English

Parashikimi i motit për 12 dhjetor 2011

Tiranë, 11 dhjetor 2011, NOA- Sipas MeteoAlb, edhe nesër territori shqiptar do të jetë nën ndikimin e masave ajrore të paqëndrueshme me origjinë nga jugperëndimi i kontinentit. Në këto kushte vranësirat dhe shirat e dobët do të dominojnë si fillim pjesën perëndimore të vendit ndërsa orët në vijim do të sjellin shtim të vranësirave edhe në pjesën tjetër të cilat do të shoqërohen me shira të dobët e të izoluar.

Në të njëjtat kushte meteorologjike do të mbetemi edhe gjatë pasdites ku vranësirat dhe shirat e dobët do të jenë të pranishme në pjesën më të madhe të vendit. Sërish më problematike situata do të jetë në veri dhe veriperëndim të territorit. Ndërsa vranësira dhe shira më të pakët do të ketë në zonat juglindore.

Situata termike nuk do të ketë ndryshime duke ruajtur të njëjtat vlera të temperaturave.

Era do të fryjë e lehtë në tokë dhe mesatare në det me shpejtësi 27 km/h dhe drejtim jugor jugperëndimor, kjo do të bëjë që në det dallgëzimi të jetë 1 ballë.

Europa

Serish nesër, Europa veriperëndimore dhe Europa Qendrore do të karakterizohen nga kushte të paqëndrueshme atmosferike pasi vranësirat dhe reshjet e shiut dhe të dëborës do të dominojnë këto rajone. Dëborë të dendur do të ketë në Suedi dhe Vendet e Balltikut e cila do të shoqërohet me stuhi të forta ere. Problematike situata nga rrebeshet e shiut do të paraqitet në Ishujt Britanike pasi vranësirat do të fuqizohen gjatë mesditës dhe për pasojë do të gjenerojnë shira të konsiderueshëm. Gjithashtu reshjet e konsiderueshme të shiut e dëborës shoqëruar me stuhi të forta ere do të vendosen në Europën Qendrore dhe gjatë mesditës sistemi i vranësirave do të zhvendoset drejt zonës së Alpeve duke u shtrirë deri në Rajonin e Mesdheut. Sidomos në Ballkanin Verior ku reshjet e shiut dhe të dëborës do të jenë më të përqendruar. Ndërsa pjesa tjetër e kontinentit Europian do të mbetet me mot të kthjellet dhe vranësira kalimtare.

Ngjarje ekstreme në Europë:

- Ballkani Verior do të rrezikohet për reshje shiu e dëborë

- Vendet e Balltikut do të mbeten me reshje shiu dhe dëborë

- Ishujt Britanike do të rrezikohen për shira të dendur dhe erë të fortë

a.y/NOA

KOMENTE