English

Avokati i Popullit

Nga Artan Hoxha

1. Normalizimi i politikës u vlerësua edhe nga parlamentarët europianë gjatë vizitës së tyre javën e kaluar. Entuziazmi zuri vendin e dëshpërimit dhe sikletit dyvjeçar në takimet rutinë me kolegët shqiptarë. Skeptizimi nuk u fashit tërësisht. Europarlamentarët vlerësuan frymën e re, por kërkuan vazhdimin e saj me prova konkrete, me produkte konkrete. Puna ka nisur për mbarë me Rregulloren e Kuvendit, Kodin Zgjedhor dhe disa ligje që kërkojnë 3/5-at e votave të Kuvendit. 2. Mes tyre u raportua edhe procesi i nisur për emërimin e Avokatit të Popullit, pjesë e duzinës së detyrave për axhendën europiane, një post ky i cilësuar drejtpërdrejt nga Kushtetuta për rëndësinë e tij, por dhe aq i nëpërkëmbur nga ngërçi politik. Mazhoranca kaherë, me qëllim arritjen e mirëkuptimit politik, ia ka transferuar opozitës të gjithë kompetencën e përzgjedhjes së kandidaturës dhe pret në Kuvend të formalizojë aktin e emërimit. Mbi këtë transfertë, opozita ka nisur procesin për gjetjen e kandidaturës më të përshtatshme. 3. Institucioni i Avokatit te Popullit, pas ndryshimeve të Kushtetutës në prill 2008, mbeti i vetmi emërim i drejtpërdrejtë, pa propozim të tjetërkujt, dhe me 3/5-at e votave të Kuvendit. Trajtimi i këtij institucioni nga politika dhe jo vetëm, si dhe performanca e tij e kushtëzuar nga mjedisi rrethues, në 13 vite të historisë së tij juridike dhe praktike mbetën larg frymës dhe germës së Kushtetutës. Bllokimi i gjatë i përzgjedhjes së personit në këtë detyrë, si edhe zhbllokimi përmes transfertës mazhoritare të kompetencës se emërtesës dhe pranimit opozitar të saj janë anormalitete shtesë në raport me frymën e Kushtetutës dhe rolin e Kuvendit si një i tërë. Por nëse këto të fundit, siç gozhda ndonjëherë nxjerr gozhdën, kontribuojnë në largimin e vetë politikës nga anormaliteti, janë të mirëpritura këtë herë. 4. Brenda anormalitetit rrethanor, Partia Socialiste, bashkautore e këtij anormaliteti, po investohet në një garë publike për përzgjedhjen e kandidaturës fituese. Ndonëse kjo garë, si një normalitet, nuk e zgjidh paradoksin e krijuar me anormalitetin rrethues, metoda e ndjekur mund të shërbejë si shembull i mirë. Thënë kjo, pretendimi i kryetarit të PS, Edi Rama, se procesi i nisur prej tij për përzgjedhjen e kandidaturës tregon dhe vërteton se sa i mirë është ai dhe të vetët në krahasim me Saliun e keq e të tijtë e këqij, është pjesa më e pavlerë e kronikës në fjalë, ndaj nuk ia vlen të merresh. 5. Pavarësisht rrethanave anormale dhe motiveve mbi të cilat mund të ketë dyshime, procesi i nisur nga PS, ide e vetë Edi Ramës, është shembullor në disa drejtime. Ftesa për konkurrim dhe detyrimi për aplikim janë instrumente kundër hipokrizisë. Modestia apo mosinteresimi i shtirur janë tipa sjelljeje ende mjaft të përhapura. Gjatë sistemit komunist, kësi sjelljesh ishin dominante dhe të ushqyera nga regjimi. Shumëkush kujton se si emërimet bëheshin me propozime nga të tjerë dhe se si të propozuarit mërmërisnin “…jam shumë i lumtur, por nuk e di nëse do ta justifikoj besimin e partisë…” e të tjera lloqe si këto. Njëherazi, në atë regjim, nëse një individ shprehte hapur synime për poste të caktuara, ai shpotitej apo goditej për karrierizëm. 6. Hipokrizia, në çdo formë të shfaqjes së saj, bie ndesh me thelbin e sistemit të demokracisë konkurruese që kemi zgjedhur prej më shumë se 20 vitesh. Postet publike kërkojnë e bazohen mbi konkurrencë të hapur. Kjo fillon që nga nisma e vetë individit për të deklaruar haptas synimin. Pa këtë, procesi dhe produkti, si rregull do defektojnë. Nëse dikush emërohet në një post kur ka hezitim të sinqertë, si rregull, ai do të jetë nën presionin e mendimit të llojit “ç’m’u desh që pranova”, me efekte negative mbi qëndrueshmërinë ndaj vështirësive në kryerjen e detyrës. Nëse dikush emërohet kur ka pasur një gjoja hezitim, këtë cen të karakterit, si rregull, do ta shpalosë, herët a vonë, përmes një performance hipokrite në formë dhe hileqare në thelb. 7. Gara kërkon transparencë. Në rastin në fjalë ajo është e plotë deri në këtë fazë. Gara kërkon kritere të qarta, të barabarta dhe sa më objektive në shoshitjen e kandidaturave. Komisioni i krijuar për këtë qëllim nga PS ka anuar nga objektiviteti i kritereve, si shkollimi, eksperienca, profesionalizimi, vlerësimi i të cilave do të bazohet në dokumente standarde, si diploma, referenca etj. Animi nga natyra objektive e kritereve dhe metodës vlerësuese flet për synimet e ndershme të nismëtarëve dhe të komisionit në lidhje me garën. Sa më objektiv, aq më pak i paragjykuar. Kusht i domosdoshëm për besueshmërinë e të gjithë procesit. 8. Në faqen e internetit të z. Rama (http://edirama.al/blog/2011/12/diskutojme-se-bashku-5/ ) më tërhoqën vëmendjen, vërejtjet dhe sugjerimet e z.Sokol Muca i cili u kujtonte anëtarëve të komisionit se “…ju nuk punësoni një individ, bazuar në referenca e diploma, por në vizionin që ka, në pastërtinë publike dhe në pavarësinë që reflekton, pa dyshim duke mos lënë mënjanë zhvillimin akademik dhe profesional…”. Z. Muca ka po aq të drejtë kur kujton natyrën e postit të Avokatit të Popullit, cilësitë morale dhe vizionin e kandidatit si kriteret e duhura për përcaktimin e fituesit, kritere këto, njëherazi, subjektive e të paragjykueshme. 9. Kriteret objektive janë të dobishme në çdo emërim por, kur bëhet fjalë për emërime në administratën shtetërore, numri i madh i posteve dhe i kandidatëve imponon përdorimin e kritereve sa të jetë e mundur, veçse objektive. Në rastin e posteve të veçanta, si Avokati i Popullit, kriteret objektive mund të shërbejnë vetëm për procesin fillestar të seleksionimit të kandidatëve të shumtë, ndërsa ato subjektive janë të pashmangshme dhe mbi to, në fund të fundit, do të merret vendimi përfundimtar. Procesi që po zhvillohet nga PS, me disa faza, përfshirë dëgjimin publik të kandidatëve këtë të hënë, janë metoda të përshtatshme që krijojnë premisa për harmonizimin e kritereve objektive dhe subjektive drejt përzgjedhjes së duhur. 10. Besueshmëria e autoritetit që organizon garën dhe përzgjedh fituesin, është një tjetër kusht i domosdoshëm për sukses. Komisioni i ngritur nga PS është autoritar dhe i besueshëm. Njoh personalisht e nga afër më shumë se gjysmën e anëtarëve të tij si ekspertë në fushat e tyre, me integritet dhe me aftësi për të gjykuar mbi cilësitë e kandidatëve. Të tjerët, që i njoh veçse publikisht, s’kam arsye t’i paragjykoj. Përkundrazi, nëse të parët janë caktuar në këtë detyrë për shkak të cilësive të mira të tyre, të cilat edhe unë ua di për shkak të rrethanave, s’ka arsye të qenësishme që të dytët të mos i kenë këto cilësi, vetëm se unë nuk i njihkam personalisht. 11. Deri në këtë fazë, gara dhe cilësitë e saj: transparenca, kriteret, metoda dhe komisioni kanë dhënë rezultate pozitive. Numri i madh i kandidatëve, 31 gjithsej, në fazën e parë, mes tyre shumë cilësorë, ishte shenja e parë e mirë. Ndonjë keqkuptim me ndonjë kandidat nuk e cenon këtë përfundim. Përzgjedhja e 12 kandidatëve për në fazën e dytë vazhdon në rrugën drejt suksesit të nismës. Shumica e kandidatëve të përzgjedhur e nderojnë postin e Avokatit të Popullit. Dëgjimi publik i secilit prej tyre do të jetë një tjetër fazë që, e kryer siç duhet, do mundësojë një klasifikim të arsyeshëm të kandidaturave drejt asaj fituese. 12. Ç’po shkon mirë, ka plot gjasa të vazhdojë. Nuk besoj të ndodhë, pa e përjashtuar për fare, që procesi të prishet rrugës e të zgjidhet ndonjë kandidat/e, nga pakica e tyre që nuk do ta nderonte as postin, as komisionin, as PS-në, as Edi Ramën si ideator e nismëtar. Nëse do shkojë për mirë deri në fund, jo vetëm do të kemi një Avokat të Popullit, por edhe një të këtillë që del nga një garë e hapur dhe e ndershme. Gara dhe cilësitë e saj nuk mjaftojnë për të na garantuar se institucioni do të veprojë në lartësinë e kërkuar por, si rregull, gara me kësi cilësish është kusht i nevojshëm fillestar. Nëse gara do shkojë kështu deri në fund, meritat opozitare duhen njohur. Një nga veset më të urryera që kemi me tepri, është mosnjohja e meritave të tjetrit. Ves që shpërblehet reciprokisht. Bumerang.

"Panorama"

KOMENTE