Rapallo, Itali, 11 Dhjetor 2011 NOA/ Rid Bulku – Për muaj të tërë një vajzë e vogël ka përjetuar periudhën ndoshta më të frikshme të jetës së saj duke u detyruar të bëjë skllaven për të atin e saj shqiptar dhe të ëmën, një ekuadoriane.
Ngjarja i ka fillesat në qytetin Rapallo – provincë e Xhenova në Itali ku një 37 vjeçar shqiptar dhe bashkëshortja e tij 33 vjeçare nga Ekuadori janë arrestuar nën akuzën e keqtrajtimit të fëmijës, sekuestrim personi dhe heqje e paligjshme e lirisë, si dhe mbajtje njeriu nën skllavëri, raporton korrespondentja e agjencisë së lajmeve NOA.al.
Policia lokale tha se shqiptari dhe ekuadoriania mbanin vajzën e tyre 12 vjeçare të izoluar në kushtet e skllavërisë. Shefi i komisariatit të Rapallo, Carlo Di Sarro duke fokur zyrtarisht mbi ecurinë e hetimeve, zbardhi se vajza e vogël ishte e detyruar të kujdesej për vëllezërit më të vegjël, ajo i shërbente rregullisht dy prindërve të saj, u gatuante, u shtronte vaktet e ngrënies atyre dhe bënte të gjitha punët e shtëpisë.
Për më tepër ushqehej me gjërat që mbeteshin nga ushqimi që hanin prindërit e saj.
Herë pas here kur prindërit nuk ishin të kënaqur sa duhet nga puna e saj, e ndëshkonin duke e lënë për orë të tëra në tarracë, gjysmë e zhveshur ose thuajse lakuriq në të ftohtin e natës.
Zbulimi i historisë së dhimbshme erdhi pas një telefonate anonime në Telefono Azzurro (Telefoni i gjelbër) dhe çoi në operacionin policor tek banesa e emigrantit shqiptar, banesë që e shihni në këtë foto.
Vajza kur u mor në banesë nga shërbimet sociale dhe policia, u konstatua se kishte shenja dhune fizike në trup. Ndërkohë ajo nuk arrin të flasë pasi është memece.
Nga ana tjetër, është gjykata e Chiavari ajo që pritet të vendosë për masën e mëtejshme të sigurisë për prindërit skllavopronarë. Kurse dy vëllezërit më të vegjël të 12 vjeçares, po ashtu janë marrë nën mbrojtje nga autoritetet lokale.
r.be.t/NOA