Shkup, 12 dhjetor 2011, NOA - Maqedonia do ta ketë vështirë edhe gjatë vitit 2012 që të arrijë të marrë datën për fillimin e negociatave për anëtarësim në BE. Ky vlerësim jepet nga analistë dhe institute që merren me çështjet evropiane dhe proceset evrointegruese.
Analistët vlerësojnë se Bashkimi Evropian është i fokusuar për të gjetur stabilitet të brendshëm dhe zgjidhje për tejkalimin e krizës në Eurozonë, andaj zgjerimi është një çështje e vështirë e ndjekur me shumë dilema.
“BE është e fokusuar në çështjet e brendshme rreth eurozonës dhe vendimet e fundit sa i përket zgjerimit ishin dekurajuese për shumë vende dhe Qeveri, kur kemi parasysh konkluzionet që dolën nga Samiti i 9 dhjetorit në Bruksel”, thekson ligjëruesi pranë Kolegjit gjerman ISPE, Muhamer Pajaziti.
Sipas tij, Maqedonia ka pësuar një goditje serioze e cila duhet të vetëdijësoj Qeverinë aktuale, e cila po e çon vendin drejt izolimit dhe humbjes së kursit evrointegrues.
“Zhvillimet janë serioze dhe mospërfshirja e Maqedonisë në konkluzionet e Samitit të së premtes është një sinjal që tërheq vëmendjen se ky vend po rrezikon të ardhmen e tij dhe po krijon probleme me pasoja të mëdha, që mund të çojnë edhe në humbjen e rekomandimit për fillimin e negociatave për anëtarësim në BE. Jam skeptik optimist se edhe në vitin 2012 do të ketë kurs politik pozitiv që Maqedonia të shënojë përparim dhe të angazhohet që të përfitojë datën për fillimin e negociatave për anëtarësim. Kjo për faktin se vendi gjendet përballë zgjedhjeve të ardhshme dhe kryeministri Gruevski më shumë do të jetë i fokusuar në kartën nacionaliste dhe populiste për të përfituar elektoratin e brendshëm”, thekson Pajaziti.
Ish-zëvendëskryeministri për evrointegrime, Ivica Bocevski thekson se Evropa është e fokusuar në situatën e brendshme, ndërsa zgjerimi dhe përfshirja e vendeve të reja anëtare është në lojë, por sipas tij në fund të agjendës evropiane.
“Po shihet qartë se përfshirja e vendeve të Ballkanit Perëndimor po mbetet çështje e absorbuar dhe askush nuk po debaton për këtë në BE. Ajo që duhet të merret parasysh është fakti se euroentuziazmi po mbetet pas nesh”, theksoi Bocevski.
Sipas tij veprimet e liderëve evropian rreth procesit të zgjerimit po e vështirësojnë kredibilitetin e BE-së dhe po luhasin bindjet e shumë vendeve rreth rrugëtimit të tyre në familjen evropiane.
Maqedonia nuk u përfshi në konkluzionet e Samitit të javës së kaluar në Bruksel, edhe pse kreu qeveritar në Shkup më parë shprehu entuziazëm dhe pritje për tu përfshirë në agjendën evropiane. Një javë më parë ministrat e jashtëm të BE-së rekomanduar që vendi të përfshihet dhe rikthehet në agjendën evropiane vetëm gjatë presidencës së radhës të BE-së, por sërish janë përmendur kushtet që duhet plotësuar si zgjidhja e kontestit të emrit, reformat, plotësimi i detyrimeve të Marrëveshjes së Ohrit dhe kushte të tjera.
NOA/NOA