Pesë kuptime ka fjala “qafore” në “Fjalorin e gjuhës shqipe” (Tiranë, 2006), por unë nuk do ta mërzis lexuesin tim të vëmendshëm e të paanshëm duke i renditur ato në këtë shkrim: le ta hapë edhe ai një herë, sa për kulturë gjuhësore të paktën, fjalorin e lartpërmendur. Do t’i jap vetëm një këshillë: të mos e ngatërrojë me fjalën “faqore”, e cila, edhe ajo, çuditërisht, ka po aq kuptime sa fjala “qafore”, por krejt të ndryshme, që mund t’i gjejë në fjalor edhe pa pirë raki apo ndonjë tjetër pije më të kohës e më në modë. Le t’i kthehemi, gjithsesi, fjalës “qafore”. Këto ditët e fundit, në bisedë e sipër me një të afërm që e ka të birin në Amerikë, mësova se atje është bërë një shpikje fort e dobishme për ata qytetarë që mbajnë qen në apartamente: për të shmangur çdo shqetësim të banorëve lidhur me të lehurat vend e pa vend të qenit të komshiut një kat më sipër a më poshtë, në të majtë apo në të djathtë, sot, në Amerikë, pronarit të qenit i propozohet një lloj qaforeje e pajisur me një aparat të vogël elektronik, i cili, sa herë që qeni, për një arsye apo një tjetër, gatitet të lehë, i shkakton një ngacmim që e detyron të kafshojë gjuhën. Në pamje të parë, të krijohet përshtypja se gjithçka është në rregull dhe se privatësia e fqinjëve nuk dhunohet më, por, po ta gërmosh më thellë këtë çështje, del se i diskriminuari i vetëm në këtë mes është qeni. I afërmi im nuk ishte në dijeni të reagimeve të shoqatave amerikane për mbrojtjen e kafshëve dhe, për rrjedhojë, të së drejtës së tyre të pamohueshme e të patjetërsueshme për t’u shprehur lirisht në gjuhën që u ka falur Natyra apo Perëndia, por logjika, madje empatia më e thjeshtë e do që njeriu mund ta marrë fare lehtë me mend se ç’privim apo, siç thonë sot psikologët, ç’frustim është për qenin apo edhe për ndonjë kafshë tjetër shtëpiake, të mos shprehet lirshëm me gojë (se për t’u shprehur me shkrim, as që mund të bëhet fjalë)! Sido që të shtrohet ky problem, fakti është se, siç thotë populli ynë kafshëdashës ndër të tjera, “jo çdo e keqe vjen për keq”, ose “çdo e keqe e ka një të mirë”. E përkthyer më konkretisht në rastin e qafores sonë, d.m.th. të qenit, dhe e aktualizuar më praktikisht në kuadrin e përmasave që po njeh zhvillimi i shkencës llafologjike në gjirin fjalëshumë (ku bëj pjesë edhe unë) të popullit tonë të dashur fjalëdashës ndër të tjera, kjo do të thotë që morisë së pafundme të analistëve, opinionistëve, sociologëve, politologëve, mendimtarëve, moralistëve apo filozofëve e plot të tjerëve që nuk reshtin së foluri (pa përjashtuar ndonjëherë edhe vetveten, nuk e mohoj kurrsesi), do t’u bënte mirë, shumë mirë sikur, vullnetarisht, shumë vullnetarisht, të pranonin që gjatë emisioneve televizive, ku marrin pjesë gjallërisht, shumë gjallërisht, gazetari t’u varte në qafë një “qafore amerikane” dhe ta aktivizonte atë me telekomandë sa herë që analisti, opinionisti, sociologu, politologu, mendimtari, moralisti apo filozofi në fjalë të fliste apo, më saktë, të lehte duke dhunuar paturpësisht, shumë paturpësisht, të drejtën e të ftuarve të tjerë për ta marrë edhe ata fjalën. Personalisht do ta pranoja me qejf, me shumë qejf, një kufizim të tillë kryesisht për të mirën e teleshikuesve që jo rrallëherë e kanë të vështirë të ndjekin debatin, gjatë të cilit lehjet shkartisen me mungesën e edukatës së dialogut dhe me shkeljen e fisnikërisë së këmbimit të mendimeve, qoftë edhe të kundërta, midis palëve të pranishme. Dikur, në fillim fare të këtij shekulli, me plot të drejtë, një analist serioz, shumë serioz, i cilësoi kolegët e tij, pa e përjashtuar edhe vetveten, si njerëz të cilët “bëjnë gam-gam” në kuptimin që, pavarësisht vërtetësisë së problemeve të ngritura prej tyre, askush nga pushtetarët nuk ua merrte parasysh mendimin. Nga “gam-gami”, tek “ham-hami”, një germë na ndan, prandaj ka ardhur koha të shikohet mundësia e përdorimit sa më të efektshëm të “qafores amerikane” edhe për racën analiste, opinioniste etj., etj., që po shtohet pambarimisht, aq sa tani, me shpikjen e qafores në fjalë, për atë dilema është tashmë gati-gati hamletiane: “Të lehësh a të mos lehësh, kjo është çështja”!
(Gazeta Panorama)