English

Topi: Shqiptarët përjetësuan në histori fenë e tyre, Shqiptarinë

Doha, Katar, 11 dhjetor 2011, NOA – I ftuar nga Emiri i Katarit, Sheik Hamad Bin Khalifa Al Thani, Presidenti i Republikës Bamir Topi duke folur në Forumin e 4-t të Aleancës së Civilizimeve të Kombeve të Bashkuara, që po mbahet në kryeqytetin Doha, në 11-13 dhjetor, deklaroi se shqiptarët janë një popull, i cili e ka ndërtuar historinë e vet duke përvetësuar besime dhe kultura të ndryshme, që prej paganizmit e deri në ditët tona.

Sipas Kreut të Shtetit ky rrugëtim i gjatë historik përjetëson sot e gjithë ditën fjalët e vyera të rilindësit shqiptar Vaso Pasha “Feja e shqiptarit është shqiptaria”, raporton agjencia e lajmeve NOA.al.

Gjatë fjalës së tij, të publikuar në faqen zyrtare të Presidencës, Kreu i Shtetit tha se shqiptarët janë krenarë për historinë e kulturën e lashtë të Shqipërisë, si dhe për traditën shekullore të harmonisë dhe mirëkuptimit të plotë ndërmjet katër feve kryesore të vendit tonë.

“Këto monumente shpirtërore të ekuilibrit tonë kombëtar nuk janë vënë asnjëherë në dyshim dhe dëshmojnë se një bashkëjetesë e denjë kulturore dhe ndërfetare mund të ekzistojë vetëm mbi bazën e respektit për diversitetin. Për shumicën e shqiptarëve, Aleanca e Qytetërimeve përbën një realitet të prekshëm. Parimet e kësaj nisme janë pjesë e natyrshme e trashëgimisë së traditave shqiptare, të cilat mbështeten në një bashkëjetesë afat-gjatë dhe të vyer ndërmjet feve kryesore ekzistuese, përgjatë historisë së lashtë dhe moderne”, u shpreh zoti Topi, që në këtë vizitë në Katar shoqërohet nga Zonja e Parë, Teuta Topi.

Mandej, Presidenti theksoi bindjen e tij se të gjithë kanë një rol të rëndësishëm për të luajtur në formësimin e një bote të re, ku diversiteti kulturor e fetar do të jenë guri i themelit për një paqe të qëndrueshme e të ardhme të begatë, të ndërtuar mbi vlerat universale të bashkëjetesës dhe respektit të ndërsjellë.

“Aleanca e Qytetërimeve po luan rol të rëndësishëm në ndërtimin e urave të komunikimit ndërmjet shoqërive, duke promovuar mirëkuptimin për të ndikuar në zbehjen e pabarazive që ekzistojnë sot në botë. Që prej një viti, ne të gjithë jemi dëshmitarë të fuqisë së internetit dhe të dhuntisë së tij për të mobilizuar forcën motore të shoqërive tona, rininë, në luftë për sigurimin e vlerave universale të demokracisë dhe respektit, vlera që janë të shtrenjta për ne e që na kanë mbledhur sot në këtë sallë. Është detyra jonë të kuptojmë forcat që udhëhoqën ndryshimin me emrin “Pranvera Arabe”, por që tashmë i kaloi kufijtë e pranverës. Ne duhet të marrim masa që t’i përgjigjemi këtij ndryshimi në mënyrë të tillë që të sigurojmë përparimin dhe zhvillimin e shoqërive tona, nëpërmjet respektit për diversitetin dhe kuriozitetit për të renë”, theksoi Kreu i Shtetit shqiptar.

Ai rikujtoi në kuadër të këtij bashkëpunimi, se Shqipëria ka miratuar Strategjinë e Dialogut Ndërkulturor, Planin dyvjeçar të Veprimit, si dhe ka ngritur një Komitet ndër-dikasterial për ecurinë e këtyre dokumenteve themelorë, që synojnë rritjen e bashkëpunimit dhe zhvillimin e projekteve në fushat e arsimit, emigracionit, medias, rinisë dhe një pjesëmarrje sa më të gjerë të gruas në jetën politiko-shoqërore të vendit.

“Aktualisht, në Shqipëri është rritur ndjeshëm numri i shkollave dhe universiteteve brenda vendit, dhe i të rinjve që studiojnë jashtë, në të gjitha kontinentet. Ata po bëhen në vazhdimësi ambasadorë të vlerave më të mira të popullit shqiptar. Dhe unë jam i sigurt, se kontributi i tyre në të ardhmen e vendit do të jetë i dukshëm dhe i prekshëm, duke sjellë larmishmërinë dhe më të mirën e kulturave të cilat kanë përthithur në këto vende, e do të kontribuojnë kështu në përparimin e Shqipërisë. Programet e kualifikimit e shkëmbimit për të rinjtë dhe gratë në të gjitha vendet tona, si dhe promovimi i pjesëmarrjes së tyre në komunitet, shoqëri civile, vendim-marrje etj., do të përbënin mundësi shumë të mira për të kanalizuar forcën e tyre energjike në angazhime kontribuuese në komunitet, çka skalit përgjegjësinë dhe përgatitjen e tyre për shoqërinë, në të ardhmen. Një problem tjetër shumë i rëndësishëm i Aleancës së Qytetërimeve dhe një preokupim mbarëbotëror për t’u zgjidhur me bashkëveprim e tolerancë është çështja e emigracionit”, u shpreh Presidenti i Republikës.

Ai nënvizoi se Shqipëria po ndjek një politikë parimore në të mirë të paqes e sigurisë globale, duke vendosur marrëdhënie shumë të mira me SHBA-në, vendet e Bashkimit Evropian, me vendet fqinj, vendet arabe, etj.

“Si anëtare e Grupit të Miqve, Shqipëria ka qenë dhe mbetet e angazhuar në veprimtarinë e OKB-së për ta kthyer Aleancën e Qytetërimeve në një mekanizëm efektiv për nxitjen e kulturës së vërtetë të paqes, bashkëjetesës dhe mirëkuptimit reciprok ndërmjet popujve dhe qytetërimeve. Nuk ka asnjë dyshim se nevoja për mobilizimin e qeverive tona, të politikë-bërësve, drejtuesve fetarë, segmenteve akademikë dhe shoqërisë civile mbeten një prioritet parësor për arritjen e këtij qëllimi madhor”, e mbylli fjalimin e tij në Forumin e 4-t të Aleancës së Civilizimeve të Kombeve të Bashkuara, në kryeqytetin Doha, të Katarit, Presidenti i Republikës Bamir Topi.

mit/NOA

KOMENTE