Shkup, 11 dhjetor 2011, NOA - Në komunën e Likovës, gjegjësisht fshatin kufitar Llojan vazhdon të jenë të pranishëm afro 150 emigrantë të huaj, kryesisht afganë, por edhe nga vende të tjera afrikane, të cilët janë strehuar edhe nëpër shtëpi private.
Një banor i fshatit tha se strehimi për një natë kushton nga 5-10 euro dhe se emigrantët janë të gatshëm të paguajnë këto të holla, vetëm e vetëm për të shpëtuar kokën dhe familjet e tyre në këtë periudhë të të ftohtit.
“Për momentin një pjesë e tyre po strehohen nëpër shtëpi private, ndërsa gjatë verës ata improvizonin kasolle përreth kufirit dhe aty qëndronin”, theksojnë banorët, për agjencinë INA.
Në mesin e emigrantëve ka familje me fëmijë të vegjël, dhe foshnje.
Ata vijnë nga Afganistani, Somalia, Pakistani, Iraku dhe Irani, duke bërë të ditur se lufta i ka detyruar që të marrin rrugët e botës.
Destinacioni i emigrantëve janë vendet e Bashkimit Evropian.
Ata kanë hyrë në Maqedoni përmes Greqisë.
Emigrantët e kanë lënë Greqinë edhe pse është në BE, për shkak se aty nuk ka punë dhe kushte për strehim, për shkak të krizës së thellë ekonomike.
Komuna e Likovës kërkon që institucionet përgjegjëse të sigurisë dhe ato për përkujdesje të veprojnë në parandalimin e krizës dhe fluksit të madh të emigrantëve afganë dhe të shteteve tjera të Lindjes së Mesme në fshatin kufitar Llojan.
Kryetari i komunës së Likovës, Sadulla Duraku ka theksuar se së fundi është shënuar rënie e fluksit të këtyre shtetasve të huaj, të cilët janë emigrantë ekonomik dhe kanë braktisur vendet e tyre.
“Momentalisht ka numër më të vogël dhe se me intervenimin e organeve të rendit janë zvogëluar tendencat e rritjes, pasi që emigrantët e kësaj kategorie kanë braktisur vendin. Nga ana tjetër nuk kemi informacion të saktë se sa është numri i tyre”, theksoi kryetari i komunës Sadulla Duraku.
MPB deri tani nuk ka bërë të ditur për ndonjë operacion për pastrimin e kësaj zone kufitare për shkak të rritjes së vazhdueshme të fluksit të emigrantëve të huaj.
INA/NOA