English

Hagë, kërkohet lirimi për festa i Ramush Haradinaj

Prishtinë, 11 dhjetor 2011, NOA – Në Gjykatën e Hagës ka mbërritur një kërkesë për lirimin e liderit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), dhe ish-kryeministrit Ramush Haradinaj, në vigjilje të festave të fundvitit, raporton agjencia e lajmeve NOA.al.

Drejtues të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës bëjnë me dije se avokatët mbrojtës të Ramush Haradinaj i kanë kërkuar Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë të lirojë liderin e AAK-së për festat e fundvitit.

Sipas drejtuesve të AAK-së vendimi i gjykatës për këtë kërkesë pritet të merret javën e ardhshme, duke përgënjeshtruar dorazi edhe zërat e disa mediave që e bënë sot fakt të kryer lirimin e ish-kryeministrit.

Nënkryetari i AAK-së, Ahmet Isufi nënvizoi për Kosova.press, se “Gjykata ende nuk ka marrë ndonjë vendim rreth kësaj kërkese, e cila do të merret në shqyrtim e do të vendoset javën që vjen”.

Ndërkohë, disa media në Kosovë, por jo vetëm, raportuan sot se Ramush Haradinaj do të lirohet nga paraburgimi për festat e fundvitit nga Gjykata e Hagës, dhe se do të kthehet në Kosovë në 17 dhjetor, për të qëndruar këtu deri në 14 janar.

Por, me sa duket ky lajm ka të bëjë me lajmin e një viti më parë, kur lideri i AAK-së u lirua pikërisht në këto data, dhe u ndalua të lëshonte deklarata politike në Kosovë.

Tribunali i Hagës në nëntor të këtij viti ka bërë të ditur se procesi gjyqësor kundër ish-kryeministrit Ramush Haradinaj dhe dy bashkëluftëtarëve të tij, Lahi Brahimaj dhe Idriz Balaj do të vazhdojë më 13 shkurt të vitit të ardhshëm.

Rigjykimi i ish-kryeministrit Ramush Haradinaj dhe dy të akuzuarve të tjerë ka nisur më 18 gusht.

Ish-komandanti i UÇK-së në Zonën Operative të Dukagjinit, Ramush Haradinaj ishte shpallur i pafajshëm nga 37 akuzat për krime lufte, në 3 prill të vitit 2008 nga trupi gjykues i Hagës.

Por, ndaj tij dhe dy bashkëluftëtarëve Brahimaj dhe Balaj u ngrit padia për gjykim tejtër të pjesshëm.

Haradinaj, Brahimaj dhe Balaj gjykohen në Hagë për herë të dytë, për krime ndaj serbëve gjatë luftës në Kosovë.

mit/NOA

KOMENTE