English

Kacin: Serbia ka 14 deputetë në Kuvendin e Kosovës dhe 3 ministra

Beograd, 11 dhjetor 2011, NOA - Raportuesi i Parlamentit Evropian për Serbinë, Jelko Kacin, deklaroi se serbët në vend se të pranojnë pavarësinë e Kosovës duhet të pranojnë njëherë që janë pjesë e zgjidhjes, raporton agjencia e lajmeve NOA.al.

Për këtë Kacin i referohet numrit të deputetëve serbë në Kuvendin e Kosovës dhe tre ministrave të saj në qeverinë Thaçi.

Duke folur për gazetën e Novi Sadit, “Dnevnik”, raportuesi slloven bëri me dije se askush nga politikanët e BE-së nuk i ka kërkuar Serbisë të njohë pavarësinë e Kosovës. “Mendoj se Serbia, në vend se ta pranojë pavarësinë e Kosovës, më parë duhet të pranojë se serbët në Kosovë janë pjesë e zgjidhjes: se ata në jug kanë dalë në zgjedhjet në Kosovë, duke patur 14 deputetë në Kuvendin e Kosovës, ndërsa kanë edhe tre ministra në qeverinë e Hashim Thaçit”, deklaroi raportuesi për Serbinë Jelko Kacin.

Më tej kacin ka rikujtuar se veriu i Kosovës është zaptuar nga barrikadat dhe demonstruesit serbë po sulmojnë forcat ndërkombëtare, mes të cilave edhe ushtarët e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian.

Në këtë prizëm, raportuesi i BE-së nënvizoi se normalizimi i marrëdhënieve me Kosovën, është parakusht i domosdoshëm për përparimin e shpejtë të Serbisë kah integrimit në Bashkimin Evropian.

Sipas Kacin, pa arritjen e stabilitetit të plotë rajonal dhe të bashkëpunimit, asnjë shtet i Ballkanit Perëndimor, nuk mund të ketë qasje në BE.

Raportuesi i PE-së për Serbinë, Jelko Kacin gjatë intervistës kritikoi edhe nënkryetarin e Qeverisë së Serbisë në largim, Bozhidar Gjeliç, për akuzat e tij kundër Gjermanisë.

“Fjalët e tij të rënda për llogari të Gjermanisë, javën e kaluar, nuk kanë dhënë fryte. Ato edhe njëherë në mënyrë të pakëndshme i kanë befasuar politikanët gjermanë dhe opinionin e atjeshëm, e cila parimisht, e mbështet Serbinë”, u shpreh Jelko Kacin për gazetën e Novi Sadit, “Dnevnik”, e cituar nga RTK.

mit/NOA

KOMENTE