Gjirokastër, 111 dhjetor 2011, NOA- Një operacion i policisë së Gjirokastrës i koduar “Shpërndarësi” bëri të mundur kapjen e 4 të rinjve të dyshuar si shpërndarës droge.
Siç informon agjencia e lajmeve NOA.al, të rinjve iu gjet dhe sekuestrua 5 kilogramë e 500 gramë lëndë narkotike e llojit marijuanë.
Mbrëmjen e djeshme pas disa informacioneve të marra, se disa shtetas nga Cërriku i Elbasanit dhe një tjetër nga Vlora të cilët kishin ardhur ditët e fundit në Gjirokastër dhe ishin strehuar me qera në banesa të përshtatura si hotele, kishin blerë në fshatin Lazarat sasira të konsiderueshme lënde narkotike dhe po përgatiteshin për ta transportuar në drejtim të Cërrikut dhe Elbasanit me qëllim shpërndarjen në sasira të vogla në ambiente shkollash dhe lokale nate, vunë në lëvizje uniformat blu.
Burime zyrtare nga policia e Gjirokastrës bëjnë me dije se menjëherë pas kësaj nisën kontrollet në disa banesa të përshtatura si hotele në qytetin e Gjirokastrës ku nga kontrolli ka rezultuar se në lagjen Grihot të qytetit në një godinë dy katëshe në një dhomë ku banonin me qera Bernard Çunaj nga Vlora, Vladimir Rabushja nga Cerriku që të dy 18 vjeç dhe Saimir Metani po nga Cerriku 19 vjeç, u gjetën dy pako me peshë të ndryshme në formë katrore të mbështjella me letër natriban si dhe një qese plasmai tjetër ku brenda tyre kishte lëndë narkotike, gjithsej rreth 4 kg e 200 gramë marijuanë.
Menjëherë pas kësaj tre të rinjtë u prangosën dhe u sekuestrua lënda narkotike.
Një tjetër kontroll u zhvillua në lagjen “Kodra e Shtyfit” ku në një banesë private të përshtatur si hotel, në dhomën ku qëndronte me 23 vjeçari Klodian Sinandemaj nga Cerriku, i njohur me nofkën “Pulla” në një çantë sportive poshtë krevatit ku flinte u gjetën disa qese plasmasi ku brenda tyre kishte lëndë narkotike e llojit Mariuanë gjithsej rreth 1 kilogramë e 300 gramë.
Nga verifikimet e bluve gjirokastrite, Sinandemaj rezultonte i shpallur në kërkim për vjedhje makinash.
Në vijim materialet në ngarkim të katër të arrestuarve iu drejtuan Prokurorisë së Gjirokastrës për veprën penale “Prodhim dhe shitje e lëndëve narkotike”.
a.y/NOA