Beograd, 11 dhjetor 2011, NOA – “Vendimi i Këshillit të Europës për të shtyrë marrjen e statusit të kandidatit nga ana e Serbisë nuk do të ketë ndikim në rrjedhën e dialogut teknik me Prishtinën”. Kështu mësohet të jetë shprehur për mediat serbe udhëheqësi i delegacionit serb në bisedime, Borisllav Stefanoviç.
Në një intervistë për “Pres”, kryenegociatori serb tha se dialogu me Prishtinën është gjithnjë prioritet i Qeverisë së Serbisë.
Sipas tij zgjidhja duhet të dalë pikërisht në këto bisedime.
Stefanoviç është i sigurt, citon Koha.net, se Prishtinës i intereson më shumë një Serbi e dobësuar dhe e izoluar, por edhe atmosfera e konfliktit konstant të intensitetit të ulët në veri të Kosovës.
Kryenegociatori serb nënvizoi se askujt në Serbi nuk i intereson largimi nga bashkësia ndërkombëtare.
Në këtë mendim ka qenë më herët edhe Presidenti serb Boris Tadiç, i cili nënvizoi se ekziston ideja se si duhet të zgjidhet problemi i Kosovës.
Sipas Tadiç nuk mund të hiqet dorë nga respektimi i Rezolutës 1244, pasi siç tha ai, “ajo është pjesë e të drejtës ndërkombëtare dhe rendit tonë kushtetues”.
NOA