaj, jeton prej kohësh jeton në Austri, ku prej mëse dhjetë vitesh promovon artin shqiptar në Evropë.
Ai është kthyer në një kurator të imazhit të Shqipërisë dhe aspiratave të saj për anëtarësim në BE.
mit/NOA
Në foton e parë: Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli dhe Zv/Presidenti i Parlamentit Evropian, Miguel Angel Martinez
Në foton e dytë: Kryetari i PS-së Edi Rama duke takuar kryeparlamentaren Topalli gjatë dorëzimit të çmimit “European Citizen”, artistit shqiptar Fatmir Velaj.