Romë, 11 dhjetor 2011, NOA- “E di që është Krishtlindje e vështirë, por ju uroj të gjithëve, Gëzuar”. Me këto fjalë iu drejtua Papa Ratzinger besimtarëve në kishën e shenjtores Mari, në periferi të Romës, ku celebroi meshën e të dielës, raporton agjencia e lajmeve NOA.al.
“Mos mendoni vetëm për gjërat që do të blini për netët festive”, u bëri thirrje besimtarëve Papa, “por shkoni të takoni edhe Zotin”, vijoi ai.
Ati i Shenjtë nënvizoi gjatë meshës së janë të shumtë njerëzit që gjenden në vështirësi në këto kohë, dhe që kanë nevojë për ndihmë.
Në këtë suazë ai i bëri thirrje besimtarëve që të japin ndihmesën e tyre ndaj të vobektëve duke përjetësuar në imazhin e tyre dashurinë e pamatë të Zotit ndaj të varfërve.
Papa lëshoi edhe një apel për të rinjtë duke u thënë se e sotmja, e nesërmja dhe e ardhmja e historisë së besimit i është besuar rinisë dhe gjeneratave të reja.
mit/NOA